Në Bruksel u mbajt Konferenca Ndërqeveritare mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, e cila erdhi pas miratimit të mundimshëm të raportit IBAR. Gjatë konferencës së përbashkët pas mbledhjes, zyrtarët e lartë të Bashkimit Europian i vunë në dukje Kryeministrit Rama se shtetet anëtare kanë vendosur piketa të forta që lidhen me luftën kundër korrupsionit, sistemin e drejtësisë dhe po ashtu deklaruan se Brukseli pret zbatim efektiv të reformave dhe rezultate të qëndrueshme.
SYRI TV
Mes skepticizmit të shumë prej vendeve anëtare, u mbajt në Bruksel konferenca ndërqeveritare mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, e cila erdhi pas disa muajsh negociata të vështira për miratimin e raportit IBAR, i cili ashpërsoi kushtet për vendin tonë. Pavarësisht frazave të ngrohta në nisje të konferencës për shtyp, komisionerja për zgjerimin Marta Kos vuri në dukje se shtetet anëtare kanë vendosur piketa të forta në këtë fazë të procesit të integrimit, të cilat lidhen me luftën kundër korrupsionit, drejtësinë dhe po ashtu i kujtoi Kryeministrit se ky proces duhet të përfshijë të gjitha forcat politike dhe shoqërinë civile.
Në këtë linjë ishte edhe përfaqësuesja e Qipros, Marilena Raouna, vend i cili ka presidencën e radhës së Bashkimit Europian, e cila theksoi se progresi do të matet me zbatimin efektiv të reformave dhe me rezultate të qëndrueshme.
I vetëdijshëm për kushtet e ashpra që Bashkimi Europian ka vendosur Shqipërisë, për nivelin e lartë të korrupsionit, pengimin e drejtësisë apo refuzimin e heqjes së imunitetit të Ballukut, Rama i shmangu totalisht këto çështje themelore nga retorika e tij dhe u përpoq të tërhiqte vëmendjen me batuta bajate e të zakonshme ndaj dy zyrtareve të Bashkimit Europian.
© SYRI.net