Turizmi/ Shifrat fshehin realitetin tronditës, Topuzi: Më shumë se gjysma janë tranzit nëpër Shqipëri

Turizmi/ Shifrat fshehin realitetin tronditës, Topuzi: Më shumë se gjysma janë tranzit nëpër Shqipëri

09:55, 25/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Pavarësisht entuziazmit të vazhdueshëm për rritjen e numrit të turistëve dhe lulëzimit të sezonit veror, realiteti i turizmit në Shqipëri vuan nga probleme kronike që fshihen pas shifrave sipërfaqësore. Një analizë e fundit tregon se vendi po dështon në zbatimin e strategjive të mirëfillta të zhvillimit, duke u mjaftuar me ndërhyrje të thjeshta kozmetike që nuk sjellin qëndrueshmëri afatgjatë.

Kryetari i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit, Zak Topuzi, nga studioja e “Kafe Shqeto” në Syri tv gjatë një bisedë me moderatorin Flavio Qarri tha se, të dhënat konfirmojnë se Shqipëria nuk po arrin të konkurrojë me rajonin, duke u gjendur e papërgatitur përballë zhvillimeve. Ndërsa vende si Greqia kanë një avantazh prej dekadash dhe po zbatojnë me sukses modelin 'mixed-use' që e mban turizmin gjallë 12 muaj të vitit, turizmi vendas po humbet terren. Infrastruktura e re rrugore në rajon, si autostradat që lidhin Prishtinën apo Shkupin me Selanikun, po lehtëson largimin e pushuesve drejt Greqisë. Edhe pse turistët nga Kosova, Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi mund të bëjnë disa vizita të shkurtra në Shqipëri, pushimet e tyre kryesore dhe më cilësore zgjedhin t'i kalojnë jashtë vendit.

Zak Topuzi: Shiko, problemi është se Shqipëria është në sëmundje kronike dhe është e vështirë të shërohet me ndërhyrje kozmetike, domethënë. Kështu që ne vazhdojmë të bëjmë gabime, domethënë bëjmë strategji shumë të mira por nuk i zbatojmë asnjë, në të gjitha fushat. Dhe sigurisht që do kemi probleme, domethënë, pavarësisht nga anët pozitive, nga arritjet që janë bërë këto 30 e ca vjet në turizëm, po jemi më keq se rajoni. Nuk arrijmë dot të konkurrojmë, pavarësisht dëshirës që kemi ne edhe egos që kemi. Na kapin të papërgatitur situatat kur fjala vjen, heqja e vizave me Kosovën na kapi të papërgatitur. Ne duhet të kishim përfunduar disa rrugë hyrëse, lidhëse kryesore që t'ja lehtësonim atyre ardhjen në Shqipëri. Sidomos kontigjentit që ka të ardhura, dhe pushimet kryesore ata t'i bënin në Shqipëri. Ata gjetën rrugën më të thjeshtë, domethënë, Greqia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, po këta arritën ta përfundojnë ta lidhin me Greqinë shumë shpejt.

Dhe autostrada Prishtinë-Shkup-Selanik, ju jep atyre mundësi që të kalojnë fundjavën, të bëjnë pushime cilësore. Jo se ata nuk vijnë në Shqipëri, ata do vijnë, por në qoftë se ti bën katër-pesë pushime të shkurtra, pushimin kryesor aty ku ti paguan dhe do ta bësh cilësor, ai e bën jashtë, pra nuk e bën në Shqipëri. Dhe prandaj edhe një pjesë e turistëve shqiptarë i bëjnë pushimet jashtë për të kombinuar dhe për të gjetur këtë lloj shërbimi i cili ne na mungon. Pra ne kemi vetëm 1% hotele me pesë yje dhe resorte. Ndërkohë që rajoni, po themi, Kroacia dhe Mali i Zi, kanë shtatë deri në dhjetë herë më shumë. Pra ata arritën që brenda këtij 20-vjeçari ta kuptojnë që turizmi është industria e rëndë e jona. Domethënë, ne, ky Ballkani i vogël, këtë gjë do na lënë të bëjmë, turizëm dhe bujqësi. Greqia e ka kuptuar 40 vjet përpara, vazhdon, është bërë lider, nuk prodhon as makina, asnjë lloj gjëje. Ka hyrë me ato kuotat dhe s'konkurron dot, ama me turizmin konkurron pothuajse të gjithë. Një vend me 11 milionë, 12 milionë banorë, konkurron Spanjën, Turqinë, me rreth 60, superfuqitë e botës. Dhe është lider në turizmin elitar, në turizmin e veçantë, masiv. Ka diapazonin historik, ka diapazonin më të madh të çmimeve nga minimumi deri në maksimum.

