Deputeti i PD, Belind Këlliçi ka reaguar pas pretendimeve të koleges së saj socialiste, Marjana Koçeku, pas kërcënimeve të kësaj të fundit nga grupi kriminal i Bajrave.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Këlliçi shkruan se edhe pse nuk ka ende një reagim institucional, gjithçka duket e besueshme, në një kohë kur sipas tij, është e ditur tanimë se shtabi i vërtetë elektoral i Edi Ramës në Shkodër janë pikërisht Bajrat.
‘...kërcënimi mund të ketë ndodhur teksa deputetja Koçeku prej dy ditësh është nën një trysni dhe sulm të vazhdueshëm nga panelistët, skifterët politikë dhe patronazhistët e Edi Ramës për aktin që ndërmori’, shkruan Këlliçi.
Deputeti demokrat kërkoi nga hetuesit të zbardhin rastin e kërcënimit të ligjvënëses socialiste, ndërsa shton se kërcënimet në Shqipërinë e Edi Ramës, ku qeveria është e lidhur me krimin dhe me bandat, ndodhin në mënyrë permanente.
Statusi
Kryesuesja e listës për Qarkun e Shkodrës, e përzgjedhura e Edi Ramës, e cila pas protestave vendosi të largohet nga grupi parlamentar i PS, ka lënë të kuptohet sot se është kërcënuar nga Bajrat.
Nuk ka ende një reagim institucional, por gjithçka duket e besueshme kur dimë se shtabi i vërtetë elektoral i Edi Ramës në Shkodër janë pikërisht Bajrat.
Po ashtu, kërcënimi mund të ketë ndodhur teksa deputetja Koçeku prej dy ditësh është nën një trysni dhe sulm të vazhdueshëm nga panelistët, skifterët politikë dhe patronazhistët e Edi Ramës për aktin që ndërmori.
I bëj thirrje Policisë së Shtetit që të reagojë menjëherë, të marrë masat e nevojshme dhe Prokuroria të nisë hetimet.
Deklarata si këto që dalin në media, ku drejtuesit e policisë shprehen se nuk na ka mbërritur ankesë, janë skandaloze.
Deputetja e Kuvendit ka ngritur publikisht një akuzë. Dhe këto kërcënime në Shqipërinë e Edi Ramës, ku qeveria është e lidhur me krimin dhe me bandat, ndodhin në menyrë permanente.
Ky zhvillim tregon edhe një herë të vërtetën e zgjedhjeve të 11 majit dhe të të gjitha votimeve me Edi Ramën kryeministër.
Largimi i tij sot është jo vetëm kërkesë e popullit në shesh, por një emergjencë kombëtare.
© SYRI.net