Shkencëtarët gjejnë faktorë të përbashkët tek njerëzit që kanë përvoja jashtëtrupore

Shkencëtarët gjejnë faktorë të përbashkët tek njerëzit që kanë përvoja jashtëtrupore

16:35, 24/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një studim i ri ka identifikuar faktorë të përbashkët tek personat që kanë përjetuar përvoja jashtëtrupore (OBE), një dukuri e çuditshme ku individët ndihen sikur po e përjetojnë botën nga një vend jashtë trupit të tyre. Sondazhet tregojnë se 10-20% e popullsisë e kanë përjetuar këtë ndjesi, që ndryshon nga një person tek tjetri.

OBE-të mund të ndodhin gjatë meditimit apo relaksimit, por edhe në raste stresi ekstrem apo trauma psikologjike. Ndjesia shpesh shoqërohet me emocione të forta, nga qetësia absolute te frika se “nuk do të mund të kthehem në trup”.

Një person përshkroi ndjesinë si të shikonte veten nga lart, i ndarë nga trupi i tij dhe duke u ndjerë si ajër apo një entitet tjetër. Studime të mëparshme kanë sugjeruar se OBE-të mund të shkaktohen nga çrregullime në veshin e brendshëm ose nga stimulimi i zonës së trurit të quajtur "angular gyrus", që koordinon informacionin vizual me ndjesinë e pozicionit trupor.

Në këtë studim të udhëhequr nga dr. Marina Weiler në Universitetin e Virxhinias, u analizuan 545 të rritur me pyetje mbi shëndetin mendor dhe historinë jetësore. Prej tyre, 80% kishin përjetuar 1–4 OBE, 20% më shumë se 5 herë. Shumica (74%) ishin spontane, ndërsa pjesa tjetër ndodhën pas përdorimit të substancave psikoaktive, meditimit ose hipnozës.

Studimi zbuloi se ata që kishin përjetuar OBE kishin më shumë prirje ndaj çrregullimeve mendore si depresioni dhe ankthi, dhe kishin shënuar më lart në shkallët e përjetimeve disociative. 40% e tyre kishin pikë të larta të disociimit krahasuar me vetëm 14% të atyre që nuk kishin përjetuar OBE. Gjithashtu, trauma gjatë fëmijërisë doli faktor i rëndësishëm në shfaqjen e këtyre përvojave.

Studiuesit sugjerojnë se OBE-të mund të jenë një mënyrë e trurit për të përballuar traumën, duke ofruar një “arratisje të përkohshme” nga realiteti, në vend që të jenë shenjë e sëmundjes mendore. Dr. Weiler thekson se specialistët e shëndetit mendor duhet të tregojnë më shumë mirëkuptim ndaj këtyre përvojave dhe të mos i stigmatizojnë.

Studiuesit bëjnë thirrje për kërkime më të thelluara mbi rrethanat që nxisin OBE-të, pasi mënyra e shfaqjes, spontane, përmes meditimit apo substancave psikoaktive, ndikon ndjeshëm në mënyrën se si perceptohet dhe përjetohet kjo dukuri. / IFL Science

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco