Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, deklaroi se afera e kompanisë shtetërore KAYO nuk është më thjesht një çështje administrative e Ministrisë së Mbrojtjes, por një skandal që prek sigurinë kombëtare, fondet publike dhe reputacionin e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.
Sipas Balliut, përgjegjësia politike për këtë skemë nuk rëndon vetëm mbi zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes, por mbi Kryeministrin Edi Rama dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Deputeti demokrat theksoi se Belinda Balluku është firmëtarja e vendimeve që krijuan KAYO dhe i hapën rrugë partneriteteve të diskutueshme në industrinë ushtarake, ndërsa Edi Rama, si kreu i qeverisë, mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë politike për mënyrën se si është ndërtuar dhe mbështetur kjo skemë.
Balliu ngriti shqetësimin se, pavarësisht denoncimeve publike, Belinda Balluku rezulton të jetë takuar sërish me Ron Yeffet, duke thelluar, sipas tij, dyshimet mbi këtë aferë.
Ai rikujtoi se Ron Yeffet bleu 49% të aksioneve të TIMAK për vetëm 490 euro dhe se, pak javë më pas, u krijua TIMAK Defence në partneritet me KAYO, ku shteti shqiptar mbeti me vetëm 20% të aksioneve, ndërsa kontrolli efektiv kaloi në duart e privatit. Sipas Balliut, më pas të paktën 10.5 milionë euro nga fondet publike u orientuan drejt kësaj strukture.
Deputeti demokrat ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi lidhjet e Ron Yeffet me shtetasin rus David Ghubalashvili dhe kërkoi transparencë të plotë për verifikimet e sigurisë të kryera nga institucionet shqiptare.
Në deklaratën e tij, Balliu kritikoi edhe bashkëpunimin me Elbit Systems, duke pretenduar se qeveria shqiptare e përfshiu kompaninë në projekte strategjike, pavarësisht raportimeve ndërkombëtare që ngrinin shqetësime mbi të.
Ai u ndal edhe te investimet në mbrojtje, duke deklaruar se Shqipëria ende nuk ka përmbushur objektivin prej 2% të PBB-së për shpenzimet ushtarake dhe se, sipas tij, qeveria ka përfshirë edhe shpenzime të emergjencave civile për të paraqitur një nivel më të lartë investimesh.
Balliu deklaroi se problemi nuk është mungesa e fondeve, por korrupsioni dhe marrëveshjet e errëta, të cilat, sipas tij, po dëmtojnë aftësinë mbrojtëse të vendit dhe po cenojnë besimin e aleatëve të Shqipërisë.
Në përfundim, ai kërkoi transparencë të plotë për kontratat, fondet dhe garancitë shtetërore që lidhen me KAYO, duke theksuar se përgjegjësia politike për këtë aferë bie mbi Edi Ramën dhe Belinda Ballukun, të cilët, sipas tij, duhet të japin llogari para qytetarëve.
© SYRI.net