Lajmi i fundit

LIVE/ Adi Krasta në 'A Show'

DASH thirrje Serbisë: Bashkëpunoni me OSBE-ne për rezultatin e zgjedhjeve

DASH thirrje Serbisë: Bashkëpunoni me OSBE-ne për rezultatin e zgjedhjeve

17:27, 25/12/2023
A+ Aa A-

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) u bëri thirrje autoriteteve në Serbi që të bashkëpunojnë me misionin e OSBE-së në hetimin e pretendimeve për parregullsi zgjedhore, transmeton Zëri i Amerikës.

Siç theksoi Departamenti i Shtetit, dhuna ndaj gazetarëve, vëzhguesve dhe zyrtarëve zgjedhorë është “e papranueshme”, si dhe se legjitimiteti i proceseve demokratike varet nga transparenca dhe vullneti i të gjithë pjesëmarrësve për ta pranuar rezultatin e zgjedhjeve.

“Ne jemi të fokusuar, në bashkëpunimin me Serbinë, për forcimin e qeverisë demokratike dhe sundimin e ligjit, përmirësimin e bashkëpunimit rajonal, vazhdimin e rritjes ekonomike dhe përshpejtimin e përparimit të Serbisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. E ardhmja e Serbisë qëndron në Perëndim”, thuhet në përgjigjen e DASH-it ndaj pyetjeve të Zërit të Amerikës lidhur me protestat e reja në Beograd.

Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (RKZ) njoftoi më 24 dhjetor se ka kontrolluar listat zgjedhore dhe shtoi se pretendimet e koalicionit “Serbia kundër dhunës” se numri i votuesve me të drejtë vote në zgjedhjet e Beogradit është rritur artificialisht për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve “nuk janë të vërteta”.

 

Në të njëjtën ditë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se votimi u zhvillua në një atmosferë demokratike dhe se ishin zgjedhjet “më të qeta ndonjëherë në historinë moderne”.

ODIHR-ja më 18 dhjetor njoftoi se zgjedhjet u shënuan me parregullsi të rënda, keqpërdorim të fondeve publike, dominim mediatik të presidentit Vuçiq, fushatë negative dhe përhapje frike.

Një pjesë e eurodeputetëve kërkuan një hetim të pavarur të të gjitha parregullsive të raportuara gjatë zgjedhjeve të mbajtura në Serbi më 17 dhjetor.

Qytetarët serbë votuan më 17 dhjetor në zgjedhjet parlamentare, provinciale dhe lokale në 65 qytete dhe komuna, përfshirë Beogradin. SNS-ja shpalli fitoren në të gjitha nivelet./REL

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco