Vaksinimet emergjente gjatë shpërthimeve të sëmundjeve si kolera, ebola dhe fruthi kanë reduktuar vdekjet nga këto sëmundje me gati 60% gjatë çerekshekullit të fundit, sipas një studimi të ri.
Besimi është se një numër i ngjashëm infeksionesh janë parandaluar, ndërkohë që janë gjeneruar miliarda euro përfitime ekonomike të vlerësuara.
Aleanca e vaksinave Gavi, që mbështeti studimin, tha se bashkëpunoi me studiues të Institutit Burnet në Australi për të ofruar vështrimin e parë në botë mbi ndikimin historik të vaksinimeve emergjente në shëndetin publik dhe sigurinë globale shëndetësore.
“Për herë të parë, jemi në gjendje të masim në mënyrë të plotë përfitimin, në terma njerëzorë dhe ekonomikë, të përdorimit të vaksinave kundër shpërthimeve të disa prej sëmundjeve ngjitëse më vdekjeprurëse,” tha në një deklaratë drejtoresha e Gavit, Sania Nishtar.
“Ky studim tregon qartë fuqinë e vaksinave si një masë e efektshme dhe me kosto të ulët kundër rrezikut në rritje që paraqesin shpërthimet.”
Studimi, i publikuar këtë javë në revistën British Medical Journal (BMJ) Global Health, analizoi 210 shpërthime të pesë sëmundjeve infektive, kolera, ebola, fruthi, meningjiti dhe ethet e verdha, në 49 vende me të ardhura të ulëta midis viteve 2000 dhe 2023.
Përdorimi i vaksinave në këto vende pati një ndikim të jashtëzakonshëm, ku studimi tregoi se ato ulën si numrin e infeksioneve ashtu edhe vdekjet me afro 60% në të pesë sëmundjet.
Për disa prej këtyre sëmundjeve, efekti ishte edhe më dramatik.
Vaksinimi uli vdekshmërinë gjatë shpërthimeve të etheve të verdha me 99% dhe të Ebolës me 76%.
Njëkohësisht, vaksinimi emergjent uli ndjeshëm edhe rrezikun që shpërthimet të përhapeshin më tej.
Studimi vlerëson gjithashtu se përpjekjet për vaksinim gjatë këtyre 210 shpërthimeve gjeneruan afro 32 miliardë dollarë përfitime ekonomike vetëm nga parandalimi i vdekjeve dhe i viteve të humbura nga aftësia e kufizuar.
Megjithatë, sipas studimit, kjo shifër ka të ngjarë të jetë një nënvlerësim i ndjeshëm i përfitimeve reale, pasi nuk përfshin kostot e reagimit ndaj shpërthimeve dhe ndikimet sociale e makroekonomike të ndërprerjeve që sjellin shpërthimet e mëdha.
Shpërthimi masiv i Ebolës që goditi Afrikën Perëndimore në vitin 2014, përpara se të ekzistonin vaksina të miratuara, solli raste në mbarë botën dhe besohet se i kushtoi vetëm vendeve të Afrikës Perëndimore më shumë se 53 miliardë dollarë.
Ky studim vjen pas paralajmërimit të dhënë në prill nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila theksoi se shpërthimet e sëmundjeve të parandalueshme me vaksina, si fruthi, meningjiti dhe ethet e verdha, janë në rritje në mbarë botën për shkak të keqinformimit dhe shkurtimeve në ndihmën ndërkombëtare.
Gavi, që ndihmon në vaksinimin e më shumë se gjysmës së fëmijëve të botës kundër sëmundjeve infektive, po përpiqet aktualisht të sigurojë një raund të ri financimi përballë këtyre shkurtimeve, sidomos pasi muajin e kaluar Shtetet e Bashkuara njoftuan se nuk do ta mbështesin më këtë organizatë. / Medicalxpress - Syri.net
© SYRI.net