Lajmi i fundit

LIVE - Kuvendi në seancë plenare

Çepani: PE ishte e qartë, ndalni ndërtimet në zonat e mbrojtura, qytetarët po bëjnë detyrën, tani deputetët

Çepani: PE ishte e qartë, ndalni ndërtimet në zonat e mbrojtura, qytetarët po bëjnë detyrën, tani deputetët

10:48, 18/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Rezoluta e fundit e Parlamentit Europian lexohet si një mesazh i qartë, i zhveshur nga gjuha diplomatike evasive. Edlira Çepani, aktivistja e shoqërisë civile e ftuar në ‘Kafe Shqeto’ thotë se tashmë qytetarët me protestat po bëjnë punën e tyre, tani topi është në fushën e deputetëve shqiptarë për të dëgjuar sheshin ashtu siç bëri Europa, duke ndërmarrë nisma serioze.

Pjesë nga biseda në studio

Edlira Çepani: Jemi mësuar që kur flasim për raportet e ndërkombëtarëve, kemi palë të ndryshme që i lexojnë në mënyra të ndryshme, sepse normalisht raportet ndërkombëtare janë raporte të cilat shkruhen me gjuhë diplomatike. Por me një gjuhë e cila dje ishte më e qartë se kurrë. Jo vetëm nga raporti përfundimtar, dhe jo vetëm nga gjithë votat që ai mori, por edhe nga të gjitha fjalimet siç i keni dëgjuar të eurodeputetëve. Një nga gjërat më të dhimbshme, por edhe të bukura që ka Parlamenti Europian, është që këta deputetë kanë lirinë dhe guximin për të folur mendimin e tyre pa u anatemuar brenda partive apo shteteve përkatëse. Është një gjë që do kisha dashur shumë ta shihja në parlamentin shqiptar, ku janë shumë të paktë deputetët të cilët edhe në këto ditë protestash po merren realisht me protestën. Ndërkohë që qindra mijëra vetë protestojnë jashtë dyerve, kanë ditë të tëra në shesh, në parlamentin tonë vetëm shumë pak deputetë e shohin këtë gjë dhe diskutojnë realisht mbi problematikat që protestuesit kanë ngritur.

Deputetët kanë kompetenca të cilat nuk janë përdorur mjaftueshëm, që nga interpelancat, te mocionet, deri te ngritja e zërit për shumë nga problematikat që mund të adresohen, ku njëra prej tyre është sigurisht edhe kodi zgjedhor. Ne si qytetarë e kemi në dorë deri në një farë pike, të shpallim kërkesat tona, të protestojmë me mekanizmin më demokratik që ekziston për padrejtësitë. Më pas janë ata që kemi zgjedhur për të na përfaqësuar, të cilët duhet ta marrin këtë stafetë. Edhe për sistemin zgjedhor, ndonëse kemi nisur një nismë ligjore qytetare për ta çuar në parlament me 20 mijë firma, ka mjaftueshëm deputetë në parlament që këtë proces ta bënin më seriozisht dhe më të përshpejtuar.

 Pra një sekond. Po thoni që në këto momente sheshi është gati për një bashkëpunim institucional me disa parti, duke pasur parasysh që edhe pse thuhet jo-politikë, ka pasur parti politike që nga dita e parë në shesh.

Edlira Çepani: Nuk ka lidhje sheshi me bashkëpunimin institucional. Institucionet duhet të bëjnë punën e tyre, qytetarët po bëjnë punën e tyre. Ata kanë treguar përgjegjësi, qytetari, këmbëngulje dhe po përdorin mekanizmat që legjislacioni u vë në dispozicion për të thënë fjalën e tyre. Kaq kanë në dorë. Institucionet kanë shumë më tepër.

Të gjithë deputetët përtej partive politike duhet të bëjnë gjëra të caktuara, të cilat nuk po i bëjnë ende. Ashtu si Parlamenti Europian na dëgjoi, tani duhet të na dëgjojë edhe parlamenti ynë. Nuk është çështje bashkëpunimi, është çështje përgjegjësie.

Ne bëjmë punën tonë si qytetarë, paguajmë taksat. Ndërkohë ata që na përfaqësojnë na i vjedhin taksat, i quajnë pastrim parash dhe vrasin çdo lloj konkurence apo tregu të lirë. Ata europarlamentarë dolën dhe folën me një zë shumë të qartë dhe kritik. Ata ishin shumë të qartë që ligji për të cilin diskutohej duhet patjetër të shfuqizohet, duhet të ketë moratorium dhe që ka një krizë e cila duhet zgjidhur. Nuk ka vend për interpretim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco