Shkenca sugjeron se natyra jonë është e prirur drejt altruizmit, por a duhet me të vërtetë të mendojmë gjithmonë për të tjerët?
Sa herë që udhëtoj me avion, më bie në sy një pjesë e rëndësishme e udhëzimeve të sigurisë: “Vendosni maskën tuaj të oksigjenit përpara se të ndihmoni të tjerët.” Në thelb, ky është një udhëzim zyrtar për të qenë “egoist” në një situatë emergjente dhe është këshillë e mençur. Nëse kabina humbet presionin, nuk mund të ndihmosh askënd nëse vetë humb ndjenjat nga mungesa e oksigjenit.
Por kjo logjikë, në një botë që gjithnjë e më shumë vlerëson narcisizmin dhe individualizmin, mund të interpretohet edhe si një filozofi jetese e rrezikshme ideja se gjithmonë duhet ta vëmë veten të parën dhe se egoizmi ka përparësi ndaj solidaritetit.
Sipas psikologut social Geert Hofstede, individualizmi përkufizohet si “shkalla në të cilën njerëzit ndihen të pavarur, në krahasim me të qenët pjesë e ndërlidhur e një komuniteti më të gjerë”. Në shumë pjesë të botës, sidomos në Perëndim, individualizmi jo vetëm që është i përhapur, por edhe i modës. A është kjo diçka e mirë?
Sipas Steve Taylor, pedagog i psikologjisë në Universitetin Leeds Beckett, psikologjia, ekonomia dhe biologjia – përfshirë teorinë e gjeneve egoiste dhe neodarvinizmin e kanë normalizuar idenë se njerëzit janë natyrshëm egoistë dhe konkurrues. Por hulumtimet e fundit japin një pamje më optimiste: nuk jemi gjithmonë të përqendruar vetëm te vetja.
Një nga konceptet më të përfolura është “efekti i spektatorit”, i cili u shfaq për herë të parë në vitet 1960, pas vrasjes brutale të Kitty Genovese në Nju Jork, e cila u raportua se u vra para syve të afro 40 dëshmitarëve që nuk ndërhynë. Por hulumtimet më të fundit kanë vënë në dyshim këtë narrativë: një studim i vitit 2007 nuk gjeti prova që dikush ka parë ngjarjen dhe ka zgjedhur të mos veprojë. Studiuesit e përshkruan këtë si një “përrallë moderne” që ka kufizuar kuptimin tonë mbi ndihmën në situata emergjente.
Në fakt, shumë studime tregojnë se njerëzit janë të gatshëm të rrezikojnë veten për të ndihmuar të tjerët. Një analizë e pamjeve të kamerave të sigurisë nga tre shtete Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Afrika e Jugut tregoi se në 90% të rasteve të sulmeve të dhunshme, të paktën një person ndërhyri për të ndihmuar. Madje, sa më i madh grupi, aq më e madhe mundësia e ndërhyrjes.
Disa mund të mendojnë se edhe këto akte ndihme janë të motivuara nga dëshira për vlerësim social apo përfitime personale. Por një studim i vitit 2014 mbi fituesit e Medaljes Heroike Carnegie, e cila u jepet atyre që rrezikojnë jetën për të shpëtuar të tjerët zbuloi se shumica e tyre e përshkruanin veprimin si të menjëhershëm dhe të pandikuar nga mendimi racional. Pra, altruizmi në këto raste ishte një reagim i natyrshëm, refleks.
“Njerëzit kanë aftësi të jenë të pamenduarisht bujarë,” thotë Taylor. Ai thekson se ndërsa mund të sillemi egoistë në një nivel sipërfaqësor të lidhur me egon apo identitetin shoqëror natyra jonë e thellë është shumë më e ndërlikuar.
Kur në vitin 2017 një sulm vetëvrasës ndodhi në koncertin e Ariana Grande në Manchester, ku humbën jetën 22 persona dhe u plagosën mbi një mijë, një raport i pavarur evidentoi “qindra, në mos mijëra akte guximi dhe vetësakrifice nga individë të zakonshëm”. E njëjta gjë është dokumentuar gjatë sulmeve të 11 Shtatorit dhe atyre në Paris në vitin 2015.
Sipas Taylor, altruizmi ka rrënjë evolutive. Gjatë historisë sonë, njerëzit kanë jetuar në grupe të vogla bashkëpunuese dhe mbijetesa e grupit vinte përpara interesit personal. Shumë komunitete indigjene që ende jetojnë sipas modeleve të hershme të jetesës janë shembuj të ndarjes së burimeve në mënyrë të barabartë.
Studimet tek fëmijët kanë treguar gjithashtu se altruizmi mund të jetë i lindur. Fëmijët 14 deri në 18 muajsh janë parë të ndihmojnë të rriturit për të arritur objekte apo për të përmbushur qëllime të përbashkëta edhe kur nuk ka shpërblim. Një përmbledhje studimesh e vitit 2013 arrinte në përfundimin se sjelljet prosociale të fëmijëve të vegjël janë të motivuara nga kujdesi i sinqertë për të tjerët
Altruizmi nuk është vetëm i mirë për të tjerët është i mirë edhe për ne. Vullnetarizmi është lidhur me shëndet më të mirë mendor, vetëbesim më të lartë dhe ndjenja më të pakta vetmie. Madje, një studim i vitit 2013 gjeti se personat që bënin rregullisht punë vullnetare kishin 40% më pak gjasa të zhvillonin hipertension. Ka madje të dhëna që sugjerojnë se altruizmi lidhet me jetëgjatësi më të madhe.
Edhe struktura e trurit tonë mund të ndikojë në prirjen për altruizëm. Abigail Marsh, neuroshkencëtare në Universitetin Georgetown, dhe ekipi i saj kanë zbuluar se personat që kanë dhuruar një veshkë për të huaj kanë amigdala më të madhe në anën e djathtë të trurit pjesa që lidhet me përpunimin e emocioneve. Këta persona gjithashtu treguan ndjeshmëri të lartë ndaj emocioneve të frikës dhe vuajtjes tek të tjerët kundërta e asaj që vërehet tek psikopatët.
Shkenca tregon se shumica prej nesh kemi aftësinë për të qenë të vetësakrifikuar shpesh në mënyra të jashtëzakonshme. Por kjo nuk do të thotë se duhet të jemi gjithmonë të tillë. Nëse vëmë veten apo të tjerët të parët, varet nga rrethanat, përvojat tona të mëparshme dhe kultura ku jetojmë.
© SYRI.net