Më 1 dhjetor 2006, revista Science theksonte një përparim të vogël, por premtues: “Në të ardhmen, ndoshta, ilaçet mund të përdoren për të parandaluar kancerin e gjirit”, shkruhej në artikull. Gati 20 vite më pas, asgjë prej kësaj nuk është bërë realitet. Shkenca ecën ngadalë dhe shpesh përballet me pengesa: mungesë financimi, gabime, drejtime të gabuara… Por në këtë rast, disa ekspertë shtojnë edhe një arsye tjetër që e ka penguar: paragjykimet morale dhe ndikimi politik.
Ilaçi për të cilin bëhej fjalë është mifepristona, e njohur për përdorimin e saj në abortin medikamentoz. Pikërisht kjo e ka kthyer atë në një çështje të ndërlikuar. “Ke frikë të hulumtosh mbi të dhe të dukesh sikur je proabort”, shpjegon Kristina Gemzell Danielsson, kërkuese në Karolinska Institutet. Ajo është bashkautore e një editoriali të publikuar në The Lancet Obstetrics, Gynaecology & Women’s Health, ku denoncohet ky realitet. “Kemi të dhëna shumë premtuese, por nuk po bëhen përpjekje të mjaftueshme për të vijuar më tej. Për më tepër, përdorimi i mifepristonës në kërkim është jashtëzakonisht i shtrenjtë dhe pengesat ligjore janë absurde, ndoshta sepse shoqërohet me abortin e induktuar”.
Editoriali mbështetet në tri studime të fundit shkencore dhe në përfundimet e një takimi multidisiplinar konsensual, të zhvilluar në vitin 2024 në Universitetin e Innsbruck, Austri. Përfundimet nuk janë aspak inkurajuese: “Financimi i kërkimit shpesh varet nga drejtimi politik”, thekson Danielsson. “Ideologjia mund ta ngadalësojë gjithçka”.
Përveç barrierave politike e ligjore, editoriali thekson edhe mungesën e investimeve nga industria farmaceutike. Arsyet nuk lidhen vetëm me politikën, por edhe me interesat tregtare. “Kompanitë farmaceutike duan përfitim ekonomik. Këtu hyn në lojë çështja e patentës. Përdorimi i një medikamenti të vjetër për një indikacion të ri nuk sjell fitim të menjëhershëm”, shton Danielsson.
Megjithatë, jo të gjithë ekspertët ndajnë të njëjtin qëndrim. Onkologu Rodrigo Sánchez-Bayona nga Spitali 12 de Octubre në Madrid, nënvizon se ende mungojnë prova të mjaftueshme: “Ky, si shumë ilaçe të tjera, ka potencial për parandalimin primar të kancerit të gjirit, por nuk ka ende evidencë klinike. Studimet e përmendura janë të gjitha paraklinike, nuk ka studime që tregojnë se mifepristona zvogëlon realisht rastet e reja tek gratë e shëndetshme”.
Kanceri i gjirit është shkaku kryesor i vdekjeve te gratë në mbarë botën. Deri më tani, përpjekjet janë përqendruar më shumë tek zbulimi i hershëm dhe trajtimi, jo tek parandalimi. Editoriali i Lancet bën thirrje për një ndryshim, duke sjellë si shembull kancerin e qafës së mitrës, ku vaksinimi kundër HPV ka ulur ndjeshëm incidencën në disa vende, aq sa për herë të parë flitet për mundësinë e eliminimit të tij.
Në rastin e kancerit të gjirit, e vetmja masë parandaluese e njohur është heqja e plotë e gjinjve, një vendim drastik, i rekomanduar vetëm për gratë që mbartin mutacione të gjeneve BRCA1 dhe BRCA2. Rreziku i tyre për zhvillimin e kancerit deri në moshën 80 vjeç është rreth 70%. Ky quhet shpesh “gjeni i Angelina Jolie”, pas vendimit të aktores për të bërë mastektomi parandaluese. Ky veprim ul rrezikun me 90%, por ndikon rëndë në cilësinë e jetës.
Mifepristona mund të ofrojë një alternativë më pak ekstreme. “Gratë me mutacionin BRCA kanë nivele më të larta të progesteronit në pjesën e dytë të ciklit menstrual”, shpjegon Martin Widschwendter, drejtor i European Translational Oncology Prevention. “Kjo hormon bën që disa qeliza të gjirit të shumohen më shumë dhe këto mund të kthehen në tumore agresive. Mifepristona bllokon efektet e progesteronit, duke ulur rrezikun që këto qeliza të shndërrohen në kancer”.
Megjithatë, përdorimi i saj është penguar nga stigma morale dhe politike që lidhet me abortin. “Në shumë vende mbetet një temë e politizuar dhe polarizuese”, thotë Widschwendter. “Kjo e bën të vështirë qasjen e studiuesve tek ilaçi, ul interesin e kompanive dhe pengon financimin. Është e frustruese të mendosh se një ilaç me një mekanizëm kaq të njohur dhe me potencial të qartë mund të shpëtojë jetë, por nuk po studiohet mjaftueshëm për shkak të ngarkesës politike e sociale”.
Editoriali u bën thirrje jo vetëm shkencëtarëve, por edhe industrisë farmaceutike, politikëbërësve dhe shoqërisë civile që të çlirojnë kërkimin nga ideologjia. “Studimet mbi mifepristonën për parandalimin e kancerit të gjirit duhet të nisin tani, nëse duam të ulim rrezikun e kancerit më të përhapur tek gratë në mbarë botën”, përfundojnë autorët. (El Pais)
© SYRI.net