Vuçiq: Serbia nuk mund të pranojë pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në OKB

Vuçiq: Serbia nuk mund të pranojë pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në OKB

21:15, 26/10/2023
A+ Aa A-

Pa ndonjë pajtim, Kosova dhe Serbia përmbyllën edhe një maratonë takimesh të enjten në Bruksel.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar para mediave se Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Ai tha se megjithatë janë të gatshëm të pranojnë propozimin për Asociacionin.

Vuçiq tha se propozimi që ka marrë nga të dërguarit perëndimorë, i referohet ekskluzivisht formimit të Asociacionit, por se nuk mund të flasë për detajet, sepse marrëveshja është e tillë që të mos flitet.

‘Ne jemi plotësisht të gatshëm për formimin e Asociacionit në përputhje me propozimet që i kemi marrë’, u tha ai gazetarëve.

Por, theksoi Vuçiq, Serbia ‘nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara apo pavarësinë e Kosovës’-hapa që, në njëfarë mënyre, i kërkon Marrëveshja Bazë.

‘Serbia ka thënë qartë se dëshiron që të gjitha marrëveshjet të zbatohen, nga ajo bazë e vitit 2013 e deri te ato më vonë në Bruksel dhe Ohër, dhe ne gjithmonë kemi theksuar vetëm një gjë, e cila dihet-ajo është se Serbia nuk mund të pranojë anëtarësimin në OKB dhe as pavarësinë e Kosovës’, tha Vuçiq.

 ‘Nuk u bë fjalë për nënshkrim apo mosnënshkrim të ndonjë gjëje’, por ‘për zbatimin e asaj që është nënshkruar dikur, apo që është rënë dakord ndërkohë’, tha presidenti serb.

Ai shtoi se askush në takime nuk i ka përmendur ‘sanksionet kundër Serbisë’, që do të lidheshin me sulmin në Banjskë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco