Gazeta franceze: Rama i konsumuar nga korrupsioni, shqiptarët po protestojnë kundër tij prej një muaji

Gazeta franceze: Rama i konsumuar nga korrupsioni, shqiptarët po protestojnë kundër tij prej një muaji

12:42, 29/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Prej një muaji tashmë, shqiptarët protestojnë në rrugët e Tiranës për të denoncuar një projekt turistik luksoz të dhëndrit të Donald Trump dhe bashkëshortes së tij, Ivanka Trump, në një nga zonat e mbrojtura të vendit. Ata akuzojnë kryeministrin dhe qeverinë për korrupsion.

Nga Agnes Rotivel, LA CROIX

Zemërimi në Shqipëri nuk është shuar ende.

Që kur, në fund të muajit maj, u zbuluan telat me gjemba në plazhet e Zvërnecit, rreth 150 kilometra në jugperëndim të Tiranës, shqiptarët nuk kanë reshtur së marshuari në rrugët e kryeqytetit për të protestuar kundër projekteve turistike të vajzës së presidentit amerikan, Ivanka Trump, dhe bashkëshortit të saj Jared Kushner, në ishullin e Zvërnecit.

Të shtunën në mbrëmje, disa mijëra protestues marshuan në kolonë, duke mbajtur figura gjigante të flamingove rozë dhe pankarta ku lexohej: "Resign" ("Jep dorëheqjen").

Megjithëse kjo çështje është e mbuluar ende nga shumë paqartësi, çifti thotë se ka blerë dokumentet e pronësisë për tokën ku do të ndërtohej një pjesë e hoteleve.

Dhe kjo pavarësisht faktit se bëhet fjalë për një zonë të mbrojtur.

Ata mbështeten në një ligj të muajit shkurt 2024, i cili e bën të mundur realizimin e projekteve të tilla, edhe në zona të ndjeshme mjedisore.

I ndodhur rreth dhjetë kilometra nga qyteti i Vlorës, ishulli i Zvërnecit lidhet me pjesën tjetër përmes një moli të gjatë prej druri që gjarpëron mbi ujërat e qeta.

Ishulli, pothuajse i mbuluar tërësisht me pyll pishe, si edhe laguna që e rrethon, janë pjesë e peizazhit të mbrojtur Vjosa–Narta, një zonë e njohur për biodiversitetin e saj të pasur.

Ky ekosistem strehon shumë lloje shpendësh, ndër të cilët flamingot rozë dhe pelikanët kaçurrelë, dy specie të rrezikuara që shumohen vetëm në lagunën e Nartës.

Një kryeministër i konsumuar nga vitet në pushtet dhe korrupsioni

Që nga fillimi i protestave, kryeministri Edi Rama nuk ka reshtur së talluri me protestuesit, madje në një intervistë për Financial Times u kërkoi atyre "të shkojnë të q*en".

Që nga fillimi i qershorit, të paktën njëqind protestues janë vënë nën hetim, të akuzuar për: bllokim të qarkullimit të automjeteve; prishje të rendit publik; organizim dhe pjesëmarrje në tubime dhe protesta të paligjshme.

Megjithatë, zemërimi i protestuesve nuk drejtohet vetëm kundër projektit të familjes Kushner, por edhe kundër kryeministrit shqiptar, i cili ndodhet në pushtet që nga viti 2013.

Ata e konsiderojnë atë përgjegjës për: rritjen e kostos së jetesës; korrupsionin; problemet e sistemit shëndetësor; pensionet e pamjaftueshme; mungesën e perspektivës për një pjesë të madhe të të rinjve, të cilët prej vitesh nuk shohin zgjidhje tjetër veçse të largohen masivisht nga Shqipëria.

Nga ana tjetër, familja Kushner nuk është në përpjekjen e saj të parë për investime në Ballkan.

Në Serbi, në dhjetor të vitit 2025, kompania e investimeve Affinity Partners, në pronësi të Jared Kushner, u detyrua të tërhiqte projektin për ndërtimin e një hoteli luksoz mbi rrënojat e ish-selisë së ushtrisë jugosllave në Beograd.

Ky kompleks ishte bombarduar në vitin 1999 gjatë fushatës ajrore të NATO-s, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për t'i dhënë fund luftës në Kosovë (1998–1999).

Projekti u rrëzua pas protestave në rrugë dhe ishte njollosur gjithashtu nga akuza për korrupsion dhe përdorim dokumentesh të falsifikuara.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco