Ish-deputetet rikthehen në Kuvend, kujtojnë momentet historike të Kosovës

Ish-deputetet rikthehen në Kuvend, kujtojnë momentet historike të Kosovës

18:06, 15/03/2024
A+ Aa A-

Që nga koha e pasluftës e deri më sot, pothuajse të gjitha gratë në partitë politike, që kaluan nëpër legjislatura të Kuvendit të Kosovës, u mblodhën sot në një seancë me temën “Historia e deputeteve në Kuvendin e Kosovës – përparim dhe proces”, e thirrur nga Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ish-deputetet në prononcimet e tyre për Telegrafin kujtuan kohën kur përfaqësonin qytetarët e Kosovës në një periudhë jo të lehtë tranzitore.

Ish-deputetja nga radhët e PDK-së, Xhevahire Izmaku, tha se ajo kohë ka qenë më e vështirë se sa sot.

“Nuk ka qenë më ndryshe se sot. Mirëpo sfidat kanë qenë të ndryshme. Domethënë, kur ne kemi kalu në atë periudhë ka qenë pak më e vështirë. Ka pasur disa vendimmarrje që s’kanë qenë shumë populliste dhe kanë qenë shumë vendime të vështira”, tha ajo.

Izmaku kujtoi disa vendime të rëndësishme që janë ndërmarr në atë kohë për Kosovën.

“Do të kujtoj një vendim të jashtëzakonshëm për shtetin e Kosovës, siç ka qenë votimi për themelimin e Forcave Armatosura të Kosovës (FSK), pra të ushtrisë së Kosovës.  Ky ishte një moment që do të mbetet memorien time të përjetshme. Ka pasë edhe momente shumë të vështira, si votimi i Gjykatës Speciale, për shembull. Marrëveshja me Serbinë. Mirëpo edhe marrëveshja me MSA-në…”, ka thënë Izmaku.

Edhe Anita Morina – Saraçi, e cila ishte deputete nga radhët e LDK-së në periudhën vitin 2007-2010, theksoi se ishte shumë sfiduese për një femër të ishte përfaqësuese e popullit në ato vite.

“Unë kam qenë deputete në mandatin 2007-2010, kur Kosova kaloi tranzicionin dhe u bë shtet i pavarur dhe demokratik. Ishte shumë sfiduese, sidomos si femër, sepse në vitet e pasluftës, femrat akoma janë ballafaqu me të drejtat gjinore, vazhdojnë edhe sot. Mirëpo, në fillimet ishte shumë më vështirë, por mendoj që ishte mandati ku ne i vumë themelet e shtetit, të gjithë si deputetë. Edhe në legjislaturat u miratuan ligje, të cilat kishin të bënin drejtpërdrejt me të drejtat e femrave dhe me mbrojtjen e grave, viktimave të dhunës dhe ligje të tjera, që lidheshin me këtë sferë”, tha Morina.

Sa është e rëndësishme për Morina-Saraçin të jetë njëra nga nënshkrueset e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës?

“Kjo ka një vlerë shumë të veçantë. Të jeshë deputete në mandatin kur nënshkruhet, kur vuloset themelimi i shtetit është një ndjenjë që të jep një kënaqësi gjithë jetën”.

Edhe, ish-deputetja njëra ndër më të moshuarat nga radhët e PDK-së, Flora Brovina potencoi se të jesh deputete do të thotë të jesh ushtare dhe ta ndërtosh shtetin.

“Të nxjerrësh ligje dhe rregullore që do të funksionojë shteti, sa më mirë. Kështu e kam kuptu detyrën time, si vazhdim të detyrës së parë, asaj të lirisë së Kosovës”, tha Brovina.

Ndërsa, ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës nga PDK, Drita Kadriu e cila është dhe njëra nga nënshkrueset e deklaratës së Pavarësisë së Kosovës tha se ka qenë privilegj dhe përgjegjësi shumë e madhe të jesh deputete në mandatin e pavarësisë.

“Ishte dita më fatlume që brezat e rinj dhe brezi im e shënuam. Patëm fat të jemi pjesë e mandatit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Kadriu.

Ndërkaq, ish e burgosura politike, njëherësh ish-deputetja e LDK-së, Mevlyde Saraçi, për Telegrafin kujtoi konstituimin e Parlamentit të parë të Kosovës. Ajo tha theksoi se ka qenë një periudhë jashtëzakonisht e vështirë, pasi siç tha ajo “Kosova ka qenë gjithmonë nën thundra të huaja. Dhe ishte hera e parë e themelimit të një Parlamenti të Republikës së Kosovës. Ishte një proces shumë i vështirë në rrethana të jashtëzakonshme edhe pse me përkrahje të ndërkombëtarëve”.

Edhe ish-deputetja nga radhët e PDK-së, Sala Ahmeti tha se për deputetet e legjislaturës së parë ishte një ndjenjë e veçantë.

“Ka qenë edhe lumturi e krenari njëkohësisht, por edhe ndjenja e përgjegjësisë dhe një frikë. Jo frikë, sepse ne nuk kemi pasur përvojë parlamentare. Nuk kemi ditur shumë gjëra që kanë të bëjnë me legjislacionin, me mënyrën se si duhet të komunikojmë në kuvend, diskutimet që do duhej t’i bënim dhe kjo na e ka shtu shumë ndjenjën e përgjegjësisë, së paku mua. Pastaj, gjatë rrugës kemi mësuar shumë gjëra. Kanë ardhur të huajt, na kanë bërë trajnime…”. /Telegrafi/


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco