Fatura e sherrit personal mes kryemnistrit Edi Rama dhe biznesmenit italian Francesco Becchetti nuk ka të mbaruar dhe vetëm rëndohet. Ministria e Financave zbuloi se vetëm fatura e avokatëve që shteti shqiptar ka përdorur në konfliktin me Becchettin ka arritur në shifrën tronditëse 10.26 milionë euro.

Sipas dokumentave të Financave, deri më tani buxheti i shtetit ka likujduar plot 6 milionë euro për studiot avokatore që kanë përfaqësuar Shqipërinë në proçeset gjyqësore të arbitrazhit për këtë konflikt, ndërkohë që mbeten për t'u paguar edhe 4.2 milionë euro të tjera si detyrime.
Këto janë vetëm paratë që qytetarët kanë paguar për avokatët që kanë mbrojtur qeverinë në konfliktin me Becchettin dhe nuk përfshijnë dënimin 110 milionë eurosh, që Gjykata e Arbitrazhit dha kundër Shqipërisë për këtë çështje.
Ndonëse qeveria ka tentuar disa herë ta anullojë dënimin në apele dhe gjykata të tjera përtej arbitrazhit deri më tani ka dështuar gjithmonë.
Rasti më i fundit ishte muajin e kaluar në Francë, ku qeveria shqiptare tentoi të anullojë dënimin në Gjykatën e Apelit të Parisit, por Gjykata e hodhi poshtë kërkesën me argumentin se nuk ka fuqi ligjore të rrëzojë një vendim arbitrazhi.

Ndërkohë biznesmeni italian ka bllokuar prej vitesh të ardhurat që Shqipëria përfiton nga hapësira ajrore. Sipas të dhënave nga Albcontrol, shoqëria shtetërore që menaxhon hapësirën ajrore të Shqipërisë, deri në fund të vitit 2024, shuma e bllokuar e këtyre të ardhurave në Bruksel është 13.7 miliardë lekë ose rreth 145 milionë euro.

Informacionet për këtë çështje mbeten konfidenciale dhe nuk dihet saktë nëse Becchetti i ka konfiskuar përfundimisht këto para. Disa media të huaja kanë raportuar se përmbaruesit e biznesmenit italian i kanë marrë paratë, por qeveria e mohon këtë duke pranuar vetëm se ato janë të bllokuara në llogari.
Pavarësisht kësaj, qytetarët shqiptarë kanë paguar nga taksat e tyre mbi 70 milionë euro për të shpëtuar nga falimentimi Albcontrolin, para të cilat fillimisht u dhanë si hua nga qeveria, por më pas u transeruan si transfertë kapitale e veçantë nga fondi i investimeve./Kapitali
© SYRI.net