Shkencëtarët po vijojnë kërkimet për shkaqet dhe trajtimet e mundshme të sëmundjeve autoimune, të cilat prekin miliona njerëz në mbarë botën. Sistemi imunitar, i krijuar për të luftuar infeksionet dhe për të mbrojtur trupin, në disa raste kthehet kundër vetes duke sulmuar qelizat dhe indet tona.
Çfarë janë sëmundjet autoimune?
Sëmundjet autoimune janë sëmundje kronike që mund të variojnë nga të lehta deri te kërcënuese për jetën. Mbi 100 lloje të ndryshme prekin pjesë të ndryshme të trupit. Artriti reumatoid dhe artriti psoriatik prekin kyçet, sëmundja Sjögren shkakton tharje të syve dhe gojës, myoziti dhe miyastenia gravis dobësojnë muskujt, ndërsa lupus shkakton simptoma të larmishme, që variojnë nga skuqja karakteristike në fytyrë deri te dëmtimi i veshkave, mushkërive dhe zemrës.
Sëmundjet autoimune shpesh shfaqin “flare” të papritur, edhe kur pacienti ka qenë në gjendje të mirë për një kohë të gjatë.
Pse diagnostikimi është i vështirë
Shumica fillojnë me simptoma të paqarta, të cilat shfaqen dhe zhduken ose ngjajnë me sëmundje të tjera. Disa sëmundje, si artriti reumatoid dhe Sjögren, përveç kyçeve mund të dëmtojnë edhe organet kryesore. Diagnostikimi kërkon disa analiza, përfshirë testet e gjakut për antitrupat autoimunë, si dhe përjashtimin e shkaqeve të tjera. Në shumë raste duhen vite dhe disa vizita te mjekë të ndryshëm derisa të vendoset diagnoza e duhur.
Si “çrregullohet” sistemi imunitar
Sistemi imunitar funksionon si një ushtri e organizuar, e aftë të dallojë qelizat e trupit nga rreziqet e jashtme. Kur ky mekanizëm dallues dështon, qelizat imune nisin të sulmojnë trupin. Nëse trupi nuk arrin ta korrigjojë këtë “gabim”, sëmundja autoimune zhvillohet gradualisht.
Shkaku shpesh është një kombinim gjenesh dhe shkaktarësh mjedisorë
Shumica e sëmundjeve autoimune nuk nisin nga një mutacion i vetëm, por nga predispozita gjenetike e ndërthurur me një shkaktar të jashtëm, si infeksionet, ndotja apo duhani. Studiuesit po analizojnë molekulat që nxisin reagimin autoimun. Një shembull janë neutrofilet, qelizat e para që reagojnë ndaj infeksioneve, të cilat kur bëhen tepër aktive mund të nisin procese inflamatore që çojnë te lupus ose artriti reumatoid.
Një virus i lidhur me lupus
Virusi Epstein-Barr, që infekton pothuajse të gjithë njerëzit deri në moshën e rritur, ka rezultuar një faktor kyç që mund të nxisë sklerozën multiple. Kërkimet e reja e lidhin atë edhe me lupus. Studiues të Universitetit Stanford kanë zbuluar se virusi mund të “fshihet” në disa qeliza B dhe herë pas here t’i shtyjë ato në një gjendje inflamatore që mund të nisë zinxhirin autoimun. Megjithatë, shumica e njerëzve të infektuar nuk zhvillojnë lupus, çka tregon se duhen edhe faktorë të tjerë.
Gratë, më të rrezikuarat
Rreth 80% e pacientëve me sëmundje autoimune janë gra, shpesh të reja. Hormonet, si dhe fakti që gratë kanë dy kromozome X, konsiderohen faktorë që rrisin rrezikun. Disa studime sugjerojnë se mënyra si trupat femërorë “çaktivizojnë” kromozomin shtesë X mund të ndikojë në këtë prirje. Por edhe burrat preken, sidomos nga disa sëmundje të rralla si sindroma VEXAS, e zbuluar në vitin 2020, që prek kryesisht meshkuj mbi 50 vjeç.
Rreziku është më i lartë edhe për disa grupe etnike: lupus është më i përhapur te gratë me origjinë afrikane dhe hispanike, ndërsa skleroza multiple është më e zakonshme te popullsitë e Europës Veriore.
Trajtimi mbetet sfidë
Tregu global i trajtimeve për sëmundjet autoimune vlerësohet në 100 miliardë dollarë në vit dhe trajtimi zakonisht është i përjetshëm. Dikur, mjekët kishin pak opsione përveç steroideve dhe ilaçeve që dobësonin imunitetin, të cilat rrisnin rrezikun e infeksioneve dhe kancerit.
Sot ekzistojnë trajtime më të synuara, por shpesh mjekimi është proces “prove dhe gabimi”. Shpresa e re janë terapitë që synojnë të riedukojnë sistemin imunitar. Një ndër më premtueset është terapia CAR-T, e përdorur fillimisht në trajtimin e kancerit, e cila fshin qelizat B – si ato të shëndetshme edhe ato problematike – me qëllimin që qelizat e reja të rigjeneruara të jenë më të rregulluara.
Një tjetër qasje është zbulimi dhe trajtimi i hershëm i sëmundjeve autoimune, përpara se të shfaqen simptomat. Ky model është inkurajuar nga një ilaç i ri që vonon shfaqjen e diabetit të tipit 1.
Sipas ekspertëve, kjo periudhë është një nga më premtueset përgjatë dekadave për fushën e autoimunitetit.
© SYRI.net