SYRI TV
Kanë mjaftuar vetëm pak minuta shi dhe Durrësi dhe Vlora janë nën ujë. Madje në qytetin bregdetar Durrës uji ka depërtuar dhe ka përmbytur edhe banesa. Rrugët si në qendër dhe në periferi janë mbuluar me ujë duke vështirësuar kalimin e qytetareve të cilëve u është dashur të veshin çizme e disa prej tyre të qëndrojnë në dyqane apo edhe ne stacione autobusi pasi është vështirësuar kalimi. Madje probleme ka pasur edhe në afërsi të shkollave pasi fëmijët kanë qenë të rrethuar nga uji dhe ata kanë pasur vështirësi në kalim.
Përmbytje në qytetin e Durrësit ka pasur tek kryqëzimi i Stadiumit, tek Stacioni i trenit, në lagjen 17, në zonën e Kënetës dhe Shkozet, ku është vështirësuar lëvizja e këmbësorëve dhe mjeteve. Edhe lokalet ne zonën e vollgës janë përmbytur nga uji
Reshjet e shiut shkaktojnë probleme në rrugët e Vlorës teksa punonjësit e ujësjellësit janë në protestë. Pak minuta reshje shiu mjaftuan që në disa lagje të Vlorës të krijohej prezenca e ujit në rrugë, duke i bërë të pakalueshme ato. Shtimi i ujit nëpër rrugë ka shkaktuar vështirësi për qytetarët që po lëvizin në ato zona. Ndërkohë, punonjësit e Ujësjellësit janë në protestë, të cilët janë që nga dita e djeshme dhe vazhdojnë të protestojnë. Në këtë qytet janë angazhuar Forcat e Armatosura me 7 trupa dhe 6 mjete në hidrovorin e qytetit të Vlorës. Aktualisht hidrovori punon me 3 pompa nga 4 të disponueshme.
Shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i reshjeve për momente të shkurtra, mund të krijojnë probleme të ndryshme si dhe vërshime të ujit në zonat urbane në varësi të sistemeve të kanalizimeve në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër.
© SYRI.net