Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta përshëndeti rezolutën e miratuar me konsensus nga Kuvendi për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian edhe pse tepër e vonuar si vetë procesi i integrimit europian të Shqipërisë.
Përmes një reagimi në facebook, Meta thotë se është momenti i një reflektimi të thellë për të rikthyer Parlamentin në kollonën mbajtëse të Republikes, të demokracisë dhe të llogaridhenies.
Reagimi
'Partia e Lirisë (LSI) lindi si domosdoshmëri për të zhbllokuar nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, e cila u nënshkrua vetëm pas rotacionit demokratik në vitin 2005.
Në atë kohë, Shqipëria ishte shumë përpara Malit të Zi dhe Serbisë, ndërsa tani situata është krejtësisht e kundërt dhe prapambetja e Shqipërisë në procesin e integrimit është tepër kritike.
Ndaj sot është momenti për një reflektim të thellë për të rikthyer Parlamentin në kollonën mbajtëse të Republikes, të demokracisë dhe të llogaridhenies.
Uroj që kjo Rezolutë t'i shërbejë këtij reflektimi të thellë që duhet të jetë real dhe të mos mbetet vetëm në letër, pasi Shqipëria nuk ka patur dhe nuk ka asnjë pengesë për t'u anëtarësuar në BE përveç mungesës së plotë të vullnetit politik të deritanishëm për të garantuar respektimin e Kritereve të Kopenhagenit, zgjedhjeve të lira, demokracinë funksionale, barazinë para ligjit dhe sigurinë juridike, në respekt të standardeve kushtetuese dhe europiane.
© SYRI.net