Ata që shërohen, a mund të sëmuren përsëri?

Ata që shërohen, a mund të sëmuren përsëri?

07:26, 01/04/2020
A+ Aa A-

Nga Ruben Avxhiu

Në mes të luftës kundër koronavirusit dhe rrëmujës që ka krijuar në jetën e përditshme, një pyetje rëndon më shumë se çdo tjetër: Ata që shërohen, a mund të sëmuren përsëri?

Në fakt, pyetja mund të shpërbëhet në disa pyetje më të detajuara: Ata që janë shëruar a mund të riinfektohen? Dhe nëse ri-infektohen a sëmuren përsëri? Dhe nëse sëmuren sa më lehtë e kalojnë në krahasim me herën e parë?

Përgjigjia ndaj kësaj pyetjeje është themelore për të parë në horizont shpëtimin nga kjo gjendje.

Shkencëtarët, mjekët, specialistët e angazhuar për të gjetur çelësin e fitores mbi virusin e mbajnë shpresën te çfarë do të ndodhë me të shëruarit. Për arsye të kuptueshme Kina është në frontin e parë të këtij procesi, sepse aty ndodhi përhapja e parë masive dhe tani kanë, të paktën disa dhjetëra mijëra vetë që mund të ndiqen për të parë se çfarë do të ndodhë meta.
Po, në të gjitha vendet, përfshi edhe SHBA puna për këtë ka nisur menjëherë. Vetëm javën e kaluar pashë që Spitali Presbiterian në Manhattan u kishte dërguar kërkesë 19 të shëruarve nga COVID-19 që të pranonin një marrje gjaku për të studjuar se çfarë po ndodhte me anti-trupat në sistemin e tyre. Njeriu prodhon anti-trupa për të luftuar viruset e pasi shërohet ato mbeten në sistem si një mbrojtje e ardhshme. Imuniteti i njeriut ka “kujtesë” dhe mban mend pushtuesit e dikurshëm duke ua ndalur rrugën menjëherë kur i sheh që rikthehen. Mirëpo, jo çdo rast sëmundjeje e patogjeni është njësoj.

Një shkrim në revistën “New Yorker” citonte revistën Ditari i Sëmundjeve Infektive, që të shëruarit nga Ebola e ruanin për gati 40 vjet në trup antitrupat kundër këtij infeksioni.

Një arsye pse ka rëndësi të madhe kjo është Vaksina për të cilën po flitet aq shumë. Ekipe shkencëtarësh në shumë vende të botës janë në garë të ethshme për ta krijuar. “Zëri i Amerikës” sapo njoftoi se “Johnson & Johnson”, gjigandi i farmaceutikës parashikon se mund ta ketë gati një “vaksinë të emergjencës” nga fillimi i vitit që vjen. Disa ekspertë kanë thënë më parë se vështirë që do të jetë gati përpara se të kalojnë 18 muaj. Por, konkurrenca bën çudira nganjëherë.

Mirëpo, vaksina nuk është gjë tjetër veç vendosja e një numri të caktuar antitrupash jo aq sa ta sëmurin njeriun, por aq sa të mësojnë systemin si të luftojë virusin. Nëse krahasohet me gripin për shembull, gripi është diçka që njeriu mund ta marrë më shumë se një herë. Fakti që je shëruar nuk të ndihmon që të mos e marrësh përsëri, por të ndihmon që ta kalosh shumë më lehtë. Po ashtu me vaksinën e gripit.

Dr. Barney Graham tha për revistën “New Yorker” se shpresa është që antitrupat e të shëruarve nuk do ta lënë më infeksionin që të hyjë thellë në mushkri. Nëse ai mbetet në pjesën e sipërme të frymëmarrjes, atëherë COVID-19 do të kalohet thjesht si një e ftohur dhe jo si pneumoni.

Shembulli që jepte shkrimi nga Kina, nuk ishte në fakt, me ata që janë shëruar, po një eksperimet i kryer me një lloj ta caktuar majmunësh. Katër prej tyre ishin infektuar qëllimisht me virusin. Që të kartërt u sëmurën. Njërit i bënë eutanazi pas një jave që të studionin nivelin e infeksionit. Zbuluan se kishte pneumoni të lehtë ose të mesme. Tre majmunët e tjerë u shëruan dhe prodhuan një sasi të madhe antitrupash.

