Lajmi i fundit

LIVE- Kuvendi çel punimet, jashtë protesta e qytetarëve nuk ndalet, nuk tërhiqen as nga dhuna e policisë

PD kërkon zgjatjen e mandatit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale

PD kërkon zgjatjen e mandatit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale

08:47, 23/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Partia Demokratike ka depozituar kërkesën për zgjatjen me 3 muaj të mandatit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, si dhe të vijojë puna e Komisionit edhe gjatë muajit gusht, me qëllim përmbushjen e plotë të mandatit të tij.

Kjo kërkesë mbështetet në faktin se deri më sot nuk janë përmbushur një pjesë e konsiderueshme e objektivave dhe aktiviteteve të miratuara nga vetë Komisioni në Projektkalendarin e Punës.

Kërkesa e firmosur nga bashkëkryetari i këtij komisioni, Luçiano Boçi, bazohet në argumentin se objektivat kryesore të projektkalendarit nuk janë realizuar ende dhe se vendimmarrja nuk mund të përmbyllet pa garantuar një proces të plotë konsultativ dhe pa marrë një opinion zyrtar nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës mbi produktin/rekomandimet/sugjerimet e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale.

Drejtuar: Z. Niko PELESHI, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë

 Konferencës së Kryetarëve

Lënda: Kërkesë për zgjatjen e mandatit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale.

I nderuar z. Kryetar,

Në cilësinë e Bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, bazuar në Vendimin nr. 75/2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për Ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, kërkoj zgjatjen e mandatit të Komisionit me 3 (tre) muaj, si dhe të vijojë puna e Komisionit edhe gjatë muajit gusht, me qëllim përmbushjen e plotë të mandatit të tij.

Gjithashtu, vlerësoj se Komisioni nuk duhet të konsiderojë të përfunduar veprimtarinë e tij dhe nuk duhet të depozitojë produktin përfundimtar në Kuvend të pakaluar në Komision e të pavotuar në Komision, sikurse pa u konsultuar paraprakisht dhe pa marrë opinionin institucional të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, si institucioni më i specializuar evropian në fushën e demokracisë vendore, decentralizimit dhe autonomisë së pushtetit vendor.

Kjo kërkesë mbështetet në faktin se deri më sot nuk janë përmbushur një pjesë e konsiderueshme e objektivave dhe aktiviteteve të miratuara nga vetë Komisioni në Projektkalendarin e Punës.

Së pari, Komisioni ndodhet ende në fazën e konsultimeve publike, pasi nuk është zhvilluar ende konsultimi publik në Qarkun e Tiranës. Duke qenë qarku me numrin më të madh të banorëve, mungesa e këtij konsultimi e bën të pamundur të konsiderohet e përfunduar faza e parë e procesit konsultativ. Gjithashtu ende nuk janë zhvilluar dëgjesat me 8 kryetarë bashkie, të cilët ndonëse janë njoftuar edhe më parë nuk kanë siguruar pjesëmarrjen e tyre dhe raportimin përpara Komisionit.

Së dyti, sipas pikës 3 të Projektkalendarit të Punës, Komisioni duhet të hartojë dhe të paraqesë dokumentin “Analizë Paraprake”, i cili duhet të përfshijë:

gjetjet e reformës aktuale administrativo-territoriale RAT 1;
analizën e sfidave të pushtetit vendor;
vlerësimin e kuadrit ligjor;
parimet mbi të cilat do të mbështetet reforma RAT 2.

Ky dokument nuk është prezantuar ende në Komision, megjithëse përbën bazën analitike mbi të cilën duhet të ndërtohet çdo opsion reformues. Përfaqësuesit e opozitës kanë kërkuar vazhdimisht që kjo analizë të paraqitet dhe të diskutohet përpara se Komisioni të vijojë me fazat pasuese të procesit.

Së treti, nga verifikimi i ecurisë së punimeve rezulton se pjesa dërrmuese e aktiviteteve të parashikuara në Projektkalendar nuk janë realizuar ende. Konkretisht nuk janë zhvilluar:

eventi me institucionet ndërkombëtare dhe grupet e interesit;
raundi i dytë i konsultimeve dhe dëgjesave tematike;
sondazhi publik;
vizitat studimore;
hartimi dhe publikimi i Dokumentit Politik;
prezantimi i varianteve të reformës;
hartimi i paketës ligjore;
konsultimi publik mbi paketën ligjore;
dërgimi i propozimeve për mendim pranë institucioneve përgjegjëse;
shqyrtimi paraprak në komisionet parlamentare;
depozitimi formal i projektpropozimit në Kuvend.

Praktikisht, i vetmi aktivitet i realizuar nga kjo fazë e kalendarit është ngritja e faqes zyrtare web të Komisionit (pika 6), e cila është financuar nga projekti zviceran në mbështetje të decentralizimit dhe qeverisjes vendore. Aktivitetet thelbësore që lidhen me përmbajtjen e reformës nuk janë realizuar ende.

Nga ana tjetër, vetë Vendimi nr. 75/2025, me të cilin është ngritur Komisioni, parashikon që ai të zhvillojë një proces konsultimi të gjerë, gjithëpërfshirës dhe transparent, me njësitë e qeverisjes vendore, shoqatat e tyre, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, si dhe të sigurojë përputhshmërinë e propozimeve me standardet e Bashkimit Evropian. Të shumta janë kërkesat zyrtare të depozituara pranë Komisionit, por deri më sot nuk është zhvilluar asnjë takim/dëgjesë.

Po kështu, Vendimi fton shprehimisht Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian, OSBE-në dhe organizatat e tjera ndërkombëtare me ekspertizë në fushën e qeverisjes vendore të ndjekin dhe të japin asistencë teknike në punën e Komisionit.Për këtë arsye, konsideroj se një produkt përfundimtar i Komisionit, nga cilido krah të vijë ai, nuk mund të konsiderohet i plotë pa iu nënshtruar më parë një opinioni institucional nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale i Këshillit të Evropës. Ky institucion është organi më i specializuar i Këshillit të Evropës në fushën e demokracisë vendore dhe zbatimit të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore. Marrja e opinionit të tij do të garantonte që reforma të jetë në përputhje me standardet evropiane të decentralizimit, autonomisë vendore dhe demokracisë lokale, duke i dhënë asaj legjitimitet më të madh institucional dhe ndërkombëtar.

Reforma administrativo-territoriale është një reformë me pasoja afatgjata për organizimin institucional të Republikës së Shqipërisë. Për këtë arsye, ajo nuk duhet të përfundojë në mënyrë formale vetëm për shkak të skadimit të afatit të Komisionit, por vetëm pasi të jenë realizuar të gjitha objektivat e miratuara në projektkalendar dhe të jetë siguruar një proces konsultimi i plotë, transparent dhe në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës.

Për sa më sipër, ju kërkoj që, në ushtrim të kompetencës së parashikuar në pikën V të Vendimit nr. 75/2025, Kuvendi të marrë masat:

Për zgjatjen e mandatit të Komisionit me 3 (tre) muaj, në mënyrë që të vijojë puna e Komisionit edhe gjatë muajit gusht dhe të mos konsiderohet e përfunduar veprimtaria e tij, dhe të merret paraprakisht opinioni zyrtar i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës mbi produktin/rekomandimet/sugjerimet e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale.

Me respekt,

Luçiano BOÇI

Bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën

Administrativo-Territoriale

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco