Vuçiç në selinë e NATO-s, Soltenberg i përmend lëndimin e anëtarëve të KFOR

Vuçiç në selinë e NATO-s, Soltenberg i përmend lëndimin e anëtarëve të KFOR

11:52, 20/07/2023
A+ Aa A-

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, thekson rëndësinë e uljes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë. Pasi priti presidentin Aleksandër Vuçiç në selinë qendrore në Bruksel, kreu i aleancës ushtarake u bëri thirrje palëve që të përmbahen nga veprimet dhe retorika përshkallëzuese, dhe t’i rikthehen dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian, si rrugën e vetme për të ecur përpara.

Stoltenberg, përballë Vuçiçit, shtoi se KFOR-I do të vazhdojë ta kryejë detyrën në mënyrë të paanshme sipas mandatit të OKB-së, ndërsa përmendi edhe lëndimin e disa ushtarëve gjatë protestave në veri të Kosovës.

“Siç e dini, NATO ka qenë atje për shumë vite me misionin tonë paqeruajtës, misionin e KFOR-it, i cili bazohet në mandatin e OKB-së. Ne e kryejmë misionin tonë atje në mënyrë të paanshme dhe sigurojmë një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet. Në maj trupat tona u sulmuan dhe 93 anëtarë u plagosën, tre prej tyre rëndë. Kjo është e papranueshme. NATO ka rritur praninë e saj me rreth 500 trupa në përgjigje të tensioneve dhe vështirësive të shtuara që kemi parë në veri të Kosovës”, tha Jens Soltenberg.

Vuçiç nga ana tjetër shprehu shqetësimet e tij për zhvillimet në Kosovë, duke pretenduar se ka dorëzuar prova për atë që e quajti “dhunë dhe persekutim të serbëve nga qeveria e Albin Kurtit.

“Me duhet të them se jam mjaft i shqetësuar për zhvillimet e fundit në tërë Kosovën dhe jo vetëm ne veri. Kjo situatë po bëhet çdo herë e më shumë çështje sigurie e jo vetëm çështje politike. Ju i përmendet incidentet e fundit në veri të Kosovës, megjithatë ne i shohim ato pak me ndryshe sepse ne besojmë se gjithçka çka ka ndodhur ka qenë si shkak i një qasje te papërgjegjshme nga autoritetet e Prishtinës”, tha Vuçiç

Gjatë qëndrimit në Bruksel, Vuçiç është takuar edhe me emisarin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Zyrtari i unionit e konsideroi të dobishme bisedën me presidentin serb, teksa mësohet se kanë folur për nevojën urgjente të uljes së tensioneve dhe ndërmarrjen e hapave për normalizimin e marrëdhënieve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco