I ftuar në studion e gazetarit Arnold Kariqin, avokati Marash Logu u shpreh se opozita ka ngritur shqetësime serioze për shkeljet e të drejtave kushtetuese nga mazhoranca dhe qeveria e Edi Ramës.
Ai theksoi se refuzimi i shumicës për të ngritur komisionet hetimore për çështjet “McGonigal”, zgjedhjet e 14 majit, fondet e IPARD-it, sistemin TIMS dhe shembjen e segmenteve rrugore cenon rëndë funksionin e opozitës në Parlament.
Avokati tha se, Kushtetuta e Shqipërisë parashikon qartë se kërkesa e një të katërtës së deputetëve për ngritjen e një komisioni hetimor është detyrim ligjor për Kuvendin dhe jo vendim i diskrecionit të shumicës.Logu shtoi se kjo betejë nuk është thjesht për dy komisione, por për të mbrojtur mekanizmat e kontrollit parlamentar që sigurojnë transparencë dhe llogaridhënie të qeverisë.
Ai kritikoi Gjykatën Kushtetuese për vonesën gjashtëmuajshe në shqyrtimin e këtyre kërkesave, duke e krahasuar me shpejtësinë me të cilën janë trajtuar çështjet e zyrtarëve si Erion Veliaj dhe Belinda Balluku.
Avokati përfundoi duke kërkuar respektimin e Kushtetutës, ligjeve dhe standardeve europiane, si dhe përfshirjen e opozitës në proceset kyçe për integrimin europian të Shqipërisë.
Pjesë nga deklarata:
Opozita kërkon ngritjen e një komisioni hetimor. Mazhoranca në parlament është e detyruar që të ngrejë komisionin hetimor. Pra, nuk e ka lënë në vullnetin, në dëshirën apo në diskrecionin e shumicës, por e ka vendosur si një detyrë apo një detyrim të qartë që ka mazhoranca për të pranuar kërkesën për ngritjen e komisioneve hetimore.
Dhe në fakt ne e theksuam edhe sot në seancën e Gjykatës Kushtetuese se kjo nuk është vetëm çështja e ngritjes apo jo të dy komisioneve hetimore. Kjo në fakt është një çështje që ka të bëjë me mbrojtjen e asaj që është karakteri apo natyra e Republikës tonë si republikë parlamentare. Sepse ne kemi parë, sidomos gjatë kësaj legjislature, një qasje, një strategji apo një qëllim që mazhoranca dhe kryeministri i kanë vënë vetes, për të shkatërruar parlamentarizmin duke mos respektuar asnjë prej të drejtave, garancive apo mekanizmave që opozita ka në fakt në dispozicion, për të luajtur rolin e saj si përfaqësuese e qytetarëve. Sepse parlamenti nuk është përfaqësues vetëm i atyre qytetarëve që kanë votuar mazhorancën, por parlamenti është vendi ku përfaqësohen të gjithë qytetarët shqiptarë, përfshirë edhe ata që kanë votuar përfaqësuesit e opozitës, përfaqësuesit e Partisë Demokratike, të cilët në rolin e tyre si deputetë të opozitës parlamentare duhet në fakt që të kërkojnë ngritjen e komisioneve hetimore, interpelanca, mocione me debat, kërkesa për informacion, me qëllim që të kontrollohet mënyra se si po qeveriset vendi dhe të adresohen shqetësimet që kanë në mënyrë të vazhdueshme qytetarët.
Pra, ne nuk kemi kërkuar ngritjen e komisioneve hetimore, qoftë për çështjet me Goniga, qoftë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, qoftë për çështjet e fondeve të IPARD-it, qoftë për çështjen e AKSH-it apo për çështjen e rrugëve, segmenteve rrugore të cilat në fakt po shemben anembanë Shqipërisë, për interes personal apo për interes politik, qoftë të Partisë Demokratike apo të opozitës. Por e kemi kërkuar këtë gjë sepse kjo shqetëson vetë qytetarët shqiptarë. Dhe në emër të tyre, dhe për llogari e në emër të tyre, siç në fakt është e drejta e deputetëve të opozitës, është kërkuar ngritja e këtyre komisioneve hetimore, të cilat pa asnjë lloj argumenti kushtetues, juridik apo ligjor janë rrëzuar, thjesht dhe vetëm si pjesë e një vendimmarrjeje, për të zhbërë mekanizmat e kontrollit të opozitës në parlament dhe për të azgjesuar rolin që ka opozita në një Republikë parlamentare.
Besoj që Gjykata Kushtetuese do marrë pak më shumë kohë, siç është edhe praktika apo tradita që ka vetë Gjykata Kushtetuese. Megjithëse mendoj që në këto çështje Gjykata Kushtetuese, në përfundim të seancës, kishte gjithë mundësinë të dilte me një vendimmarrje, sepse ju po ta keni ndjekur gjithë seancën e patë vështirësinë ose gati-gati pamundësinë që kishte përfaqësuesi i parlamentit për të dhënë qoftë edhe një lloj arsyetimi apo argumentimi logjik e racional, se cilat kanë qenë ato arsye që kanë çuar shumicën parlamentare në rrëzimin e kërkesave të opozitës, përveç qëllimit të tyre për të mohuar çdo të drejtë që Kushtetuta, ligji dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese i ka garantuar opozitës.
Një tjetër shqetësim që kemi pasur lidhur me trajtimin e kërkesave tona në Gjykatën Kushtetuese është koha e gjatë që merr për t'i trajtuar këto çështje. Këto janë çështje të interesit publik, që nuk mund të trajtohen në një procedurë normale si gjithë çështjet e tjera. Megjithëse çështjet në Gjykatën Kushtetuese, secila prej tyre ka rëndësi, kërkesa u dorëzua menjëherë pas vendimeve të Kuvendit të datës 30 tetor 2025, dhe kanë kaluar gjashtë muaj pa vendim.
Kujtoj këtu për shembull, në rastin e të pandehurit Veliaj apo të pandehurës Balluku, Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë gjithë këtë kohë për t'i shqyrtuar çështjet, megjithëse mendoj që çështjet që ngre opozita kanë shumë më shumë interes publik dhe interes qytetar se halli personal që kanë sot Veliaj apo Balluku me organet e drejtësisë. Dialogu i sinqertë ndërmjet shumicës parlamentare dhe pakicës, bashkëpunimi luajal dhe respektimi i të drejtave të opozitës janë kërkesa thelbësore që ka Bashkimi Europian ndaj një vendi kandidat si Shqipëria.
Sjellja e mazhorancës, e evidentuar edhe në raportet e Parlamentit dhe Komisionit Europian, ndaj opozitës ka qenë një sjellje që mohon apo cenon në mënyrë të përsëritur të drejtat e tyre, duke krijuar polarizim të debatit politik në parlament dhe përtej tij. Kërkesa thelbësore e institucioneve të Bashkimit Europian, Komisionit Europian dhe Parlamentit Europian është bashkëpunimi i sinqertë, respektimi i të drejtave të opozitës dhe miratimi i reformave të rëndësishme për anëtarësimin në BE, nëpërmjet konsensusit dhe gjithëpërfshirjes, thirrje e cila është përsëritur vazhdimisht nga institucionet më të rëndësishme të BE-së, por edhe nga Këshilli i Europës, OSBE/ODIHR etj.
Ne, në fakt, kemi parë një vullnet të mazhorancës për të shkelur të drejtat e opozitës nga njëra anë dhe për të miratuar në mënyrë të njëanshme të gjitha ligjet e rëndësishme të paketës për integrimin europian të Shqipërisë. Ju kujtoj për shembull, për herë të parë në 20 vite nga miratimi i rregullores së Kuvendit në vitin 2004, opozitës në këtë legjislaturë iu mor drejtimi i Komisionit të Integrimit Europian, duke treguar një vullnet për ta përjashtuar opozitën parlamentare nga ky proces kaq i rëndësishëm për vendin. Nga ana tjetër, në raportet e Komisionit Europian dhe Parlamentit Europian, është vënë në mënyrë të përsëritur theksi në respekt.
© SYRI.net