Një denoncim i fortë është bërë nga anëtarja demokrate e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Ilda Zhulali, e cila deklaroi se Bashkia e Tiranës ka fshehur prej muajsh një krizë të rëndë që lidhet me depozitimin e dherave të ndërtimit dhe menaxhimin e mbetjeve urbane në kryeqytet.
Sipas saj, landfilli i Sharrës nuk pranon më prej kohësh dherat e gërmimeve, ndërsa Bashkia nuk ka ndërmarrë asnjë hap zyrtar për të adresuar situatën, duke sjellë hedhjen ilegale të tyre në zona të ndryshme të Tiranës.
Denoncimi u bë gjatë një dëgjese publike maratonë me përfaqësues të EcoTiranës dhe drejtorive përgjegjëse të Bashkisë, ku sipas Zhulalit dolën në pah probleme të rënda në pastrimin e qytetit. Ajo ngriti pikëpyetje mbi transparencën e kontratës së EcoTiranës, ndërsa theksoi se kompania është gjobitur me 60 milionë lekë gjatë vitit 2025 për mos përmbushje detyrimesh, megjithëse fondet për të vazhdojnë të rriten.
Postimi i plotë:
Sot zbulova një skandal që Bashkia e Tiranës e ka fshehur me vetëdije prej muajsh.
Prej muajsh, dherat e gërmimeve të ndërtimtarisë në Tiranë nuk lejohen të depozitohen në landfillin e Sharrës. Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara që menaxhon atë landfill e ka bllokuar depozitimin e dherave.
Bashkia e di prej muajsh, por nuk ka dërguar asnjë shkresë zyrtare te Kryeministria, sepse ka frikë se rëndon pozitat e Erion Veliajt.
Dhe ndërkohë që Bashkia ri e paralizuar, kompanitë e ndërtimit i hedhin dherat nëpër Tiranë ilegalisht çdo ditë.
Ky skandal doli sot, bashkë me shumë të tjera, në dëgjesen publike ku mora pjesë për më shumë se 4 orë me EcoTirana dhe drejtoritë përgjegjëse të Bashkisë për pastrimin e Tiranës.
Sepse krahas krizës së dherave, ajo çfarë doli në pah për EcoTiranën ishte po aq e rëndë.
Ekziston një kontradiktë flagrante që çdo banor e jeton çdo ditë, por që zyrtarisht nuk ekziston.
Faturimet e EcoTiranas tregojnë një Tiranë të pastruar. Shifrat janë në rregull dhe detyrimet, sipas dokumenteve, përmbushen.
Por çdo banor që del në rrugë sheh diçka krejtësisht tjetër. Kazanë plehrash që derdhen prej ditësh, rrugë të pista, mbeturina në rrugë, lagje, kudo. Pra kush gënjen, faturimi apo sytë tanë?
Dhe pikërisht këtu administratori italian i EcoTiranas tha diçka që duhej dëgjuar me vëmendje, “Me këtë ritëm zhvillimi urban dhe me këtë ritëm pastrimi, Tirana do të jetë edhe më e ndotur.”
Me fjalë të tjera, vetë administratori i kompanisë pranoi që sistemi aktual nuk funksionon. E megjithate, kontrata e EcoTiranas mbetet e fshehtë. Asnjë këshilltar bashkiak nuk ka një pasqyrë të qartë mbi detyrimet kontraktuale, mbi atë çfarë duhet të bëjë kompania, mbi atë çfarë ka bërë dhe mbi atë çfarë nuk ka bërë.
Por një gjë e dimë dhe del nga vetë pohimi i drejtorisë përgjegjëse për monitorimin. Gjatë vitit 2025, EcoTirana është gjobitur me 60 milionë lekë (të reja) për mospërmbushje detyrimesh.
Por edhe kjo gjobë ngre pyetje të tjera: Nëse Bashkia di që EcoTirana nuk i përmbush detyrimet, pse vazhdon t’i rrisë fondet? Pse askush nuk ka një përgjigje dhe një plan se si do bëhet më e pastër Tirana?
Si konkluzion, shpreha, ndër të tjera qendrimin që asnjë fond i ri nuk duhet alokuar për EcoTirana pa bërë transparente kontratën publike, pa auditim të pavarur dhe pa sqarim të çështjes së aksionerëve.
Të merren masa, përfshire dërgimi urgjent i një shkrese zyrtare nga Bashkia te Kryeministria për krizën e landfillit të Sharrës, dhe perfundim i kontratës me kompaninë e incineratorit fantazëm që po çon qytetin në kolaps, ndërkohë që vazhdon të gllabërojë miliona euro tashmë ekskluzivisht nga buxheti i bashkisë Tiranë.
Hetim për arsyet pse këto probleme u fshehën me vetëdije prej muajsh nga Anuela Ristani.
Tirana nuk mund të mbetet peng as i burgosjes së Veliajt, as i paaftësisë ulëritëse të Ristanit!
© SYRI.net