“Superfuqitë” e kafshëve që bien në letargji dimërore ndodhen edhe në ADN-në e njeriut, sipas dy studimeve të reja që hedhin dritë mbi këtë potencial dhe hapin rrugën për trajtime të reja për diabetin dhe Alzheimerin.
Kafshët që dimërojnë, si ketrat apo arinjtë, tregojnë një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme: kalojnë muaj të tërë pa ushqim e ujë dhe i përballojnë temperaturat afër ngrirjes falë ngadalësimit të metabolizmit. Ato shmangin dëmtimin e muskujve dhe nervave dhe qëndrojnë të shëndetshme, edhe pse pesha e tyre luhatet në mënyrë ekstreme.
Kur zgjohen nga letargjia dimërore, këto kafshë shfaqin një aftësi të habitshme për të rimarrë veten nga simptoma të rënda që ngjasojnë me ato të shkaktuara nga diabeti, Alzheimeri dhe goditjet në tru te njerëzit. “Nëse do të mund të rregullonim gjenet tona më shumë si kafshët që hibernojnë, ndoshta do të mund të përballonim diabetin e tipit 2 ashtu siç një kafshë rikthehet në një gjendje normale metabolike pas dimrit,” thotë Elliott Ferris, një nga autorët e studimeve.
Studimi përqendrohet në një grup gjenesh të quajtur “pozicion i masës dhjamore dhe obezitetit” (i njohur si FTO), që luan rol kyç tek kafshët që hibernojnë.
Rajonet e ADN-së pranë këtij vendi rregullojnë aktivitetin e gjeneve përreth, duke i aktivizuar ose çaktivizuar sipas nevojës. Këto gjene ndihmojnë kafshët të shtojnë peshë para dimrit dhe t’i përdorin rezervat e dhjamit gjatë periudhës së gjumit dimëror, shpjegojnë studiuesit.
“Ajo që është befasuese rreth kësaj zone është se përbën faktorin më të fortë gjenetik të lidhur me obezitetin tek njerëzit,” thotë Chris Gregg, bashkautor i njërit prej studimeve dhe studiues në Universitetin e Shëndetësisë së Utahut.
Kur studiuesit ndryshuan rajonet specifike të kafshëve që hibernojnë në gjenomin e minjve, vunë re ndryshime në metabolizëm dhe peshë trupore.
Disa mutacione përshpejtuan shtimin në peshë, ndërsa të tjera e ngadalësuan, varësisht nga dieta. Po ashtu, mutacionet ndikonin edhe në aftësinë e minjve për të rikthyer temperaturën e trupit pas një gjendjeje të ngjashme me hibernimin.
“Kur heq një nga këto elemente, një pjesë e vogël, në dukje e parëndësishme e ADN-së, ndryshon aktiviteti i qindra gjeneve,” thotë Susan Steinwand, një tjetër autore e studimeve.
Studimet e mëparshme tregojnë se kafshët që hibernojnë mund të ndalojnë neurodegjenerimin, shmangin dëmtimin e muskujve, mbeten të shëndetshme pavarësisht rënieve apo shtimeve të mëdha në peshë dhe shfaqin jetëgjatësi të përmirësuar.
Studimet e reja sugjerojnë se njerëzit tashmë kanë të koduar në gjenom potencialin për këto “superfuqi” të hibernimit, mjafton të dimë si të aktivizojmë “çelësat” e duhur metabolikë.
“Kjo punë na jep një kornizë gjenetike për të kuptuar dhe shfrytëzuar përshtatjet e kafshëve që hibernojnë për të kuptuar më mirë kontrollin metabolik tek njerëzit,” thonë studiuesit.
“Njerëzit e kanë tashmë këtë kornizë gjenetike,” thekson dr. Steinwand. “Ne thjesht duhet të identifikojmë ndërprerësit e saktë që aktivizojnë këto tipare të hibernuesve.”
Shkencëtarët thonë se kërkimet e mëtejshme mbi këto gjene dhe rajonet përreth tyre mund të ndihmojnë njerëzit të fitojnë të njëjtën qëndrueshmëri fizike si kafshët që hibernojnë.
“Ekziston një mundësi e vërtetë, nëse kuptojmë mekanizmat gjenetikë të lidhur me hibernimin, të gjejmë mënyra për të ndihmuar në trajtimin e sëmundjeve që lidhen me plakjen,” thotë dr. Gregg-u.
“Nëse ky potencial është i fshehur në gjenet tona, atëherë mund të mësojmë nga kafshët që hibernojnë për të përmirësuar shëndetin tonë.” / Independent - Syri.net
© SYRI.net