Kreatina, suplementi i njohur që përdoret gjerësisht nga sportistët dhe kulturistët, mund të ndihmojë sistemin imunitar në luftën kundër kancerit, sipas një studimi të ri nga University of California, Los Angeles.
Studiuesit zbuluan se kreatina jo vetëm që furnizon me energji qelizat T, të cilat sulmojnë drejtpërdrejt tumoret, por edhe qelizat dendritike. Këto janë qeliza të specializuara që identifikojnë fragmente të tumorit dhe “trajnojmë” qelizat T për të njohur dhe sulmuar kancerin.
Shumica e imunoterapive aktuale synojnë qelizat T, por vetëm 20–40% e pacientëve përfitojnë prej tyre. Forcimi i qelizave dendritike mund të ndihmojë që më shumë pacientë t’u përgjigjen këtyre trajtimeve.
Sipas autores kryesore të studimit, Lili Yang, kreatina nuk mbështet vetëm qelizat që luftojnë kancerin, por të gjithë mekanizmin imunitar që i aktivizon dhe i drejton ato.
Në eksperimente me minj dhe qeliza njerëzore, studiuesit zbuluan se qelizat dendritike kanë nevojë për kreatinë për të mbijetuar dhe për të funksionuar normalisht. Kur aftësia e tyre për të marrë kreatinë u bllokua, ato u dobësuan dhe humbën një pjesë të aftësisë për të aktivizuar qelizat T.
Nga ana tjetër, shtimi i kreatinës përmirësoi ndjeshëm funksionin e tyre. Tek minjtë me melanomë, injeksionet e përditshme me kreatinë ngadalësuan rritjen e tumorit dhe rritën numrin e qelizave imunitare aktive brenda tij.
Analizat treguan se kreatina rrit nivelet e ATP-së, burimi kryesor i energjisë së qelizave. Kjo u mundëson qelizave dendritike të ruajnë energjinë edhe në mjedisin e varfër me lëndë ushqyese që krijojnë tumoret.
Studiuesit panë gjithashtu se kreatina përmirësoi funksionimin e qelizave dendritike njerëzore të përdorura në vaksinat eksperimentale kundër kancerit, duke sugjeruar se mund të rrisë efektivitetin e tyre.
Megjithatë, autorët theksojnë se studimi është kryer vetëm në laborator dhe te minjtë, jo te pacientët. Për këtë arsye, rezultatet nuk duhet të interpretohen si rekomandim mjekësor. Personat që trajtohen për kancer duhet të konsultohen me mjekun para se të marrin kreatinë ose suplemente të tjera.
Ekipi shpreson që në të ardhmen të zhvillojë prova klinike për të testuar nëse kreatina mund të përmirësojë rezultatet e imunoterapisë tek njerëzit. / Medical xpress – Syri.net
© SYRI.net