Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Fitorja e protestës, turpi i intelektualëve

‘40 ha kullota në Gjoricë dhe kërcënimi i gazetarit’/ Vata: Alarm për abuzimin me territorin dhe heshtjen e shtetit

20:45, 04/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, deputetja e PD-së, Denisa Vata, ka lëshuar akuza të rënda për djegien e qëllimshme të makinës së një gazetari në Dibër dhe për një skemë mashtrimi me tokat e banorëve në Gjoricë të Bulqizës, ku përfshihet edhe një investim publik fantazmë me vlerë miliona euro.

Duke e nisur fjalën e saj me një shqetësim serioz, deputetja denoncoi aktin e rëndë të djegies së automjetit të gazetarit Sami Curri. Sipas saj, ky akt mafioz lidhet drejtpërdrejt me punën e gazetarit, i cili prej vitesh denoncon paligjshmëritë dhe korrupsionin në qarkun e Dibrës. Ajo e cilësoi ngjarjen si "tronditëse dhe një këmbanë alarmi për gjendjen ku ka rrëshqitur vendi", duke shtuar se fakti që ndodh në një qark ku abuzimet me tokat dhe pasuritë publike janë të vazhdueshme, e bën edhe më të rëndë.

Fokusi kryesor i denoncimit ishte situata në fshatin Gjoricë, të cilën deputetja e paraqiti si shembullin më flagrant të keqqeverisjes së territorit dhe interesit publik. Ajo zbuloi detaje nga një takim me banorët e zonës, të cilët ndihen të mashtruar nga procedurat për dhënien me qira të kullotave për ndërtimin e parqeve fotovoltaike.

Denisa Vata: Atëherë, e nderuar drejtuese e seancës, të nderuar kolegë, ëh sipas rendit të ditës, ëh sot kemi çështje të evidentuar nga zgjedhësit dhe ne këto çështje në parlament i sjellim që kabineti qeveritar dhe ministrat t'i dëgjojnë këto problematika dhe sot këtu është totalisht bosh, përveç ministres për parlamentin dhe asnjë ministri tjetër nuk është këtu e pranishme.

Sot, megjithatë, dua të sjell një shqetësim serioz. Sot dua të flas për një akt shumë të rëndë që ka ndodhur në qarkun Dibër. Djegia e qëllimshme e automjetit të gazetarit Sami Curri që prej vitesh denoncon paligjshmëri, korrupsion dhe abuzime në qarkun Dibër me portalin e tij modest, është një ngjarje tronditëse dhe një këmbanë alarmi për gjendjen ku ka rrëshqitur vendi. Ata që mendojnë se e vërteta digjet bashkë me një makinë, gabojnë shumë rëndë. Dhe fakti që kjo ndodh në një qark që prej kohësh denoncohen abuzime me tokat, me pasuritë publike dhe me interesat ekonomik, e bën këtë ngjarje akoma më të rëndë.

Por pikërisht sepse po flasim për një gazetar që ka denoncuar këto fenomene, duhet të flasim edhe për një prej rasteve më domethënëse siç është rasti i Gjoricës. Ajo që po ndodh në Gjoricë, është shembull se si kjo qeveri po administron territorin dhe interesin publik. Para dy ditësh kam zhvilluar një takim në fshatin Gjoricë, në bashkinë Bulqizë, ku jam njohur drejtpërdrejt me shqetësimet e banorëve të zonës. Nga bisedat me ta rezulton se procedurat e dhënies së kullotave me qira për zhvillimin e parqeve fotovoltaike nuk ka ndjekur standartin e kërkuar të transparencës dhe informimit të plotë të komunitetit. Banorët pretendojnë se fillimisht kanë nënshkruar dokument për sipërfaqe të kufizuar toke siç është një hektar, ndërkohë që më pas janë informuar se vendimarrja ka përfshirë rreth 40 hektarë kullota. Banorët ndihen të mashtruar për mënyrën se si janë marrë firmat për kullotat e tyre. Një tjetër element shqetësues lidhet me procesin e administrimit të firmosjes së dokumentacionit, ku kanë qenë të përfshirë edhe punonjës të bashkisë që nuk janë banorë të zonës dhe që nuk kanë asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me territorin e prekur nga vendimarrja. Dhe kjo është akoma më e rëndë.

Paralelisht me këtë situatë, në të njëjtin fshat kemi një ujësjellës fantazmë, një investim me vlerën 3.5 milionë euro, i cili nuk është vënë asnjë ditë në funksion.

Tani, ëh, ku përfiton komuniteti nga gjithë këto investime dhe parqet fotovoltaike? A do të kthehet qoftë një pjesë e qirasë apo përfitimit ekonomik në investim për zonën? Pra në rrugë, në kanale vaditëse, në rrugë për varrezat, në shërbime, apo përfitime ë do të apo përfitimet do të mbeten vetëm për interes të investitorëve? Banorët nuk kanë nga ta dinë se ku do shkojnë paratë që do jepen për qiratë e kullotave, sepse asnjë përfaqësues i qeverisë dhe as kryetarja e Bashkisë Bulqizë nuk ka qenë kurrë qoftë edhe një herë në takim me këto banorë. Dhe pastaj pyesim se pse boshatiset fshati. Po sigurisht që do boshatiset fshati, sepse si t'ju marrësh tokën, t'ju marrësh ujin, për hece, ë mos t'i pyesësh në dëgjesat publike dhe të firmosin punonjësit e bashkive dhe ata të vendosin për ta, atëherë si nuk do boshatiset fshati? Por çështja është për kë qeverisni ju? A qeverisni për qytetarët e këtij vendi, apo i shihni qytetarët vetëm kur ju duhen në zgjedhje, kur duhen për propagandë dhe dekor elektoral. Gjorica është pasqyra e një modeli ku shteti nuk po qeveris për qytetarin që jeton mbi atë tokë, por për ata që përfitojnë prej saj. Dhe përballë këtyre denoncimeve publike, SPAK-u dhe Prokuroria e Qarkut Dibër nuk mund të heshtin. Kanë detyrim ligjor dhe moral të nisin menjëherë hetimet për të verifikuar çdo pretendim të ngritur nga banorët.

Pra, siç e thashë, përballë këtyre denoncimeve publike, SPAK-u dhe Prokuroria e Qarkut Dibër nuk mund të heshtin. Kanë detyrim ligjor dhe moral të nisin menjëherë hetimet për të verifikuar çdo pretendim të ngritur nga banorët, mbi procedurat e dhënies së kullotave, mbi vlefshmërinë e dokumentacionit, mbi përdorimin e fondeve publike për investime në zonë dhe mbi çdo përgjegjësi administrative apo penale që mund të rezultojë. Faleminderit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco