Tragjedi në Pire/ Çifti i ri gjendet i pajetë në makinë, dyshohet se u helmuan nga monoksidi i karbonit

Tragjedi në Pire/ Çifti i ri gjendet i pajetë në makinë, dyshohet se u helmuan nga monoksidi i karbonit

15:39, 14/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një tragjedi e rëndë ka tronditur Pireun mëngjesin e kësaj të marte, ku një 28-vjeçar dhe bashkëshortja e tij 24-vjeçare u gjetën të pajetë brenda makinës së tyre, të parkuar në garazhin e pallatit ku banonin.

Fillimisht, autoritetet greke dyshuan për një ngjarje kriminale, por vlerësimi paraprak i mjekut ligjor ka përjashtuar shenjat e dhunës. Sipas hetimeve të deritanishme, çifti dyshohet se humbi jetën nga helmimi me monoksid karboni, pasi automjeti kishte motorin dhe kondicionerin të ndezur në një ambient të mbyllur.

Sipas mediave greke, makina ishte e parkuar në garazhin e ndërtesës, ndërsa gazrat toksikë u grumbulluan në kabinën e automjetit, duke bërë që dy të rinjtë të humbnin ndjenjat dhe të ndërronin jetë pa u vënë re nga askush.

Rreth orës 07:30, një kalimtar pa makinën e parkuar dhe vuri re 24-vjeçaren brenda saj, por mendoi se ishte duke fjetur dhe vijoi rrugën. Ai nuk e pa 28-vjeçarin, pasi kaloi me nxitim.

Trupat e pajetë u zbuluan më vonë nga babai i 28-vjeçarit. I tronditur, ai i nxori menjëherë nga automjeti dhe shpërtheu në britma dëshpërimi. Një fqinj tregoi se e dëgjoi të bërtiste: "Kush e bëri këtë, fëmija im? Kush e bëri?"

Rreth orës 09:30, në vendngjarje mbërriti ambulanca e EKAB-it, ndërsa mjekët konstatuan vdekjen e çiftit.

Policia greke ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Trupat e dy viktimave janë dërguar në Spitalin Tzaneio, ku do t'u nënshtrohen autopsisë dhe analizave toksikologjike për të konfirmuar shkakun e saktë të vdekjes.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco