Kryeministri Rama është përpjekur të justifikojë bllokimin disa mujor të raportit IBAR duke thënë se ishte një “ballafaqim që mori kohën e vet”. Rama ka shmangur totalisht komentet për ndryshimin rrënjësor të raportit IBAR, dhe për të mbuluar përgjegjësitë direkte të qeverisë së tij ka kaluar në sulmet e zakonshme ndaj opozitës. Rama shmangu komentet për tekstin e ri i cili ndër të tjera reflekton alarmin e BE nga mbrojtja që Edi Rama i bëri ish-zëvendëses së tij Belinda Balluku dhe për vendosjen e kushteve të forta për mbylljen e kapitujve të negociatave të anëtarësimit.
Nga Syri TV
Ndërkohë që këshilli Europian konfirmoi ndryshimin e raportit te IBAR për Shqipërinë duke vendosur kushte të forta për mbylljen e kapitujve, Kryeministri Rama është përpjekur të transformojë totalisht këtë proces. Gjatë podcastit javor, Kryeministri Rama ka shmangur totalisht komentet për ndryshimin rrënjësor të raportit IBAR, krahasuar me të mëparshmin, dhe për të mbuluar përgjegjësitë direkte të qeverisë së tij për bllokimin disa mujor të marrëveshjes ka kaluar në sulmet e zakonshme ndaj opozitës. Ashpërsimin e gjuhës dhe po ashtu të kushteve për Shqipërinë në këtë raport, Rama u përpoq ta shesë si një “ballafaqim që mori kohën e vet”.
"Ai ballafaqim mori kohën e vet, ndërkohë që “molotovarët” e Tiranës u lëshuan të dëshpëruar në një ofensivë të pashoqe energjie negative'
Në fakt, për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e partnerëve tanë, kudo ku ishte e mundur, mblidheshin e hidheshin lart e poshtë për të kërkuar ndëshkim, bllokim e izolim për Shqipërinë, duke lënë kokrrën e namit si asnjë opozitë tjetër në historinë e integrimeve europiane të vendeve që sot janë pjesë e Bashkimit Europian apo synojnë të bashkohen me të" tha Rama.
Ndryshe nga sa deklaron Rama, raporti i ri i IBAR që u miratua nga COELA, ka ndryshime thelbësore dhe një retorikë shumë të ashpër sa u përket sulmeve nga nivelet më të larta të politikës ndaj sistemit të drejtësisë.
Teksti i ri reflekton alarmin që përfshiu vendet anëtare të BE nga votimi më 12 Mars në parlament, ku Edi Rama dhe Partia Socialiste refuzuan kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku duke shtuar një kapitull të vecantë për këtë çështje.
Një tjetër ndryshim thelbësor në draftin e ri, lidhet me çështjen e korrupsionit. Ndryshe nga drafti i mëparshëm korrupsioni nuk konsiderohet më “shqetësim serioz”, por “shqetësim thelbësor”.
Raporti thekson përhapjen e korrupsionit në të gjitha degët e qeverisjes qëndrore dhe lokale. Në raport përmenden sektorët më të rrezikuar nga korrupsioni që nga infrastruktura publike, kadastra dhe të drejtat e pronës, doganat, administrata tatimore, arsimi, shëndetësia, prokurimi publik dhe kontratat e Partneritetit Publik Privat.
Një ndryshim thelbësor në draftin e ri ka edhe sa i përket ndërhyrjeve të mazhorancës socialiste në deformimin e rezultatit të zgjedhjeve. Bie në sy fakti se për herë të parë BE përmend rrjetet e patronazhimit dhe kërkon marrjen e masave ndaj tyre.
Konferenca ndërqeveritare e 26 majit do të shërbejë për të konfirmuar përmbushjen e standardeve të ndërmjetme nga Shqipëria dhe për të vendosur standardet përmbyllëse për Grupin 1 'Themeloret', ndërkohë që Këshilli Europian ka vendosur kushte të forta për mbylljen e kapitujve të negocitave për procesin e integrimit.
© SYRI.net