Në ditën e 28 pas infeksionit, asnjë prej tyre nuk kishte shenjë të dallueshme infeksioni. Atëhere i infektuan përsëri që të tre me vkoronavirus. Që të tre patën rritje të moderuar temperature por jo simptoma të tjera. Studjuesit e sakrifikuan edhe njërin prej tyre për t’i bërë autopsinë dhe nuk gjetën virus. Dy të tjerët vijuan jetën sikur të mos ishin sëmurur ndonjëherë.

Domethënë të shëruarit nuk sëmuren më?

Po tani, këta ishin majmunë. Nuk është e lehtë të bindësh një njeri që shyqyr që ia ka hedhur COVID-19 të shkojë e t’u rrijë afër atyre që janë sëmurë për të parë se çfarë do t’i ndodhë. Edhe minimumi që mund të kontribuojnë, që të rikthehen pas disa ditësh që të japin gjak, nuk është e lehtë psikologjikisht për shumëkënd. Megjithëse sigurisht besoj se shumë do të dalin vullnetarë për teste me kalimin e kohës.

Koha ka të bëjë shumë. Jo më larg se dje, pashë një lajm që u këshillonte atyre që po shëroheshin e që nuk kishin më simptoma që të qendronin në izolim minimum 2-3 ditë dhe mundësisht deri në 8 ditë të tjera, për të siguruar se nuk ishin ende ngjitës për të tjerët.
Dihet ende shumë pak për këtë virus dhe si u shpreh një studjues, nuk është se kemi dikë që ka gjashtë muaj që është shëruar dhe mund ta dimë se sa është ende imun nga kjo. Dihet që vaksina e gripit bëhet çdo një vit se nuk mban më shumë. Për fat të mirë, në verë gripi nuk ka fuqi, edhe nëse do të ishte apo nëse është që i venitet forca vaksinës në më pak se një vit.

Përtej punës së vaksinës dhe çështjes së imunitetit, të shëruarit shihet edhe si shpresë për rimëkëmbjen e ekonomisë. Nëse nuk sëmuresh më, atëhere mund të dalësh nga shtëpia, mund të shkosh në punë, mund të jesh një nga pionierët që do të rindezin motorët e ekonomisë së këtij vendi e të gjithë botës.

Kemi lexuar lajme njerëzish që janë sëmurur përsëri në Kinë e më tej në Azi, po nuk është e qartë nëse kanë qenë anekdota apo raporte serioze mjekësore. Dhe nëse thjesht është gabuar kur u kanë thënë se janë shëruar. Nga tregimet e disa prej atyre që janë shëruar këtu në SHBA e në Britani kam mësuar se COVID mund të mos jetë linear në shërimin e tij. Shpesh pacientët janë ndjerë shumë më mirë përpara se të ketë filluar një fazë tjetër edhe më e rëndë ose të paktën disi më ndryshe. Pra, mund ketë kujtuar se janë sëmurur përsëri ata që në fakt nuk ishin shëruar plotësisht.

Duke lexuar arkivin e “The New York Times”, po lexoja një shkrim për Gripin e Hong Kongut që po bënte kërdinë në Europë. Një fakt interesant po i kuptueshëm tregonte se po sëmureshin vetëm ata që ia kishin hedhur një vit më parë. Këtë po e shtoj thjesht si kuriozitet sepse janë dy gjëra të ndryshme. Mirëpo, nuk mund të mos vija re ironinë që ne të cilët ia kemi hedhur deri tani jemi ata që ende na pret rreziku, kurse ata që u shëruan kanë një shans shumë më të madh që të mos e marrin.

Pak ditë më parë shkrova një artikull për mantunë dhe vaksinën kundër turbekulozit që mbase i bën njerëzit më të fortë në betejën që sjell koronavirusi. Shkrimi që u lexua shumë duke dëshmuar urinë që kemi për përgjigje në këtë situatë të paparë në të gjithë historinë e njerëzit është nga ana tjetër një ilustrim i asaj që sa pak dimë për këtë betejë.

Në fund të shëruarit, në mos me vaksinën, mund të na shpëtojnë me diçka tjetër që quhet terapia passive antigjenike. Duke marrë plazmë nga gjaku i tyre, e duke e përdorur me tranfuzion në trupat e atyre që janë duke luftuar me sëmundjen. Ka ndodhur në beteja të mëparshme, mund të ndodhë edhe tani. Në fakt, thirrja që përmenda më sipër nga Spitali Presbiterian ishte më shumë e interesuar të plamza e gjakut të atyre që ishin shëruar sesa te potenciali i vaksinës. Ata që shpëtuan e dolën në anën tjetër mbase mund të jenë shpëtimi ynë. Uroj që të takohemi të gjithë andej një ditë, në anën tjetër të errësirës./GAZETA ILLYRIA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco