Për të 27-ën ditë me radhë, qytetarët vazhduan protestën kundër qeverisë socialiste, me kërkesën e panegociueshme për dorëheqjen e kryeministrit Rama. Oratorët lexuan letrën e një arkitekti holandez drejtuar kryeministrit, ku shkruhej se ai duhet të bëhej mbret dhe se Shqipëria nuk duhet të kishte zgjedhje, ndërsa theksuan se ky ishte një shembull i shitjes së vendit, pasi sipas tyre arkitektët bashkëpunojnë për përfitime financiare në ndërtimin e kullave në bashkëpunim me grupe kriminale. Pas më shumë se dy orësh, qytetarët marshuan në kryeqytet me thirrje kundër qeverisë socialiste.
Për të 27-ën ditë radhazi, qytetarët kanë vazhduar protestën e tyre kundër qeverisë socialiste dhe kryeministrit Rama. Me thirrjet për dorëheqjen e shefit të qeverisë, si zakonisht qytetarët nisën marshimin nga Sheshi “Skënderbej” në drejtim të godinës së Kryeministrisë. Nga sheshi para godinës qeveritare, oratorët përsëritën kërkesat e tyre, duke theksuar se nuk do të negociojnë për asgjë tjetër përveç dorëheqjes së kryeministrit. Ata akuzuan shefin e qeverisë se po rrit presionet dhe kërcënimet ndaj qytetarëve për të mos marrë pjesë në protesta, duke e krahasuar qeverisjen socialiste me atë të diktatorit Kim Jong-un në Korenë e Veriut.
Një vëmendje e veçantë gjatë protestës mori edhe letra e arkitektit holandez drejtuar kryeministrit Rama, ku shprehej shqetësimi se PS-ja mund të mos fitonte zgjedhjet dhe thuhej se kryeministri duhej të bëhej mbret pas fitores së mandatit. Protestuesit theksuan se letra ngre një debat më të gjerë mbi prirjet autokratike në qeverisje dhe dobësimin e alternativave demokratike.
Pas më shumë se dy orësh qëndrimi para Kryeministrisë, qytetarët marshuan në pikat kryesore të kryeqytetit me thirrje kundër qeverisë socialiste. Ndërkohë, protestat kanë vijuar edhe në Korçë, Gjirokastër dhe qytete të tjera të vendit.
© SYRI.net