I ftuar në edicionin informativ të lajmeve, gazetari Arnold Krriçi, deputeti i PD-së Belind Këlliçi, u shpreh se protesta e opozitës nuk është thirrur vetëm për të kundërshtuar politikën e Edi Ramës, por për të reaguar ndaj një situate që ka çuar Shqipërinë në një krizë të thellë ekonomike dhe politike.
Këlliçi theksoi se qeveria aktuale ka kthyer parlamentin në një "bunker" për të mbrojtur të korruptuarit dhe ka dështuar të adresojë problemet kryesore të qytetarëve, duke përfshirë varfërinë, padrejtësinë dhe rritjen e çmimeve.
Protesta, sipas Këlliçit, është një apel për gjithë qytetarët, që duhet të bashkohen për t’i dhënë fund autokracisë që ka ngritur Edi Rama dhe për të rikthyer shpresën për një të ardhme më të mirë.
Pjesë nga deklarata:
Ky 22 mars thërret jo vetëm demokratët, por thërret të gjithë qytetarët shqiptarë. Arsyet për të protestuar janë të shumta dhe, për fatin tonë të keq, edhe disi të ngjashme me ato arsye që çuan në fitoren plebishitare të Partisë Demokratike në vitin '92. Sot, që ne flasim, varfëria, padrejtësia, drejtësia e kapur, vjedhja me licencë, mbrojtja e të korruptuarve me votë në Kuvend, çmimet e shtrenjta, çmimi i naftës që është më i shtrenjti në Evropë dhe ka kaluar kufirin e 2140 lekëve për litër.
Është një çmenduri kjo që ndodh me çmimin e naftës në Shqipëri dhe Edi Rama sot sërish kërcënoi dhe u tall me qytetarët shqiptarë, duke thënë se ka një "kërcitje të vogël" të çmimit, por është prapë brenda, brenda limiteve normale. E kemi sot 1 litër naftë 2140 lekë. Në çdo vend të botës, të gjitha qeveritë e përgjegjshme po ndërmarrin masa dhe hapa konkretë për të lehtësuar qytetarët, për të lehtësuar konsumatorët. Rasti më i fundit është rasti i Italisë para tre ditësh, i Melonit, që Edi Rama pretendon ta ketë mikeshë dhe motrën e tij të afërt, ku u hoq akciza për naftën në mënyrë të përkohshme derisa të stabilizohet sërish çmimi dhe të kemi një rikthim në normalitet.
Por vetëm në shtetin më të varfër të Europës, vetëm në shtetin ku fuqia blerëse e qytetarëve është më e ulëta në Europë, në autokracinë elektorale që konsiderohet sot Shqipëria, vetëm në Shqipëri nuk ndodh asgjë. Pse? Sepse të gjitha taksat që shkojnë në pothuajse vlerën e 60% të çmimit të naftës, shkojnë në buxhetin e shtetit. Një buxhet që nuk alokohet, nuk destinohet, nuk shkon për të zgjidhur problemet e qytetarëve, nuk shkon për investime, nuk shkon për rrugë, nuk shkon për infrastrukturë, nuk shkon për kopshte, për çerdhe, për shkolla, për ujësjellësa, por shkon si një buxhet personal i kryeministrit, shkon si një buxhet vetjak dhe si një qese personale e atij që sot drejton Shqipërinë.
Ndaj për këtë arsye, do të doja të them që ky 34-vjetor i fitores së parë të PD-së, i asaj fitoreje historike të 22 marsit '92, e gjen Shqipërinë dhe Partinë Demokratike prapë në një mision. Në një mision të qartë, për ta rikthyer edhe njëherë vendin në shinat e normalitetit dhe për të rihapur rrugën drejt integrimit europian dhe drejt prosperitetit për qytetarët shqiptarë.
Sot që ne flasim, është fakt i pamohueshëm që Edi Rama ka ndërprerë rrugëtimin europian të Shqipërisë, për shkak se vendosi ta kthejë Kuvendin e Shqipërisë, me votat që ka mazhoranca dhe që i ka vjedhur në farsën elektorale të 14 majit, në një bunker, në një mburojë për të korruptuarit dhe për veten e tij. Po e them dhe njëherë, e kam thënë gjatë gjithë kohës. Nuk është çështja këtu për Belinda Ballukun. Nuk i kërcet fare Edi Ramës për Belinda Ballukun apo për këdo Balluk tjetër, apo Veliaj, apo Beqaj, apo Tahir, apo të gjithë zyrtarët e tij të korruptuar ndër vite me radhë. Problemi është një dhe vetëm një, është Edi Rama. Është Edi Rama, është Linda Rama, është familja e tij dhe janë të afërmit e tij, të cilët ai i mbron tashmë me votë dhe me Kuvend, me Kuvendin e Shqipërisë. Pra, e ka kthyer Kuvendin në një mburojë personale, politike, edhe ligjore.
Kushti që u vendos nga Bashkimi Europian, nga Komisioni Europian, nga Komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë i Parlamentit Europian, testi kritik që u tha para dy javësh në mes të Tiranës nga përfaqësuesi i lartë i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, David McAllister, testi që ju tha hapur nga pala jo vetëm gjermane, por nga gjithë europianët, që testi Balluku është test kritik për integrimin e Shqipërisë, mbeti në klasë. Pra, Edi Rama mbeti në klasë dhe vendosi që mos të zgjedhë integrimin e Shqipërisë, mos të zgjedhë shtetin ligjor, mos të zgjedhë shtetin e së drejtës, por vendosi të zgjedhë mburojën personale.
Kështu që, ky 22 mars i sotëm, kjo protestë e sotme në orën 18:00, e them dhe njëherë Arnold, prapë historia e deshi që Partia Demokratike të jetë në mision sërish dhe t'i prijë këtij misioni, pra e thërret Partia Demokratike.
Edi Rama këtë bëri dhe në këto 13 vite qeverisje, riktheu nomenklaturën, kastën e vjetër të Partisë Komuniste, sepse po flasim për një parti që thjesht ka ndërruar emrin, por personazhet janë po të njëjtët. I mjafton të shohësh dyshen që drejtoi për 13 vite qeverisjen, mjafton të shohësh Ramën-Ballukun dhe sheh që janë po pinjollët e tyre dhe të gjithë drejtuesit më të lartë të Partisë Socialiste janë po pinjollët, janë ose fëmijët, ose djemtë, ose vajzat, ose nipërit, ose mbesat e ish-nomenklaturës komuniste, drejtuesve të Partisë së Punës, dhe për shkak se Edi Rama zgjodhi këtë rrugëtim, e riktheu Shqipërinë të paktën një apo dy dekada pas, qoftë në aspiratën e saj europiane, perëndimore, apo qoftë në performancën e saj përsa i përket të gjithë treguesve dhe të gjithë parametrave të demokracisë.
Ky 22 mars, kjo ditë e sotme, kjo protestë që është thirrur nga Partia Demokratike, me të vërtetë është një protestë politike. Është një protestë politike patjetër, sepse ne problemin e kemi politik, kemi qeverisjen më të korruptuar në Europë, kemi kryeministrin e kapur në flagrancë dhe kemi kryeministrin më të korruptuar të Europës, por nuk është një protestë partiake, pra nuk është vetëm PD-ja apo nuk janë vetëm demokratët që duhet të dalin sot në shesh apo në çdo ditë apo në çdo moment që thirret një protestë.
Sot duhet të dalin fermerët, sepse fondet e tyre, fondet që jep Bashkimi Europian për fermerët, shkojnë dhe i merr Edi Rama. Ja jep investitorëve strategjikë, ja jep klientelës së tij, ja jep organizatave kriminale, ja jep ministrave të tij, ja jep njerëzve të korruptuar.
© SYRI.net