Vuçiç: Propozimi franko-gjerman, shumë i vështirë për Serbinë

Vuçiç: Propozimi franko-gjerman, shumë i vështirë për Serbinë

07:38, 21/10/2022
A+ Aa A-

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha se Serbia nuk i refuzon bisedimet me Kosovën, por se ajo që ka parë nga propozimi franko-gjerman, është “shumë e vështirë për Serbinë”.

“Nëse do të duhej të merrja vendim në këtë moment… ata nuk na dhanë shans. Shpresoj që në dokumentin e ardhshëm, të paktën të na japin një shans”, tha Vuçiç për televizionin serb, TV Prva. Ai nuk sqaroi se çfarë dokumenti pritet.

Rreth një muaj më parë, në opinion u shfaq informacioni se Franca dhe Gjermania u kanë ofruar udhëheqësve në Prishtinë dhe Beograd një propozim se si t’i zgjidhin mosmarrëveshjet mes dy vendeve, shkruan REL.

Megjithatë, propozimi nuk u bë publik dhe nuk dihet se çfarë përmban saktësisht.

Ambasadat e Francës dhe Gjermanisë në Kosovë nuk e konfirmuan ekzistencën e ndonjë dokumenti të tillë.

“Kur më erdhën për herë të parë përfaqësuesit e [kancelarit gjerman Olaf] Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron, nuk pranova ta marr letrën, sikur ta dija… sepse supozova se do ta publikonin shqiptarët. Më thanë se letra ishte sekret. Të gjithë e kanë të qartë se kush e shkeli marrëveshjen”, tha Vuçiç.

Presidenti i Serbisë tha se shpreson se versioni që do të marrë nga përfaqësuesit e vendeve të Quint-it – Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia – të jetë ndryshe nga ai i publikuar në mediat shqiptare, por nuk specifikoi më shumë.

Në mediat në Kosovë qarkulluan disa shkrime, sipas të cilave, propozimi franko-gjerman nuk parasheh njohjen e Kosovës nga Serbia, por parasheh njohjen e Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë bërë këtë – Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco