Asthma bronkiale tek fëmijët- Nga Prof. Dr. Luljeta Serbo

Asthma bronkiale tek fëmijët- Nga Prof. Dr. Luljeta Serbo

11:57, 26/02/2021
A+ Aa A-

Nga Prof. Dr. Luljeta Serbo Kote, Shef  Shërbimi i Pneumo- alergologjisë pediatrike

Në përkufizimin e OBSH Asthma përcaktohet si një sëmundje inflamatore  kronike e bronkeve, që karakterizohet me një obstruksion difuz bronkial. 

Më thjesht mund të themi që është një sëmundje kronike, që kërkon ndjekje dhe trajtim në vazhdimësi e që shfaqet me fishkëllima nga ngushtimi bronkial.

Asthma është sëmundja më e shpeshtë kronike e rrugëve të frymëmarrjes te fëmijët. Statistikat botërore tregojn se nga asthma  vuajnë rreth 14% e popullatës botërore nën 18 vjeç, apo 6-16% e fëmijëve europianë të moshës shkollore.

Përse është kjo tendencë në rritje e frekuencës së asthmës?

Zhvillimi i shoqërisë njerëzore është shoqëruar më shumë ndryshime në mënyrën e jetesës së familjes, si edhe në mjedisin e jashtëm.

Ndër më kryesorët përmendim urbanizimin e jetës, ku  përfshihen:

– modifikimi i ambjentit shtëpiak, si përdorimi i tapetëve, perdeve të rënda, mbajtja e kafshëve në shtëpi, mos ajrosja e ambjenteve, përdorimi i kondicionimit.

– reduktimi i aktiviteteve fizike dhe shëtitjeve, lëvizjet kryesisht me makina.

– reduktimi i lojrave në natyrë dhe fokusimi kryesisht në lojrat elektronike

– modifikime në ushqimin duke synuar më tepër ushqimet e gatshme, fast food, etj.

– ndotja e ambientit të jashtëm nga tymrat industriale, të makinave, avioneve  etj. Ndikimi negativ i tij shpjegon faktin që 75 % e fëmijëve me asthmë takohen në qytet.

Në shfaqen e asthmës kanë rëndësi edhe faktorët gjenetikë. Një fëmijë që ka prindërit, motra- vëllezër ose të afërm me asthme, apo sëmundje të tjera alergjike, është i predispozuar të sëmurët me asthme.

Në diagnostikimin e asthmës duhet mbajtur parasysh fakti që asthma nuk është vetëm alergjike. Ka edhe asthme joalergjike, apo intriseke, neutrofilike.

Si shfaqet sëmundja e asthmës tek fëmijët?

Simptomat e para të  asthmës në rreth 90% të rasteve fillojnë para moshës 4-5 vjeç, por ato mund të fillojnë që në vitin e parë të jetës, në rreth 30% të rasteve.

Forma klasike e  asthmës është kriza e asthmës, që shpesh mund të jetë dramatike, me vështirësi në frymëmarrje, bllokim, rënie të oksigjenimit, nxirrje të buzëve, me gjëndje ankthi, frymëmarrje të shpejtuar, të zhurmshme, me kollë të thatë, ngacmuese, lodhëse, me fishkëllima që dëgjohen në distancë,

Faktore shpërthyes të krizës së asthmës janë kontakti me alergenin respirator, me një alergene ushqimor, kjo kryesisht në fëmijët nën 2 vjeç, infeksionet virale, që shkaktojnë mbi 10% të krizave. Po ashtu faktorë shpërthyes të krizës mund të jenë infeksionet bakteriale, tymi i duhanit, sforcimet fizike, ajri i ftohtë.

Përveç krizës klasike të asthmës sëmundja mund të shfaqet edhe me forma më të lehta, atipike, si bronkiolit akut, bronkopneumoni të shpeshta, kollë spazmodike, bllokime të frymëmarrjes gjatë vrapit etj. Shpesh forma nënvlerësohen dhe nuk mendohet për asthme, e për pasojë fëmijët nuk diagnostikohen dhe nuk mjekohen në mënyrë korrekte.

Si mjekohet asthma bronkiale te fëmijët?

Trajtimi i fëmijes me asthmë përmbledh trajtimin e krizës së asthmës dhe trajtimin profilaktik, pra trajtimin e inflamacionit latent, kronik të bronkeve.

Duhet patur parasysh se asthma nuk është vetëm kriza, e cila në vetvete është dramatike dhe shërben si sinjal alarmi që të shkohet te mjeku specialist për të marrë trajtimin. Kriza e asthmës përfaqëson vetëm majën e ajsbergut të sëmundjes.

Asthma është një sëmundje inflamatore kronike e bronkeve, që nënkupton se inflamacioni bronkial persiston edhe jashtë krizave, megjithëse fëmijët në dukje janë të shëndoshë. Prandaj fëmija ka nevojë për trajtim medikamentoz profilaktik të gjatë, dhe jo vetëm gjatë krizave.

Qëllimi i mjekimit profilaktik është parandalimi i krizave të asthmës dhe minimizimi i medikamenteve të krizës si ventolina etj, reduktimi i inflamacionit kronik bronkial, sigurimi i një aktiviteti jetësor normal, mbajtja e volumeve respiratore në nivele normale dhe parandalimi i dëmtimeve kronike bronkiale.

Medikamentet profilaktike janë të shumta, si kortizonikë me rruge inhalatore, antileukotrienet, kromolina, etj.

Protokollin e trajtimit profilaktik të fëmijës me asthme e përcakton mjeku pediatër specialist në bazë të gravitetit të sëmundjes, moshës së fëmijës, pranisë ose jo të alergjisë, aspektit radiologjik dhe funksional pulmonar.

Një rol të rëndësishëm në trajtimin e asthmës ka desensibilizimi, vaksinimi ndaj alergjisë. Ai konsiston në futjen e dozave progresive të alergenit, duke shkaktuar ndryshimin e reaktivitetit të orgnizmit ndaj alergenit me prodhim të IGG dhe jo të IGE. Desensibilizimi ka për qëllim parandalimin e fillimit të asthmës, parandalimin e krizave të asthmës, parandalimin e progredimit të alergjisë, uljen e dozave të kortizonikeve inhalatore, përmiresimin e funksionit respirtor dhe cilësisë së jetës.

Si mund të parandalohen krizat e asthmës?

Krahas mjekimit medikamentoz profilaktik, një rol të rëndësishëm luan edukimi i prindërve dhe fëmijëve, të cilët duhet të njohin dhe të evitojnë alergenet, faktorët jospecifikë të shpërthimit të krizave si duhani, viruset, etj. Duhet të dallojnë mirë mjekimin profilaktik nga mjekimi i krizës, të inhalojnë korrekt medikamentet.

Është e rëndësishme që fëmija të evitojë ambjentet e mbyllura, të shëtisë,  të merret me aktivitete sportive, të ajrosë dhomën, të evitojë duhanpirjen pasive.

Gjithashtu duhet të bëhen kontrolle te mjeku specialist dhe ekzaminimet kryesore që vlerësojnë ecurinë e sëmundjes.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco