Inteligjenca Artificiale zbulon antibiotikun që vret superbakteret

Inteligjenca Artificiale zbulon antibiotikun që vret superbakteret

19:58, 25/05/2023
A+ Aa A-

Nga James Gallagher, BBC

Shkencëtarët kanë përdoror Inteligjencën Artificiale (IA) për të zbuluar një antibiotik të ri që mund të vrasë një specie të re vdekjeprurëse të superbaktereve.

Inteligjenca Artificiale ndihmoi në ngushtimin e mijëra kimikateve të mundshme në disa prej tyre që mund të testoheshin në laborator.

Rezultati ishte një antibiotik i fuqishëm, eksperimental, i quajtur abaucin, i cili do të ketë nevojë për testime të mëtejshme përpara se të përdoret.

Studiuesit në Kanada dhe SHBA thonë se IA ka fuqinë për të përshpejtuar masivisht zbulimin e ilaçeve të reja.

Ky është shembulli më i fundit se si mjetet e Inteligjencës Artificiale mund të jenë një forcë revolucionare në shkencë dhe mjekësi.

Ndalimi i superbaktereve

Antibiotikët vrasin bakteret. Megjithatë, ka pasur mungesë të ilaçeve të reja për dekada dhe bakteret po bëhen më të vështira për t’u trajtuar, pasi ato zhvillojnë rezistencë ndaj ilaçeve që kemi aktualisht.

Më shumë se 1 milion njerëz në vit vlerësohet se vdesin nga infeksionet që i rezistojnë trajtimit me antibiotikë.

Studiuesit u fokusuan në një nga speciet më problematike të baktereve- acinetobacter baumanii, i cili mund të infektojë plagët dhe të shkaktojë pneumoni.

Ndoshta nuk keni dëgjuar për të, por është një nga tre superbakteret që Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka identifikuar si një kërcënim kritik.

Shpesh është në gjendje që të sfidojë antibiotikët e shumtë dhe është një problem në spitale dhe në azile, ku mund të mbijetojë në sipërfaqe dhe pajisje mjekësore.

Dr. Jonathan Stokes nga Universiteti McMaster e përshkruan këtë bakter si ‘armiku publik numër një’ pasi është ‘me të vërtetë i zakonshëm’ dhe ka raste kur është ‘rezistent ndaj pothuajse çdo antibiotiku’.

Inteligjenca Artificiale

Për të gjetur një antibiotik të ri, studiuesit fillimisht duhej të trajnonin Inteligjencën Artificiale. Ata morën mijëra ilaçe ku dihej struktura e saktë kimike dhe i testuan manualisht mbi ‘acinetobacter baumanii’ për të parë se cili mund ta ngadalësonte ose ta vriste atë.

Ky informacion u fut në Inteligjencën Artificiale në mënyrë që të mund të mësonte veçoritë kimike të ilaçeve që mund të sulmonin bakterin problematik.

Inteligjenca Artificiale më pas u lëshua në një listë prej 6680 përbërësish, efektiviteti i të cilëve ishte i panjohur. Rezultatet- të publikuara në ‘Nature Chemical Biology’- zbuluan se Inteligjencës Artificiale iu desh një orë e gjysmë për të krijuar një listë të ngushtë.

Studiuesit testuan 240 në laborator dhe gjetën 9 antibiotikë të mundshëm. Një prej tyre është antibiotiku tepër i fuqishëm abaucin.

Eksperimentet laboratorike treguan se mund të trajtonte plagët e infektuara te minjtë dhe ishte në gjendje të vriste mostrat e ‘acinetobacter baumanii’ nga pacientët.

Megjithatë, doktor Stokes më tha: “Ky është fillimi i punës”.

Hapi tjetër është përsosja e ilaçit në laborator dhe më pas kryerja e provave klinike. Ai pret që antibiotikët e parë të Inteligjencës Artificiale të jenë gati për në farmaci deri në vitin 2030.

Çuditërisht ky antibiotik eksperimental nuk kishte asnjë efekt mbi speciet e tjera të baktereve dhe vepron vetëm ndaj ‘acinetobacter baumanii’.

Shumë antibiotikë i vrasin bakteret pa dallim. Studiuesit besojnë se saktësia e abaucin do ta bëjë më të vështirë shfaqjen e rezistencës ndaj ilaçeve dhe mund të çojë në më pak efekte anësore.

Në parim, Inteligjenca Artificiale mund të ekzaminojë dhjetëra milionë përbërës të mundshëm- diçka që do të ishte jopraktike të bëhej manualisht.

“Inteligjenca Artificiale rrit normën dhe në një botë të përsosur ul koston, me të cilën ne duhet të zbulojmë këta antibiotikë të rinj që na duhen dëshpërimisht,” më tha dr. Stokes.

Studiuesit testuan parimet e Inteligjencës Artificiale për zbulimin e antibiotikëve kundër E.coli në vitin 2020, por tani po i përdorin këto njohuri për t’u përqendruar në të këqijat më të mëdha.

“Ky zbulim mbështet më tej premisën se Inteligjenca Artificiale mund të përshpejtojë dhe të zgjerojë ndjeshëm kërkimin tonë për antibiotikë të rinj,”, tha profesor James Collins nga Instituti i Teknologjisë në Massachusetts.

Ai shtoi: “Jam i emocionuar që kjo punë tregon se ne mund të përdorim Inteligjencën Artificiale për të ndihmuar në luftimin e patogjenëve problematikë si acinetobacter baumanii”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco