Pas fyerjeve të Edi Ramës, reagon Shoqata e të Verbërve: Kërkohet ndjesë publike për personat me aftësi të kufizuara

Pas fyerjeve të Edi Ramës, reagon Shoqata e të Verbërve: Kërkohet ndjesë publike për personat me aftësi të kufizuara

12:04, 05/05/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë shpreh indinjatën e saj më të thellë pas deklaratave të fyerëse të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ndaj personave me aftësi të kufizuara.

Në një aktivitet elektoral të zhvilluar në Lezhë, Kryeministri përdori një gjuhë të papranueshme dhe përçmuese ndaj grupeve të ndjeshme, duke ofenduar rëndë komunitetin e të verbërve dhe atyre që kanë vështirësi në dëgjim.

Këto komente përbëjnë një shkelje të hapur të normave të respektit dhe barazisë të garantuar nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe Konventa e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.

Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë kërkon menjëherë kërkim falje publike dhe një angazhim të fortë për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.

Reagimi:

DEKLARATË PËR SHTYP

Tiranë, më 05/05/2025

Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë reagon me indinjatë ndaj fyerjeve publike të Kryeministrit ndaj personave me aftësi të kufizuara

Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë (SHVSH), si përfaqësuesja legjitime e mbi 13,500 qytetarëve të verbër dhe me dëmtime të rënda të shikimit në vend, shpreh keqardhje dhe indinjatë të thellë për përdorimin e gjuhës diskriminuese dhe poshtëruese nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, në një aktivitet elektoral të zhvilluar në Lezhë.

Në këtë deklaratë ai u shpreh si më poshtë:

“Kur njeriu i ka sytë top, është më i verbër se dikush që nuk i ka sytë. Kush i ka sytë, s’do me pa, është qorr absolut. Kush është nga veshët top, dhe do të dëgjojë këngën e bufit për natë, është më shurdh nga shurdhi.”

është jo vetëm thellësisht ofenduese për komunitetin e personave të verbër dhe të personave që nuk dëgjojnë, por përbën një shkelje të rëndë të standardeve të respektit njerëzor dhe të barazisë së promovuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga Konventa e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.

Kjo nuk është hera e parë që z. Rama përdor fjalor fyese ndaj grupeve të ndjeshme. Vetëm pak ditë më parë, ai etiketoi në mënyrë të papranueshme personat me çrregullime të spektrit autik, duke vazhduar kështu një model komunikimi përçmues, që thellon paragjykimet shoqërore dhe cenon dinjitetin e mijëra qytetarëve shqiptarë.

SHVSH i bën thirrje publike Kryeministrit:

• Të kërkojë ndjesë publike, pa vonesë, ndaj komuniteteve që ka ofenduar.

• Të angazhohet realisht për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, duke filluar nga gjuha e përdorur në hapësirën publike.

• Të rikthejë dinjitetin institucional në komunikimin me qytetarët e tij, veçanërisht ata që jetojnë çdo ditë me sfida të mëdha shëndetësore dhe sociale.

Ne nuk jemi metafora, nuk jemi figura stilistike për përdorim në fjalime politike. Ne jemi qytetarë të barabartë të këtij vendi. Dhe do të ngremë zërin për çdo akt, fjalë apo qëndrim që synon të na fyejë, të na përjashtojë ose të na instrumentalizojë.

Me respekt,

SHOQATA E TË VERBËRVE TË SHQIPËRISË

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco