Shkencëtarët kanë zbuluar se truri kalon në pesë faza të ndryshme të jetës, me momente të rëndësishme ndryshimi në moshat 9, 32, 66 dhe 83 vjeç.
Rreth 4000 persona deri në moshën 90 vjeç u skanuan për të parë lidhjen mes qelizave të tyre nervore.
Studiuesit e Universitetit të Cambridge-it zbuluan se truri qëndron në fazën adoleshente deri në fillimin e të 30-ave, kur ne "arrijmë kulmin".
Ata thonë se këto rezultate mund të ndihmojnë të kuptojmë pse rreziku për çrregullime mendore apo demencë ndryshon gjatë jetës.
Truri ndryshon vazhdimisht si reagim ndaj njohurive dhe përvojave të reja, por studimi tregon se ky ndryshim nuk është i njëtrajtshëm nga lindja deri në vdekje.
Në vend të kësaj, ka pesë faza të trurit:
- Fëmijëria, nga lindja deri në moshën 9 vjeçe
- Adoleshenca, nga 9 deri në 32 vjeç
- Mosha madhore, nga 32 deri në 66 vjeç
- Pleqëria e hershme, nga 66 deri në 83 vjeç
- Pleqëria e vonë, nga 83 vjeç e lart
"Truri rikalibrohet gjatë gjithë jetës. Ai forcon dhe dobëson lidhjet vazhdimisht dhe nuk ndjek një model të rregullt, ka luhatje dhe faza rikalibrimi," tha për BBC autorja kryesore e studimit, dr Alexa Mousley.
Disa njerëz i arrijnë këto faza më herët ose më vonë, por studiuesit thanë se këto moshat u dalluan shumë qartë tek të dhënat.
Këto modele u zbuluan vetëm tani, falë skanimeve të shumta të trurit të përfshira në studim, i publikuar në revistën Nature Communications.
Pesë fazat e trurit
Fëmijëria. Kjo është periudha kur truri rritet me shpejtësi dhe njëkohësisht heq lidhjet e tepërta mes qelizave nervore, të quajtura sinapse, që krijohen në fillim të jetës.
Gjatë kësaj kohe, truri punon më pak në mënyrë efikase. Ai funksionon si një fëmijë që endet në park pa drejtim të caktuar, në vend që të shkojë drejt nga pika A në B.
Adoleshenca. Nga mosha 9 vjeçe, rrjetet e trurit bëhen shumë më efikase. "Është një ndryshim i madh," tha dr Mousley, duke e quajtur këtë si periudhën me transformimin më të thellë.
Kjo është edhe koha kur rreziku për fillimin e çrregullimeve mendore është më i lartë.
Nuk është surprizë që adoleshenca fillon me pubertet, por ky studim është një tjetër provë se ajo përfundon shumë më vonë nga sa është menduar më parë, jo vetëm në adoleshencë, jo vetëm në të 20-at, por deri në fillim të të 30-ave.
Kjo është e vetmja fazë kur truri bëhet më efikas. Dr Mousley tha se kjo përputhet me shumë matje të funksionit të trurit që tregojnë se ai kulmon në të 30-at e hershme, por shtoi se është "shumë interesante" që faza adoleshente zgjat nga mosha 9 deri në 32 vjeç.
Mosha madhore. Më pas vjen periudha më e gjatë dhe më e qëndrueshme e trurit, që zgjat rreth tri dekada.
Ndryshimet janë më të ngadalta se më herët, por gjatë kësaj faze efikasiteti i trurit fillon gradualisht të bjerë.
Dr Mousley tha se kjo "përputhet me stabilizimin e inteligjencës dhe personalitetit", që shumë prej nesh e kemi vënë re ose përjetuar.
Pleqëria e hershme. Kjo fazë nis rreth moshës 66 vjeç, por nuk është një rënie e menjëhershme. Ka ndryshime në mënyrën si lidhen pjesët e trurit.
Në vend që të funksionojë si një tërësi e bashkuar, truri ndahet më shumë në zona që punojnë fort brenda vetes, si anëtarë të një grupi që nisin projekte solo.
Edhe pse studimi shqyrtoi trurin e njerëzve të shëndetshëm, kjo është mosha kur shfaqen demenca dhe presioni i lartë i gjakut, që ndikojnë në shëndetin e trurit.
Pleqëria e vonë. Rreth moshës 83 vjeç, fillon faza e fundit. Kishte më pak të dhëna për këtë grup, sepse është më e vështirë të gjenden tru të shëndetshëm në këtë moshë. Ndryshimet janë të ngjashme me plakjen e hershme, por më të theksuara.
Dr Mousley tha se ajo që e çuditi më shumë ishte se si këto "mosha përputhen me ngjarje të rëndësishme" si puberteti, problemet shëndetësore në moshë të madhe, madje edhe ndryshimet e mëdha sociale në të 30-at, si prindërimi.
"Një studim shumë i jashtëzakonshëm"
Studimi nuk i ndau burrat dhe gratë, ndaj ka ende pyetje, sidomos për ndikimin e menopauzës.
Prof. Duncan Astle, pjesë e ekipit nga Universiteti i Cambridge-t, tha: "Shumë çrregullime zhvillimore, mendore dhe neurologjike lidhen me mënyrën si është ndërtuar truri. Në fakt, ndryshimet në këto lidhje parashikojnë vështirësi me vëmendjen, gjuhën, memorien dhe shumë sjellje të tjera."
Prof. Tara Spires-Jones nga Universiteti i Edinburgh-ut, e cila nuk ishte pjesë e studimit, tha: "Ky është një studim shumë interesant që tregon se sa shumë ndryshon truri ynë gjatë jetës."
Ajo tha se rezultatet "përputhen mirë" me njohuritë tona mbi plakjen e trurit, por paralajmëroi se "jo të gjithë i përjetojnë këto ndryshime fiks në këto mosha". / BBC - Syriu.net
© SYRI.net