Abuzimi me të moshuarit përbën një çështje të rëndësishme sociale në nivel global, e cila ndikon drejtpërdrejt në shëndetin, dinjitetin dhe të drejtat e personave të moshuar. Për këtë arsye, ajo kërkon vëmendjen dhe angazhimin e vazhdueshëm të shoqërisë.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me rezolutën 66/127, ka përcaktuar 15 qershorin si Ditën Botërore të Parandalimit të Abuzimit ndaj të Moshuarve.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rastet e abuzimit ndaj të moshuarve pritet të rriten në vitet e ardhshme, si pasojë e plakjes së shpejtë të popullsisë në shumë vende të botës.
Parashikohet që deri në vitin 2050, numri i personave mbi moshën 60 vjeç do të dyfishohet, duke kaluar nga rreth 900 milionë në vitin 2015 në afro 2 miliardë. Shumica e të moshuarve do të jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Nëse përqindja e rasteve të abuzimit mbetet e pandryshuar, numri i viktimave mund të arrijë deri në 320 milionë në vitin 2050.
Format e abuzimit ndaj të moshuarve përfshijnë abuzimin fizik, emocional, psikologjik, seksual dhe financiar.
Ekspertët theksojnë se kontaktet e rregullta me të moshuarit janë thelbësore për vlerësimin e gjendjes së tyre shëndetësore, kushteve të jetesës dhe mirëqenies emocionale. Në këtë kuadër, rekomandohen vizita të shpeshta familjare, ndërsa në pamundësi të tyre, edhe telefonatat e rregullta mund të kenë rol të rëndësishëm në mbështetjen e tyre.
© SYRI.net