Deputetët e opozitës në Komisionin e Përbashkët BE–Shqipëri kanë falënderuar eurodeputetët që mbështetën qëndrimet e tyre në Parlamentin Europian, përmes miratimit të 35 amendamenteve konkrete.
Në një deklaratë të përbashkët, përfaqësuesit e PD-së u shprehën se vota e eurodeputetëve është një mesazh se integrimi europian nuk mund të ndërtohet mbi propagandë, por mbi reforma reale, rezultate konkrete dhe përgjegjësi institucionale.
Sipas opozitës, amendamentet e miratuara tregojnë se Europa kërkon shtet ligjor, konkurrencë të ndershme, mbrojtje të pronës, drejtësi të pavarur dhe institucione që u shërbejnë qytetarëve.
Deputetët e PD shprehën gjithashtu keqardhje ndaj deputetëve socialistë, të cilët sipas tyre vijuan me të njëjtën qasje dhe penguan miratimin e amendamenteve.
“Keqardhje për deputetët e PS-së, të cilët zgjodhën të vazhdojnë me të njëjtën qasje, duke vendosur veton për të penguar miratimin e këtyre amendamenteve dhe duke i shërbyer interesit të ngushtë partiak e personal, në vend të interesit të Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë”, thuhet në deklaratë.
Opozita thekson se integrimi europian nuk duhet të mbetet një slogan politik, por të përkthehet në mirëqenie, siguri dhe mundësi më të mira për qytetarët shqiptarë.
DEKLARATË E ANËTARËVE TË OPOZITËS NË KOMISIONIN E PËRBASHKËT BE-SHQIPËRI
Faleminderit eurodeputetëve që mbështetën me votën e tyre qëndrimet e opozitës në Komitetin e Stabilizim-Asociimit në Parlamentin Europian, të pasqyruara në 35 amendamente konkrete. Mbështetja e tyre është një dëshmi e qartë se integrimi europian nuk ndërtohet mbi propagandën, por mbi reforma të vërteta, rezultate konkrete dhe përgjegjësi institucionale.
Miratimi i këtyre amendamenteve nga eurodeputetët përcjell një mesazh të qartë: Europa nuk pranon ligje vetëm në letër dhe as një integrim fasadë. Ajo kërkon shtet ligjor, konkurrencë të ndershme, mbrojtje të pronës, drejtësi të pavarur dhe institucione që u shërbejnë qytetarëve.
Keqardhje për deputetët e PS-së, të cilët zgjodhën të vazhdojnë me të njëjtën qasje, duke vendosur veton për të penguar miratimin e këtyre amendamenteve dhe duke i shërbyer interesit të ngushtë partiak e personal, në vend të interesit të Shqipërisë dhe të qytetarëve shqiptarë.
Shqipëria nuk ka nevojë për një sistem që punon për pakicën, por për një shtet që punon për shumicën. Integrimi europian nuk duhet të mbetet një slogan propagandistik, por të shndërrohet në mirëqenie, siguri dhe mundësi më të mira për çdo qytetar shqiptar.
© SYRI.net