Pra, që i jep mundësi çdo lloj turisti të shkojë aty dhe të gjejë veten. Domethënë nuk është e thënë që ti duhet të marrësh hotel 1000 euro, po ke edhe shtëpi me 50 euro, me 40 euro, apartament. Mund të krijosh kushte, mund të rrish në një vend pa çadër fare. Mund të rrish me çadër, por mos paguash çadrën por të pish një kafe, dhe ti paguan vetëm kafen. Domethënë kanë gjetur zgjidhje duke e kuptuar që kjo është e ardhmja e Greqisë. Dhe në fakt turizmi e nxori nga kriza, e vërtetë, dhe i pagoi 10 vjet para atë paratë. I pagoi, dhe mos harro se në rast se gjërat e tjera lidhen me prodhim, do naftën ta përpunosh, ta bësh makineri, turizmin ta jep diellin zoti, detin ja ka dhënë zoti, dhe ti nuk ke nevojë më për të lënë trutë, nuk ke nevojë për investime, domethënë kuptimin e lëndëve të para e gjëra. Pra, ti mjafton t'i bësh hyzmetin detit, ta shtrish sezonin në 12 muaj, dhe ky është tani suksesi më i madh, domethënë. Kush arrin të bëjë kombinime të turizmit në mënyrë që ti ta mbash zonën 12 muaj të vitit, dhe ky është modeli 'mixed use' që është e vështirë ta kuptojnë shumë veta, pra ka gati 20 vjet që ka hyrë ky lloj modeli.

Turqia hoqi dorë më tani nga modeli futu, vë një rrip, ha, pi edhe vërtitu brenda një territori sado i bukur të jetë ai. Doli modeli 'mixed use' ku kombinohen të gjitha. Hotele me pesë yje, port jahtesh, restorant fast food, restorant Michelin, domethënë dhe ti ndihesh njësoj si fshati që punon aty si një miliarder. Domethënë jetojnë në të njëjtin territor. Sidomos është e mirë për komunitetin, të cilët gjejnë mundësi të punojnë. Dhe aty nuk ka vetëm hotele me pesë yje, por ka apartamente, ka vila, ka çdo lloj gjëje, shërbime 24 orë, domethënë gjatë gjithë 12 muajve. Dhe funksionon si një e tërë, dhe i jep mundësi njerëzve ta ndiejnë turizmin jo thjesht si koncept luksi, por si një atraksion, si një mënyrë e veçantë, si lidhje me territorin, me natyrën e vendit, me arkitekturën e vendit.

Flavio Qarri: Nuk të shoh shumë entuziast për verën e 2026-ës.

Zak Topuzi: Jo, nuk është çështja, domethënë tani nuk ka më shifra dyshifrore, domethënë tani pak a shumë rritja është 5-6%. Ka një diskutim të gjatë për numrin e turistëve. Ne si ekspertë nuk diskutojmë më sepse e kemi mbyllur ciklin, pra nuk është ky numri i turistëve që vijnë në Shqipëri. Më shumë se gjysma janë tranzit nëpërmjet rrugëve të kalimit, pasi Shqipëria është rrugë kalimi qoftë tokësore, qoftë ajrore. Aeroporti i Rinasit i ka dhënë mundësi të gjithë zonës të lëvizë nëpër Shqipëri. Duke qenë se 85% e të gjithë turistëve janë rajonalë, kuptohet vetë që nuk është se ai turisti thjesht po vjen të bëjë pushime, ai edhe mund të kalojë tranzit. Dhe këto janë elementë që mund të vërtetohen dhe mirë është që INSTAT-i ti nxjerrë të sakta, në mënyrë që analizat që bëhen të jenë të sakta. Nuk ka mundësi që nga Mali i Zi të vijnë 660 mijë turistë, pra 110% e popullsisë para tre vjetësh kishte 10 – 15 %. Ne nuk arrijmë dot ta konkurrojmë Malin e Zi qoftë edhe zonat periferike si Ulqinin e këto. Atëherë si mund të vijnë këta të bëhen turistë në Shqipëri? Kështu që duhet një analizë e thellë për të nxjerrë konkluzione ku çalojmë dhe çfarë duhet të përmirësojmë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco