Çmimet e produkteve bazë ushqimore kanë shënuar një rritje galopante, duke rënduar ndjeshëm xhepat e qytetarëve shqiptarë.
I ftuar në edicionin informativ të lajmeve në Syri Tv, eksperti i ekonomisë Klodian Muço u shpreh se situata ekonomike në vend po përkeqësohet ndjeshëm, ndërsa rritja e çmimeve po del jashtë kontrollit dhe po rëndon drejtpërdrejt mbi qytetarët.
Duke u ndalur te shtrenjtimi i produkteve bazë, ai solli si shembull çmimin e domates, që në disa raste ka arritur deri në 800 lekë për kilogram, duke e konsideruar këtë si tregues të një krize më të thellë në treg.
Sipas tij, përtej faktorëve ndërkombëtarë dhe rritjes së inflacionit, vendi përballet edhe me problematika të brendshme si dëmtimi i prodhimit vendas, rritja e kostove bujqësore dhe abuzimi në treg, ndërsa mungesa e masave efektive nga qeveria dhe varësia e lartë nga importet e bëjnë situatën edhe më të vështirë për qytetarët.
Pjesë nga deklarata:
Situata nuk është e thjeshtë. Po të kemi parasysh dhe t’i referohemi gjithmonë organeve zyrtare, që janë të besueshme, ato të nivelit europian, Banka Qendrore Europiane parashikoi që në javën e fundit të muajit shkurt një rritje të inflacionit nga 0.9% që ishte parashikuar, në gati 1.8%. Kështu që më pas rishikoi edhe inflacionin për muajt në vijim: marsin, prillin, majin e të tjerë.
Ajo që vihet re është se kjo luftë, që nisi si një konflikt që teorikisht duhet të mbaronte brenda dy javësh, siç u mendua fillimisht, po vazhdon çdo ditë e më tepër. Situata është që nga një gjendje e përkohshme, që do të kalonte shumë shpejt, shumë studiues të ekonomisë, por jo vetëm, mendojnë se mund të jetë, të paktën për Bashkimin Europian, një situatë si ajo e luftës së Ukrainës, ku të gjithë e mbajnë mend periudhën e rritjes së ndjeshme të çmimeve, fillimisht të produkteve të energjisë, por më pas që u reflektua në të gjithë ekonominë, te produktet ushqimore e të tjerë.
Shqipëria, ndryshe nga vendet e tjera, është në një situatë akoma edhe më të vështirë për vetë faktin që kemi pasur, përtej rritjes së naftës, ajo që vihet re dhe është edhe më shqetësuese sesa nafta, është rritja e ndjeshme e çmimeve, sidomos e fruta-perimeve. Më vijnë në mendje domatet, që teorikisht, aktualisht që jemi në prill, duhet të kishte filluar të dilte prodhimi vendas. Prodhimi vendas, për arsye nga njëra anë përmbytjet, ku një pjesë e produkteve dhe e bimëve është dëmtuar dhe është dashur të rimbillen, dhe nga ana tjetër rritja e kostove të pesticideve. Në fund, por jo nga rëndësia, është edhe fakti që prodhuesit shqiptarë kanë tendencën ta çojnë produktin jashtë nëse kanë mundësi. Një aspekt tjetër është përfitimi nga situata, pra abuzimi apo spekulimi, që ka bërë që sot 1 kg domate të kushtojë nga 300 ALL/kg deri në 800 ALL/kg për produkte specifike. Kështu që është një situatë aspak e thjeshtë për qytetarët.
Përmenda frutat dhe perimet për faktin se duhet të kemi parasysh që rreth 350 mijë pensionistë vazhdojnë ende të marrin më pak sesa ajo që konsiderohet minimum jetik, edhe pse nuk është bërë një studim i mirëfilltë se sa është ky realisht. I referohemi gjithsesi raportit të Bankës Botërore, që thotë se kush përfiton më pak se 6.8 dollarë në ditë konsiderohet në varfëri relative.
Duhet të kemi parasysh diçka. Nëse kthehemi pak pas në kohë, te lufta në Ukrainë, që është një situatë pak a shumë e ngjashme, pamë sa vulnerabël ishte shteti shqiptar, për arsye se jemi të varur pothuajse totalisht nga importet. Importojmë pothuajse çdo gjë. Edhe naftën, që në një farë mënyre mund ta prodhonim në vend, megjithëse jo cilësore. Ne nxjerrim naftë të papërpunuar dhe përfitojnë disa tregtarë, ndërsa shteti dhe qytetarët përfitojnë shumë pak, vetëm rreth 10% rentë, dhe edhe në ato raste që përfitohet, shpesh është parë si shpërdorohet. Pra, përtej çdo aspekti, jemi shumë të varur nga jashtë.
Qeveria teorikisht duhet të kishte marrë masa para se të vinim në këtë situatë. Kur filloi lufta në Ukrainë, u deklarua që të ndihmohen prodhuesit vendas të prodhojnë grurë dhe misër. Në momentin kur prodhimi filloi dhe një pjesë e qytetarëve mbollën arat me grurë e misër, sapo çmimet në bursë u stabilizuan apo ranë, çfarë pamë? Nga njëra anë, një pjesë e furrave vazhduan të mbanin çmimet e bukës të rritura, rreth 20% më shumë. Nga ana tjetër, fermerëve u mbeti prodhimi pa shitur, sepse kostot ishin më të larta. Pra, u inkurajuan të prodhonin, por më pas u lanë pa mbështetje.
Në situatën aktuale duhet të jemi koherentë: nuk është e thjeshtë të ndërhysh në treg. Kam parë me vëmendje çfarë kanë bërë vendet fqinje dhe ato të zhvilluara. Përtej masave emergjente, që zgjasin nga disa javë deri në dy muaj, ndërhyrja është e kufizuar. Në treg nuk ndërhyhet lehtë. Bordi i Transparencës dhe bordet ushqimore e kanë të vështirë të monitorojnë tregun në mënyrë efektive.
Për shembull, te nafta ka disa operatorë dhe një përqendrim të theksuar të tregut. Disa prej tyre mund ta kenë blerë naftën muaj më parë, me çmime më të ulëta, dhe e mbajnë në depo. Është e vështirë të kontrollohet nëse çmimi aktual i shitjes reflekton çmimin e blerjes apo jo. Kemi parë që sa herë rriten çmimet në bursë, ndërhyrjet janë të menjëhershme, por kur çmimet bien, produktet shpesh mbeten me çmime të larta.
Për këtë arsye, do të ishte e nevojshme një monitorim më i fortë i tregut dhe më shumë transparencë. Mund të krijohet edhe një task-force specifike, siç është bërë në disa vende si Italia, për të parë nëse ka abuzim apo spekulim.
Në një moment të dytë, sigurisht që nevojitet një ndërhyrje më e fortë nga qeveria për t’i dhënë vendit më shumë autonomi, që të mos jemi kaq të varur nga situatat dhe konfliktet e jashtme. Unë e përmenda në fillim të bisedës se çfarë thotë Banka Qendrore.
© SYRI.net