Një natë pa gjumë ndryshon lidhjet mes qelizave të trurit

Një natë pa gjumë ndryshon lidhjet mes qelizave të trurit

11:21, 29/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një natë pa gjumë të lë të lodhur, me mendime të turbullta dhe përqendrim të dobët. Por një studim i ri sugjeron se, në vend që lidhjet mes qelizave të trurit të dobësohen, ato në fakt forcohen gjatë periudhave të gjata pa gjumë.

Studiues nga Qendra Kërkimore Jülich në Gjermani, të udhëhequr nga neuroshkencëtari David Elmenhorst, përdorën një teknikë të avancuar skanimi për të matur një proteinë që lidhet me komunikimin mes neuroneve. Prania më e madhe e kësaj proteine tregon një rritje të lidhjeve sinaptike.

Në studim morën pjesë 40 të rritur të shëndetshëm. Gjysma fjetën normalisht, ndërsa pjesa tjetër qëndroi zgjuar për rreth 28 orë. Të gjithë iu nënshtruan skanimeve në të njëjtën orë të ditës për të shmangur ndikimin e ritmit biologjik.

Rezultatet treguan se personat që nuk kishin fjetur shfaqën rritje të shënjuesve të lidhjeve sinaptike në gjashtë nga tetë rajonet e trurit të analizuara. Rritja ishte më e dukshme në hipokampus, i cili luan rol kyç në kujtesë, si edhe në talamus dhe korteksinparietal.

Pas skanimit, pjesëmarrësit fjetën për pak kohë. Ata që kishin shfaqur rritjen më të madhe të lidhjeve sinaptike përjetuan edhe gjumin më të thellë, duke mbështetur teorinë se nevoja për gjumë rritet sa më gjatë të qëndrojmë zgjuar.

Edhe pse ndryshimet ishin të vogla, nga 2 deri në 6 për qind, ato përputhen me rezultatet e studimeve te kafshët. Megjithatë, studiuesit theksojnë se skanimi mat një proteinë të lidhur me sinapset dhe jo vetë sinapset.

Ky është studimi i parë që demonstron drejtpërdrejt te njerëzit se një natë pa gjumë ndryshon lidhjet mes qelizave të trurit. Zbulimi mund të ndihmojë në kuptimin e çrregullimeve si depresioni, pasi trajtime të shpejta si ketamina dhe stimulimi i trurit ndikojnë në të njëjtat lidhje nervore. / Earth – Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco