Liderët politikë në një tryezë për Ligjin e Prokurorisë dhe zgjedhjet e parakohshme

Liderët politikë në një tryezë për Ligjin e Prokurorisë dhe zgjedhjet e parakohshme

22:54, 09/09/2019

Të martën, në kuadër të takimit në nivel të liderëve të partive politike kryesore parlamentare në Maqedoninë e Veriut, do të bëhet përpjekje për të arritur një ujdi rreth Ligjit për Prokurori Publike, bashkë me këtë dhe zgjidhjen e statusit të Prokurorisë Speciale.

Lideri i opozitës maqedonase, Hristian Mickoski, për mediat ka theksuar e vendit, se do të marrë pjesë në këtë takim ku do të diskutohet mundësia për arritjen e ujdisë për Prokurorinë Themelore Publike, pasi siç ka thënë në këtë takim, krahas ligjit që rregullon punën e Prokurorisë do të diskutohet dhe për caktimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, sipas Rel.

Njohësit e çështjeve politike besojnë se liderët politikë mund të arrijnë marrëveshje për Ligjin për punën e Prokurorisë, megjithatë vendimi për zgjedhje të parakohshme parlamentare mund të merret pas vendimit të Brukselit në tetor për caktimin e datës ose jo për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në familjen evropiane.

“Ulja në një tryezë të përbashkët e liderëve politikë për të biseduar çështje që janë me interes për shtetin i shërben demokratizmit të vendit. Por, a do të arrihet marrëveshje në bazë të kushteve që i dikton VMRO-DPMNE si parti kryesore në opozitë, duke marrë parasysh forcën e tyre, nuk besoj se kryeministri Zoran Zaev do të jetë i kushtëzuar në atë masë që të pranojë zgjedhje të parakohshme parlamentare në këmbim të mbështetjes së Ligjit për punën e Prokurorisë".

"Vendimi për zgjedhje të parakohshme mund të merret vetëm nëse vlerësohet se kjo është në të mirë për zhvillimet në shoqërinë tonë, megjithatë ky vendim nuk do të merret para vendimit të Këshillit Evropian rreth caktimit të datës për fillimin e bisedimeve”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Nikolla Dujovski, njohës i çështjeve politike.

Ligji për Prokurorinë Themelore Publike si dhe demonstrimi në praktikë se funksionon shteti ligjor duke pasur si pikë referimi zbardhjen e tërësishme të rastit “Reket”, paraqesin çelësin kryesor për caktimin e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Ekspertët thonë se në masë të madhe ligjet në sistemin e drejtësisë janë harmonizuar në përputhje me standardet e vendeve të zhvilluara evropiane, por si plagë mbetet ndryshimi i mendësisë në organet e drejtësisë.

Ekspertët e cështjeve juridike thonë se nuk duhet të pritet që për gjithçka të hapë rrugë politika, por duhet vepruar cdo kush në përputhje me kompetencat që ka, që rasti të zbardhet në tërësi.

Kryetari i Shoqatës së Gjykatësve në Maqedoninë e Veriut, Xhemali Saiti, për Radion Evropa e Lirë thotë se më problematike për momentin është siç e quan ai, 'klientelizmi i shprehur nga një pjesë e gjykatësve' sesa ndikimi i politikës për të kurdisur procese të caktuara gjyqësore ose për të ndihmuar që në tërësi të zbardhen rastet që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe para drejtësisë të përgjigjen të gjithë ata që janë të përfshirë ne vepra kriminale.

“Problemin me pavarësinë e gjykatave do ta fokusoja në çështjen e klientelizmit, unë e kam theksuar disa herë se kemi gjykatës të cilët u ofrohen pushteteve ekzekutive pa e kërkuar dikush një gjë të tillë nga ata, nuk do të mund të thosha se sa është numri i tyre dhe kjo çështje duhet analizuar për të parë se në ç'masë është e shprehur njëra dhe tjetra, klientelizmi apo ndikimi politik".

"Përmes procesit të reformave që janë në rrjedhë në sistemin e drejtësisë qeveria arriti të implementojë disa nga standardet ndërkombëtare të cilat garantojnë çështjet statusore për punën e gjykatësve, kur them çështjet statusore fjalën e kam për emërimet, avancimin dhe shkarkimin, këto tre çështje janë ato që garantojnë bazën e integritetit gjyqësor".

"Nëse unë si gjykatës kam integritet të garantuar me ligj atëherë rezistenca ime do të jetë më e shprehur ndaj presionit të pushtetit ekzekutiv, në këtë rast reforma juridike ka krijuar disa mekanizma më të qëndrueshëm që të garantojnë një integritet më të fuqishëm për gjykatësit, por e theksoj se çështja e integritetit është edhe çështje e karakterit individual dhe varet nga çdo person”, thotë Saiti.

Ndryshe, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dy muaj më parë u detyrua që të anulojë takimin e liderëve ku duhej të diskutohej Ligji që rregullon punën e Prokurorisë Publike përmes së cilit duhet të zgjidhet dhe statusi i Prokurorisë Speciale si dhe reformat në kodin zgjedhor dhe çështja e regjistrimit të popullsisë, proces ky që duhet të realizohet vitin e ardhshëm, pasi VMRO DPMNE kishte theksuar se temë kryesore në këto bisedime duhet të jetë caktimi i i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Tani, ndryshe nga më parë, partia maqedonase në opozitë, VMRO DPMNE vlerëson se debati për zgjedhje të parakohshme parlamentare mund të realizohet paralelisht me diskutimin për tejkalimin e dallimeve rreth Ligjit për prokurori publike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco