Greqia po hyn në një periudhë të zgjatur moti të keq duke filluar nga sot, e diel, 25 janar. Sipas parashikimeve të Shërbimit Meteorologjik Kombëtar (EMY) dhe vlerësimeve të meteorologëve të njohur grekë, Thodoris Kolidas dhe Sakis Arnaoutoglou, në ditët në vijim priten tre valë të njëpasnjëshme reshjesh shiu, erërash të forta dhe fenomene intensive lokale, të cilat do të prekin një pjesë të madhe të territorit grek.
Në parashikimin e tij javor, Thodoris Kolidas thekson se një valë moti të ftohtë do të pasojë tjetrën, duke krijuar kushte të paqëndrueshme për disa ditë me radhë. Ai sqaron se reshjet do të jenë të shumta, ndërsa erërat jugore do të mbajnë temperaturat disi më të larta se mesatarja sezonale.
Sipas Kolidas, të hënën pritet përkeqësim i ndjeshëm i motit, veçanërisht në Egjeun perëndimor, verior dhe lindor, ku ekziston rrezik i shtuar për reshje të dendura lokale dhe stuhi.
Erëra të forta dhe probleme në transportin detar
Meteorologu Sakis Arnaoutoglou bën të ditur se pas një periudhe të shkurtër me mot me diell, një tjetër valë moti të keq do të prekë fillimisht ishujt e Egjeut lindor dhe më pas Detin Jon.
Ai paralajmëron se erërat do të arrijnë deri në 7 ballë Beaufort në Detin Jon, kryesisht në zonën e Korfuzit dhe ishujt përreth. Nga e hëna, erëra shumë të forta pritet të mbizotërojnë në të gjithë vendin, duke shkaktuar probleme të mundshme në qarkullimin e trageteve dhe transportin detar bregdetar.
Shi dhe stuhi në Atikë dhe Greqinë veriore
Nga mbrëmja e së dielës, reshjet dhe erërat do të intensifikohen në të gjithë Greqinë. Të hënën, më 26 janar, vala e motit të keq do të prekë në mënyrë të veçantë zonat e Kavalës, Ksanthit, Dramës dhe ishullin e Thassosit, ndërsa fenomene të forta priten edhe në Atikë, me shira dhe stuhi deri në orët e mesditës.
Fenomenet do të shoqërohen me erëra të forta dhe rënie të temperaturave, ndërsa situata do të jetë më intensive në jug të Kretës dhe në jugperëndim të vendit, ku temperaturat do të zbresin ndjeshëm krahasuar me ditët e mëparshme.
🎯Η ΕΒΔΟΜΑΔΙΑΙΑ ΠΡΟΓΝΩΣΗ ΤΟΥ ΚΑΙΡΟΥ ΑΠΌ 25/1/26
— Theodoros Kolydas (@KolydasT) January 24, 2026
✅Θα διανύσουμε απο βδομάδα έναν καιρό που το ενα συστημα θα έρχεται πίσω από το αλλο σε συνολικά 3 κυματα.
✅Oι βροχές θα ειναι πολλές και οι νοτιάδες θα κρατήσουν τη θερμοκρασία σε επίπεδα πάνω από τα κανονικά . ⚠️Ενδεχεται τα…
© SYRI.net