Kur ushqimi kthehet në makth

Kur ushqimi kthehet në makth

18:12, 13/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Për Bella Davis, të bëhej nënë në moshë shumë të re ishte një sfidë më vete. Si adoleshente, ajo u përball me paragjykime dhe presion, por vështirësia më e madhe nuk ishte mënyra si e shihnin të tjerët.

 Problemi i saj ishte një gjendje e pazakontë shëndetësore që ia kishte ndryshuar plotësisht shqisën e nuhatjes dhe shijes.

Bella, nga Utah, u diagnostikua në vitin 2022 me parosmi, një çrregullim që bën që aromat dhe shijet të perceptohen ndryshe nga normalja. Për të, pothuajse çdo ushqim kishte erë dhe shije të rëndë, aq sa ajo e përshkruante si diçka që i ngjante “trupave të kalbur”.

Sot 21 vjeçe, ajo tregon se kjo gjendje e detyroi të refuzonte shumicën e ushqimeve. Parosmia jo vetëm që i krijonte aroma të padurueshme, por edhe i shtrembëronte ato në mënyra të çuditshme. Sipas saj, era e cigareve i dukej si gjalpë kikiriku i prishur, ndërsa ushqimet me qepë, hudhër apo mish ishin krejtësisht të papërballueshme.

“Pa e ekzagjeruar, gjithçka kishte erë dhe shije si diçka e kalbur. Disa aroma ndryshonin me kalimin e viteve, por asgjë nuk ishte më normale. Ushqimi ishte bërë detyrim, jo kënaqësi”, ka rrëfyer ajo.

Gjendja e saj zgjati për vite me radhë dhe u rikthye gjatë dy shtatzënive të tjera. Gjatë shtatzënisë së tretë, Bella thotë se detyrohej të mbyllte hundën dhe të gëlltiste deri në 12 vezë të ziera në ditë, vetëm për të marrë ushqimin e nevojshëm.

Simptomat i ishin shfaqur pak pasi kishte mbetur shtatzënë me fëmijën e parë. Në muajt e parë, ajo nuk arrinte as të pinte ujë dhe, sipas rrëfimit të saj, kaloi tre muaj pa ngrënë asnjë kafshatë, duke marrë ushqim përmes serumit.

Pas lindjes së parë, shqisa e nuhatjes dhe shijes iu përmirësua përkohësisht. Por kur mbeti shtatzënë për herë të dytë, simptomat u kthyen. E njëjta gjë ndodhi edhe gjatë shtatzënisë së tretë.

“U ndjeva e dëshpëruar. Ishte e turpshme dhe ma prishi cilësinë e jetës. Mendoja se një ditë do të kalonte, por nuk po ndodhte. Fillova të besoja se kjo do të ishte jeta ime përgjithmonë”, ka thënë Bella.

Parosmia nuk ndikoi vetëm te ushqimi. Ajo nuk mund të qëndronte pranë qirinjve aromatikë, sapunëve, deodorantëve, parfumeve apo çdo produkti me aromë të fortë. Për shkak të vështirësive me ushqimin, ajo zhvilloi hipoglicemi, pra nivel të ulët të sheqerit në gjak, si dhe anemi, që lidhet me nivel të ulët të qelizave të kuqe të gjakut.

Gjendja filloi të ndikonte edhe në rolin e saj si nënë. Bella tregoi se shpesh duhej të largohej nga dhoma dhe të mbyllej në dhomën e gjumit, me ajrosjen e bllokuar, sa herë që familja përgatiste ushqime që ajo nuk i përballonte dot.

“Ndihesha si barrë. Nuk mund të bëja mjaftueshëm për fëmijët e mi kur bëhej fjalë për ushqimin dhe më dhimbte që ata më shihnin vazhdimisht të sëmurë”, ka rrëfyer ajo.

Parosmia ndodh kur receptorët e nuhatjes në hundë nuk i dallojnë aromat siç duhet, ose i interpretojnë gabimisht. Shkaqet mund të përfshijnë infeksione bakteriale apo virale, trauma në kokë, disa gjendje neurologjike, si dhe Covid-in.

Në shumicën e rasteve, personat që preken nga parosmia e rikthejnë gradualisht shqisën e nuhatjes në normalitet, por te një pjesë e vogël ndryshimi mund të zgjasë shumë ose të mbetet i përhershëm.

Trajtimet mund të përfshijnë shmangien e faktorëve që e përkeqësojnë gjendjen, përdorimin e medikamenteve për lehtësimin e simptomave, ndërhyrje kirurgjikale në raste të caktuara ose terapi të njohur si “trajnimi i nuhatjes”. Kjo terapi përfshin nuhatjen e disa aromave për disa sekonda, dy herë në ditë, për disa muaj, me qëllim stimulimin dhe rikuperimin e receptorëve të nuhatjes.

Bella provoi edhe një trajtim që përfshinte injektimin e anestezikut në nerva pranë pjesës së poshtme të qafës, me synimin për të “rivendosur” sistemin nervor simpatik. Procedura kushtoi rreth 2 mijë dollarë, por nuk dha rezultat.

Pas shumë përpjekjesh, ajo thotë se iu drejtua besimit dhe lutjes. Sipas saj, rreth gjashtë muaj më parë, gjendja u zhduk pothuajse brenda natës.

“Nuk mund ta shpjegoj ndryshe shërimin tim përveçse si ndërhyrje e Zotit. Kur e pranova realitetin dhe u pajtova me të, diçka ndryshoi menjëherë”, ka thënë ajo.

Tani, Bella thotë se mund të hajë gjithçka pa problem, përfshirë hamburgerë dhe ushqime të shpejta.

“Kur kafshova një hamburger, ndjeva një emocion të jashtëzakonshëm. Kishte shije normale. E hëngra të gjithin dhe mora edhe një tjetër. Ishte ndjesi e papërshkrueshme. Ende nuk mund ta besoj që mund të ha normalisht përsëri”, ka përfunduar ajo. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco