Shkencëtarë nga Universiteti i Tel Avivit dhe Instituti Izraelit për Kërkime Biologjike kanë zhvilluar një vaksinë të re me bazë mRNA që ofron mbrojtje të plotë ndaj murtajës pneumonike, forma më e rrezikshme e kësaj sëmundjeje. Ky është rasti i parë kur një vaksinë mRNA është përdorur me sukses kundër një bakteri.
Profesori Dan Peer deklaroi se vaksina është testuar në kafshë dhe ka rezultuar 100% efektive, ndërsa të pavaksinuarat vdiqën brenda një jave. Një dozë e vetme ofroi mbrojtje të plotë pas dy javësh. Studimi u botua në revistën Science Advances.
Bakteri yersinia pestis, shkaktar i murtajës, konsiderohet shumë i rrezikshëm dhe pa vaksinë të miratuar. Ai është i klasifikuar nga CDC-ja si një "agent potencial bioterrori", për shkak të rrezikshmërisë së tij edhe në doza të vogla. Sipas studiuesve, ky bakter vazhdon të paraqesë rrezik për popullatën, pasi shpërthime lokale janë regjistruar edhe vitet e fundit.
Ndryshe nga vaksinat ndaj viruseve, që nxisin prodhimin e proteinave virale, vaksinat ndaj baktereve kanë qenë më sfiduese. Për këtë vaksinë, studiuesit përdorën një metodë të re për të çliruar proteina bakteriale të qëndrueshme, duke i forcuar ato me fragmente të proteinave njerëzore për të parandaluar shpërbërjen e shpejtë në trup. Kjo solli një reagim të fortë imunitar.
Dr. Edo Kon theksoi se deri më tani mendohej se vaksinat mRNA kundër baktereve ishin të pamundura, por ky studim provoi të kundërtën. Sipas dr. Jacob Glanville-it, CEO i një kompanie bioteknologjie në San Francisko, ky zbulim tregon se teknologjia mRNA mund të aplikohet me shpejtësi edhe ndaj kërcënimeve të reja.
Megjithatë, efektiviteti i vaksinës është treguar vetëm në minj. Ajo bazohet në platformën e vaksinës mRNA me nanopjesëza lipidike, që kërkon zinxhir të ftohtë furnizimi. Studiuesit po punojnë për ta bërë të qëndrueshme edhe në temperaturën e dhomës.
Në të ardhmen, kjo teknologji mund të ndihmojë në zhvillimin e vaksinave kundër baktereve rezistente ndaj antibiotikëve, një kërcënim në rritje për shëndetin global. Peer theksoi se kjo qasje e re mund të përshpejtojë reagimin ndaj një pandemie bakteriale të mundshme. / Fox News - Syri.net
© SYRI.net