Nuk ka asgjë ‘të fortë’ në mposhtjen e koronavirusit

Nuk ka asgjë ‘të fortë’ në mposhtjen e koronavirusit

11:06, 08/04/2020
A+ Aa A-

Nga James Kirkup, Spectator

“Boris është një person i fortë, një njeri rezistent. Jam i sigurt që do ia dalë”. Kështu tha David Cameron për kryeministrin britanik.

“Jam i sigurt që ai do ia dalë sepse një gjë e di të sigurt, që ai është një luftëtar”. Ky ishte Dominic Raab.

Po i citoj të dy thjesht sepse ata janë shembujt më të spikatur, por ka edhe shumë njerëz të tjerë që kanë folur për Boris Johnson me terma të ngjashëm ditët e fundit.

Këto fjalë kanë një qëllim të mirë. Të dy i urojnë sinqerisht Johnson më të mirën, dhe po flasin si një shenjë mbështetje, por dhe si vlerësim personal. Njësoj edhe të tjerët kanë folur në mënyrë të ngjashme për Johnson si ‘njeri i fortë’, ‘trim’, ‘luftëtar’, një lloj personi, karakteri i të cilit do e ndihmojë të mposhtë koronavirusin.

Kjo lloj gjuhe është natyrale dhe qëllim-mirë. Në raste si ky, të gjithë duam të shohim anën e shndritshme, për të theksuar mundësitë pozitive. Dhe për të thënë gjëra të mira për dikë që është në situatë të vështirë. Jam i lumtur që i bashkohem kësaj përpjekje. Duke qenë se kam punuar disa vite me Boris Johnson te Telegraph, ka diçka thellësisht shqetësuese kur sheh dikë me një energji të pakufishme që ka rënë kështu. Pa marrë parasysh pyetjet për të ardhmen e qeverisë dhe pjesën tjetër, thjesht shpresoj që ai të bëhet mirë.

Kjo gjuhë, me ashpërsi dhe forcë, sidoqoftë më shqetëson. Shpesh kur flasim për kancerin dhe sëmundje të tjera serioze, ne priremi që ta portretizojmë përvojën e një personi me sëmundjen si një ‘luftë’ apo si një ‘betejë’. Shumë njerëz që kanë pasur sëmundje të tilla përdorin po ashtu këtë gjuhë: sa herë keni dëgjuar për dikë me një sëmundje të rëndë që flet për vendosmërinë e tij për të mposhtur sëmundjen dhe për të mbijetuar?

Atëherë përse jam i shqetësuar për këtë gjuhë force përballë koronavirusit? Epo kjo është pyetja: nëse vuajtjet nga një sëmundje janë një betejë, një testim i qëndrueshmërisë së një personi dhe forcës së tij, çfarë mund të themi për njerëzit që nuk e fitojnë betejën?

Pak vite më parë, dikush që e doja, vdiq. Nuk ishte as 50 vjeç dhe nëse doni një masë të fuqisë personale, ai ishte një njeri që ngrihej para agimit çdo ditë për të dërguar kopenë e deleve në kodrat e Cheviot dhe bënte një punë që nënkuptonte ngritjen e peshave që shumicën prej nesh do e linin pa frymë brenda pak minutash.

Ai nuk vdiq sepse nuk ishte i ashpër apo i fortë. Ai nuk vdiq sepse i mungonte karakteri apo rezistenca. Ai vdiq sepse trupi i tij nuk ishte në gjendje të mbijetonte ndaj sëmundjes që e vrau.

E njëjta gjë është e vërtetë për 6159 persona, që në kohën e shkrimit, kanë vdekur nga Covid-19. Ata nuk vdesin sepse nuk janë të fortë apo sepse nuk janë luftëtarë. Ata nuk u përleshën me koronavirusin dhe nuk u mposhtën më shumë se të tjerët që mbijetuan. Jeta dhe vdekja në këtë kontekst nuk janë njësi matëse e vullnetit personal apo e kurajës. Kjo ka të bëjë me çështje biologjie dhe ilaçesh, asgjë më shumë.

Është e kuptueshme dhe me qëllim të mirë që të flasim për forcën e njerëzve që vuajnë nga koroanvirusi. Nuk kritikoj askënd që përdor këtë gjuhë. Por do uroja që të mos e bënin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco