Studimi: Nëse nuk flini mirë për 2 net, mund të ndiheni disa vite më të mëdhenj në moshë

Studimi: Nëse nuk flini mirë për 2 net, mund të ndiheni disa vite më të mëdhenj në moshë

11:48, 27/03/2024
A+ Aa A-

Mjafton që të mos flini mirë për 2 net që të ndiheni disa vite më të mëdhenj në moshë, sipas studiuesve suedezë, të cilët theksojnë se gjumi i mirë dhe i qetë është një faktor kyç për të zvogëluar procesin e moshimit dhe në energji.
 
Psikologët në Suedi zbuluan se mesatarisht, vullnetarët që morën pjesë në studim, ndiheshin të paktën 4 vite më të mëdhenj në moshë, pasi për 2 net fjetën vetëm 4 orë gjumë. Disa prej tyre u shprehën se pagjumësia i bëri të ndiheshin dekada më të mëdhenj.
 
E kundërta ndodhi me njerëzit që u lejuan të flinin për 9 orë në një krevat të rehatshëm. Ata u shprehën se ndiheshin 3 muaj më të rinj se sa mosha e tyre reale.

“Gjumi ka një ndikim të madh për mënyrën se si ndiheni në lidhje me moshën”, tha Dr. Leonie Balter, psikologe në Institutin Karolinska në Stokholm, duke theksuar se: “Edhe kur flini më pak vetëm për 2 net, përjetoni një ndryshim të madh në mënyrën se si ndiheni”.

Përtej thjesht ndjesisë së pafuqisë dhe mungesës së energjisë, perceptimi i të qenit vite më i vjetër seç je realisht, mund të ndikojë në shëndetin e njerëzve, duke i inkurajuar ata të hanë në mënyrë të pashëndetshme, duke zvogëluar ushtrimet fizike, si dhe duke i bërë njerëzit më pak të gatshëm për socializim dhe përfshirje në eksperienca të reja.
 
Studiuesit kryen 2 studime:
 
Në të parin, 429 persona të moshave 18-70 vjeç iu përgjigjën pyetjeve se sa vjeç ndiheshin dhe se për sa net kishin fjetur keq gjatë këtyre muajve. Përgjumja e tyre u vlerësua sipas një shkalle standarde të përdorur në kërkimin psikologjik.
 
Për çdo dite me gjumë të trazuar, vullnetarët ndiheshin mesatarisht 3 muaj më të vjetër, zbuluan shkencëtarët, ndërsa ata që nuk raporuan asnjë natë me gjumë të trazuar, ndiheshin gati 6 vjet më të rinj se mosha e tyre e vërtetë. Megjithatë, ishte e paqartë nëse gjumi i trazuar i bënte njerëzit të ndiheshin më të moshuar, apo anasjelltas.
 
Në studimin e dytë, studiuesit morën në pyetje 186 vullnetarë, të moshave 18-46 vjeç dhe i pyetën se sa vjeç ndiheshin pas 2 netëve gjumë të plotë dhe të qetë, ku qëndronin në shtrat për 9 orë. Më pas, ata kaluan testin e një gjumi të trazuar për 2 net. Pas 2 netëve të tilla, pjesëmarrësit u ndjenë mesatarisht 4.44 vjet më të vjetër se sa në netët kur bënin gjumë të mjaftueshëm. Çuditërisht, nuk ka rëndësi sa vjeç je, por sa ndihesh kur bën gjumë të mirë/të trazuar.

“Nëse doni të ndiheni më të rinj, gjëja më e rëndësishme që duhet të bëni, është të mbroni gjumin tuaj”, tha Balter. “Nëse ne mund t'i bëjmë njerëzit të ndihen më të rinj, ata mund të jenë në gjendje të kenë përfitimet të tjera, të tilla si të qenit më të gatshëm për të marrë përvoja të reja dhe të jenë aktivë shoqërorë dhe fizikisht aktivë”, shtoi Balter.

Dr. Serena Sabatini, psikologe në universitetin e Surray, e cila nuk ishte e përfshirë në studim, u shpreh se rezultatet janë premtuese, por hulumtimi duhet të përqendrohet më shumë te njerëzit e moshuar, të cilët mund të jenë prioritet në studimet e ardhshme.
 
“Ky studim na tregon se një natë e keqe gjumi mund të ndikojë në mënyrën se si ndihemi të nesërmen, por cilat janë efektet kumulative të gjumit të keq për muaj dhe vite?”, pyeti ajo.
 
Dr Iuliana Hartescu, pedagoge në degën e psikologjisë në Universitetin Loughborough, e cila gjithashtu nuk ishte e përfshirë në studim, tha se cilësia e pamjaftueshme ose e dobët e gjumit ishte e rëndësishme për sjelljet e stilit të jetesës që në fund të fundit ndikojnë në shëndetin afatgjatë.

“Gjumi është një sjellje e modifikueshme që ka një efekt të menjëhershëm dhe të dukshëm në shëndet”, tha ajo. “Efektet e dietës së dobët dhe aktivitetit të ulët fizik kërkojnë pak kohë për t'u vënë re. Efekti i një nate të dobët gjumi është i menjëhershëm dhe ndikon në të gjitha sjelljet e tjera të jetesës 24-orëshe.”

Pra, kur personat e famshëm thonë se nuk e sakrifikojnë gjumin për asgjë, besojini, pasi e dinë diçka.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco