Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, dhe deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, marrin pjesë sot në Konferencën e Dytë Ndërparlamentare të OSBE-së për Luftën kundër Krimit të Organizuar, që zhvillohet në sallën historike “Queen’s Hall” të Dhomës së Deputetëve në Parlamentin Italian, në Palazzo Montecitorio.
Korrespondentja e SYRI, Alba Kepi, thekon se konferenca me temën “#STOPDRUGS – Lufta kundër trafikut të drogës për të mbrojtur sigurinë, shëndetin dhe shtetin ligjor” ka mbledhur në Romë delegacione parlamentare, ministra, ekspertë të sigurisë, drejtues të organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësues të drejtësisë nga vendet e OSBE-së, duke u kthyer në një nga forumet më të rëndësishme për koordinimin ndërkombëtar kundër trafikut të drogës, mafias dhe krimit të organizuar.
Prania e Fatmir Mediut, në cilësinë e Kryetarit të Partisë Republikane, dhe e deputetit demokrat Oerd Bylykbashi konsiderohet një përfaqësim i rëndësishëm politik i Shqipërisë në këtë forum të nivelit të lartë, ku diskutohen sfidat moderne të sigurisë, lufta kundër narkotrafikut, pastrimit të parave dhe krimit transnacional.
Në një moment kur trafiku ndërkombëtar i drogës dhe rrjetet kriminale po shtrijnë ndikimin përtej kufijve shtetërorë, pjesëmarrja e përfaqësuesve shqiptarë në këtë konferencë vlerësohet si një kontribut në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërparlamentar përballë kërcënimeve që cenojnë sigurinë kombëtare dhe demokracitë perëndimore.
Punimet e konferencës hapen nga figura të larta institucionale italiane dhe ndërkombëtare, mes tyre Presidenti i Dhomës së Deputetëve Lorenzo Fontana, Presidenti i Senatit Ignazio La Russa, zv.kryeministri Matteo Salvini dhe Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Pere Joan Pons Sampietro.
Kepi tregon për SYRI se një nga temat kryesore të ditës është sesioni “The Silent Wave: The Threat Posed by Fentanyl and Synthetic Opioids”, i fokusuar te kërcënimi global nga fentanyli dhe opioidet sintetike, ndërsa në vijim diskutimet do të përqendrohen edhe te rehabilitimi, parandalimi i varësisë, si dhe lufta financiare kundër organizatave kriminale përmes goditjes së pastrimit të parave.
Konferenca e Romës riafirmon rolin e OSBE-së si një platformë kyçe për dialogun parlamentar ndërkombëtar dhe përballjen me sfidat e reja të sigurisë, ndërsa pjesëmarrja e Fatmir Mediut dhe Oerd Bylykbashit e vendos Shqipërinë në tryezën e diskutimeve strategjike për luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar.
Mesazhi i forumit është i qartë: lufta kundër drogës dhe organizatave kriminale kërkon bashkëpunim politik, institucional dhe ndërkombëtar, për të mbrojtur shtetin ligjor, sigurinë dhe të ardhmen demokratike të qytetarëve
© SYRI.net