'Kontrollohen edhe profesionistët për t’i intimiduar'/ Koja: Patronazhimi ka rikthyer frymën e luftës së klasave

08:54, 09/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

E ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, urbanistja Entela Koja u shpreh se fenomeni i patronazhimit ka shkuar përtej monitorimit të qytetarëve, duke krijuar, sipas saj, një klimë të ngjashme me “luftën e klasave”, ku çdo mendim ndryshe trajtohet si kundërshtar.

Koja tha se gjatë viteve të fundit është forcuar një frymë përjashtuese, ku, sipas saj, mesazhi është “ose je me ne, ose je kundër nesh”. Ajo argumentoi se pushteti nuk pranon opozitën apo mendimin ndryshe, gjë që, sipas saj, ka sjellë pasoja në mënyrën e qeverisjes dhe ka favorizuar gabime të mëdha.

Urbanistja u ndal edhe te përvoja e saj personale, duke deklaruar se, si profesioniste me licencë private, është përballur me kontrolle të vazhdueshme dhe verifikime që, sipas saj, shkojnë përtej kufijve të parashikuar nga ligji. Ajo tha se këto praktika përdoren për të ushtruar presion dhe për të intimiduar ata që kundërshtojnë pushtetin.

Sipas Kojës, patronazhimi nuk kufizohet vetëm te mbledhja e të dhënave personale, por shtrihet në ndjekjen e qytetarëve në marrëdhëniet e tyre me institucionet shtetërore, duke krijuar një klimë frike dhe vetëcensure. Ajo shtoi se mungesa e reflektimit dhe korrigjimit të këtyre praktikave tregon, sipas saj, ose paaftësi të institucioneve ose se ato zbatohen me qëllim.

Koja:

Në fakt, më shumë se patronazhim unë do t'i thoja, këto kanë krijuar një frymë që dikur e kemi parë... je me ne ose s'je me ne, ose ideja e, ndryshe, luftës së klasave i them unë. Domethënë, këta kanë sjellë një frymë që... unë jam e brezit, domethënë, unë kam mbaruar në 92-shin universitetin dhe megjithëse në vitet 80 komunizmi kishte rënë, prapë pa diskutim ne jemi rritur në atë idenë që lufta e klasave i ndante njerëzit në grupe.

Pra, o je me ne, o je kundra nesh dhe kundra nesh do të thotë që në çdo gjë të goditesh. Kjo frymë, çuditërisht, sidomos të 10-vjeçarin e fundit është futur e fuqishme dhe nuk ka të bëjë thjesht me patronazhimin. Ka të bëjë me faktin që në qoftë se ju nuk mendoni si ne, jeni kundër nesh. Domethënë, nuk pranohet asnjë opozitë, nuk pranohet asgjë e cila... ajo që kanë ata, kanë krijuar ky sistem, është shoqëria ideale, gjë që e ka çuar në këtë pikë ku jemi sot. Domethënë, fakti që ata nuk pranojnë, estabilishmenti e them unë në përgjithësi, po themi të gjithë njerëzit që kanë pushtet dhe kanë në dorë diçka, qoftë një plan, qoftë një... duke filluar nga gjërat e thjeshta deri tek gjërat më të komplikuara.

Fakti që këta nuk pranojnë asnjë lloj opulence, asnjë lloj mendimi ndryshe, i bën ata të ekspozuar ndaj gjithë këtyre gabimeve të mëdha që të vijnë më pas. U përpoqa ta them thjesht, po e ndërlikova pak bisedën. Patronazhimi është një koncept i elaboruar sidomos kur doli kjo fjala patronazhist, ku ti ndiqesh këmba-këmbës, që nga fatura e dritave deri tek çdo gjë që ti kalon në institucione shtetërore. Në rastin tim, unë jam person i cili ka një licencë, po themi private, dhe ndjekja këmba-këmbës vjen deri aty sa ti gjëmohesh në atë historikun tënd me dekada përpara.

Ndërkohë që ligjet i kanë të kufizuara ndjekjet dhe penalizimet... në rinovime licencash, në rinovime... domethënë, pa dashur të bëj viktimën, po arrin deri aty sa ti shikohesh deri në gjëra që nuk e ke menduar që të kontrollohen. Të gjitha këto për të të intimiduar, të gjitha këto për të bërë që të ulësh atë, po themi, luftën që ke me oponencën që i bën këtij pushteti. Në çfarëdo lloj niveli, që nga një zyrë e thjeshtë, nga një shërbim i thjeshtë, deri tek pastaj ato profesionale, pa diskutim. I ndjekin shumë, i ndjekin shumë sepse ti vë re që ata nuk kanë tendencën ta korrigjojnë.

Dhe fakti që ata nuk kanë tendencën ta korrigjojnë tregon ose paaftësi shumë të madhe të të gjithë këtyre, ose pastaj të qëllimshme. Domethënë, këto janë gjëra të bëra me qëllim pikërisht kështu.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco