Zbulimi i rëndësishëm: Një analizë gjaku, të sinjalizon më herët për kancerin se skanerat

Zbulimi i rëndësishëm: Një analizë gjaku, të sinjalizon më herët për kancerin se skanerat

23:16, 15/01/2021
A+ Aa A-

Duke patur rastin e babait dhe të fëmijës së tij të diagnostikuar me kancer, Solomon Moshkevich, punonjës në kompaninë kërkimore amerikane "Natera", ndihmoi për të prodhuar një analizë gjaku që mund të sinjalizojë shumë herët për rikthimin e kancerit.

Kompania thotë se mund të diktojë rikthimin e kancerit shumë më herët se skanerat tomografikë.

Jo shumë njerëz e kuptojnë kancerin si Solomon Moshkevich. Në 2014, babai i tij u diagnostikua me kancer të ezofagut të shkallës së tretë. Më pas në 2015, djali i tij tre-javësh zhvilloi një tumor. Ai thotë se ishte një periudhë e tmerrshme, por tashmë babai i tij është 78 vjeç dhe djali mbush 6 vjeç. Zoti Moshkevich beson se nga ai moment i lindi dëshira për të bërë diçka dhe që rezultoi me ndryshimin e mënyrës se si do të monitorohet kanceri në vitet e ardhshme.

"Pas diagnostikimit të babait dhe të djalit, isha shumë i motivuar për të bërë diçka që do të ndihmonte familjen tonë dhe njerëzit në mbarë botën", tregon zoti Moshkevich, menaxher i përgjithshëm për onkologjinë në laboratorin e kompanisë Natera.

Me ndihmën e kompanisë "Natera" ku ai punon, zoti Moshkevich thelloi punën e kësaj kompanie në fushën e onkologjisë.

Fryti i kësaj pune ishte "Signatera", një analizë gjaku e ndërtuar për të pikasur ADN-në e tumorit që qarkullon në trup. Duke shfrytëzuar të njëjtën teknologji të kompanisë Natera të përdorur gjatë kontrolleve të shtatëzanisë, mundësuan përshtatjen e këtij testi në fushën e onkologjisë.

Pacientëve u merren dy flakonë gjaku që analizohen në laboratorët Natera dhe kartografohet ADN-ja e qelizave tumoriale. Në vazhdim, përdoret kjo sekuencë unike e ADN-së për të kërkuar vazhdimisht për të njëjtën ADN që zbulon nëse është rikthyer tumori. Kjo u jep onkologëve mundësinë për të përcaktuar hapat që duhet të ndërmarrin për t'i ndihmuar pacientët përpara se të jetë tepër vonë.

"Fatkeqësisht sot, kanceri rikthehet tek 25% e pacientëve me kancer të zorrës së trashë brenda pesë viteve. Në shumicën dërrmuese të këtyre pacientëve, rishfaqja pikaset shumë vonë për të bërë ndonjë lloj kirurgjie kuruese", thotë Steve Chapman, drejtor i kompanisë "Natera".

Kompania madje pretendon se testi i saj e pikas kancerin më herët se mjetet e tjera, si skaneri tomografik (CAT), në disa raste deri edhe në dy vite më herët.

Babai i zotit Moshkevich ndihmoi duke rënë dakord të monitorohej nëpërmjet analizës së gjakut Signatera, ndërsa ajo ishte ende në fazën e prodhimit.

"Gjurmonim sasinë e ADN-së së tumorit që mund të gjenim në gjakun e tij. Dhe ne mund ta shihnim që kalonte nga pozitive gjatë trajtimit të tij, në negative menjëherë pasi ishte përfunduar kura. Dhe kjo ishte e pabesueshme", thotë zoti Moshkevich.

Zoti Moshkevich vazhdoi të monitoronte babanë e tij dhe iu gjurmua një tjetër rishfaqje në 2018. Por kur Alex hyri për një skanim CT, skanimet nuk treguan asgjë. Katër skanime më vonë dhe ende nuk kishte asgjë, por rezultatet e analizës "Signatera" vazhduan të rezultonin pozitive për qelizat tumorale, kështu që mjekët sollën Aleksin për një skanim tomografik me kontrast, dhe mëlçia e tij u shfaq në skanime e ndezur si pema e Krishtlindjes, tregon zoti Moshkevich.

Zoti Moshkevich thotë se kjo përvoja i mundësoi babait të tij të kërkonte trajtim shtesë më shpejt dhe përpara se të bëhej tepër vonë.

"Fati në një farë mënyre po luan rol sepse unë jam në këtë vend, në këtë moment dhe kam mundësinë të punoj me këtë teknologji të mahnitshme që më dha shansin të ndihmoja familjen time. Nuk e di nëse ka bërë dallimin mes jetës dhe vdekjes për babanë tim. Por, ajo që di është se na ka ndihmuar", thotë ai.

Djali i tij, i cili mbushi pesë vjet pa kancer në dhjetor, monitorohet çdo vit nëpërmjet analizës së gjakut "Signatera". Ndërsa Alexi e bën analizën "Signatera" çdo tre javë./ VOA/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco