Banorët e Martaneshit janë përplasur me zyrtarët e bashkisë së Bulqizës, e cila ka vendosur të vjedh 86 hektarë tokë, me të cilën jetojnë mijëra banorë të kësaj zone, ta japë për ndërtim panelesh diellore.
Këtë të enjte pasdite ishte parashikuar të zhvillohej një dëgjesë publike për panelet fotovoltaike, por banorët nuk kanë pranuar përfaqësuesit e bashkisë, duke u kërkuar llogari jo vetëm për marrjen e tokës për panele fotovoltaike por edhe mungesën e investimeve në tërësi në këtë zonë.
Në mbështetje të banorëve kanë qenë edhe deputetët e Partisë Demokratike të Dibrës, Xhelal Mziu dhe Denisa Vata.
Deputetja Denisa Vata, deklaroi për mediat, se dëgjesat publike janë fiktive, ndërsa sipas saj, toka e banorëve të Martaneshit po u jepet njerëzve që kanë ndihmuar Belinda Ballukun në fushatën elektorale në Dibër.
Gjatë përplasjeve, shkoi edhe kreu i Partisë Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, ku pati tensione mes tij dhe banorëve.
Ndërkohë, më pas Adriatik Lapaj ka publikuar një video nga takimi, ku sekretari i këshillit bashkiak të Bulqizës, ka ndryshuar edhe qëndrimin duke mohuar se konsultimi nuk do të bëhej për ndërtim parku fotovoltaik.
© SYRI.net