I ftuar në edicionin informativ të lajmeve me Eneid Ndocin, deputeti i Partisë Demokratike, Bledi Himçi, u shpreh se protesta e sotme në Tiranë ka një qëllim të qartë: të tregojë pakënaqësinë e qytetarëve ndaj qeverisjes së Edi Ramës, të denoncojë korrupsionin e përhapur në të gjitha nivelet e shtetit dhe të kërkojë vënien para drejtësisë të zyrtarëve të përfshirë në abuzime, përfshirë Belinda Ballukun.
Sipas tij, qytetarët do të jenë masivisht në sheshe, duke shprehur zemërimin e akumuluar nga abuzimet e qeverisë dhe gjendja e rënduar ekonomike, si dhe duke kërkuar rrëzimin e autokracisë që sipas opozitës ka instaluar kryeministri.
Pjesë nga deklarata:
Sigurisht që çdo njeri ka sot të drejtën për të protestuar përballë korrupsionit që ka kapluar këtë qeveri. Sigurisht ka të drejtën për të protestuar në lidhje me sistemin e drejtësisë, aq të adhuruar për shqiptarët, për të mundësuar që të paprekshmit, pa diskutim, të prekeshin dhe të vendoseshin para drejtësisë. Edi Rama, siç e keni parë, ka minuar të gjithë sistemin e drejtësisë; gjithë atë investim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me miliona dollarë në reformën për drejtësi, janë hedhur në erë nga kryeministri Edi Rama.
Shqiptarët sot kërkojnë drejtësi, ku numri dy i kësaj qeverie është kapur me presh në dorë dhe ka vjedhur miliona e miliona euro, pra 1.1 miliardë dëmin që ka bërë nga kontrolli i lartë i shtetit që ka bërë ministrja, dhe sigurisht sot nuk vendoset para drejtësisë. Nuk i jepet autorizimi nga ana e kuvendit, duke përdorur forcën e kartonit, për të mos iu përgjigjur drejtësisë.
Sigurisht sot shqiptarët kanë të drejtën për të protestuar edhe për arsye të tjera, siç është varfëria në këtë vend, ku pjesa më e madhe jetojnë nën minimumin jetik. Të protestojnë sot për çmimin e lartë të naftës dhe sigurisht edhe për uljen qesharake që i bëri Rama: kur çmimi i naftës shkon mbi 2200 lekë, ai do ta ulë vetëm 8 lekë, gjë që është një histori e papërfillshme për shqiptarët. Pra, qarkullimi me makina sot për shqiptarët është bërë një luks. Dhe nuk ka asnjë politikë sociale në mbrojtje të qytetarëve apo të konsumatorit përsa i përket tregtimit të karburanteve.
Pa diskutim, ka sot mundësi për të protestuar edhe në lidhje me spitalet, ku nuk gjen një ilaç. Qytetarët shkojnë në spitale dhe i blejnë ilaçet nëpër farmacitë përkatëse, pavarësisht se paguajnë kontributet shëndetësore, aq të premtuara nga Rama si shëndetësi falas. Pra, në të gjithë sektorët që ka prekur dhe drejton sot Edi Rama, kudo ka korrupsion.
Ndaj, unë jam i sigurt që sot populli shqiptar në orën 6 në Tiranë do të zbresë në sheshe dhe do të protestojë në mënyrë të padiskutueshme për rrëzimin e pushtetit të Edi Ramës, për rrëzimin e kryeministrit dhe vënien para drejtësisë të kryeministrit dhe të gjithë enturazhit të tij, i cili ka kryer korrupsion në mënyrë të padiskutueshme, në bashkëpunim me Belinda Ballukun, në kuadër jo të një grupi të strukturuar kriminal, por në kuadër të një organizate kriminale. Kjo sot është e provuar; pritet vetëm vazhdimësia e hetimeve nga SPAK. Pa diskutim, Rama mbron Ballukun për një arsye: sepse është i përfshirë vetë në aferat korruptive së bashku me Belinda Ballukun.
Nëse do të vihej para drejtësisë Belinda Balluku, pa diskutim do të tërhiqte edhe Edi Ramën me vete. Reagimi i qytetarëve kundrejt vuajtjeve të përditshme është në mënyrë të padiskutueshme forma më e thjeshtë e reagimit të protestimit, qoftë duke protestuar me molotov apo me gjithçka tjetër. Por duhet të qëndrojmë të sigurt që vala e zemërimit ndaj korrupsionit të kësaj qeverie rritet gjithnjë e më shumë. Askush nuk mund ta mbajë dhe ta frenojë uraganin popullor të protestës së 22 marsit.
Absolutisht do të jemi shumë më tepër në shesh, dhe për këtë jam i bindur, qoftë edhe nga kontaktet dhe reagimet për marrjen e informacionit mbi protestën. Aq më tepër që është edhe një ditë e shënuar sot, kur kemi të bëjmë me rrëzimin e diktaturës në Shqipëri, pra me 22 mars 1992, dhe kjo do të reflektohet edhe sot, më 22 mars 2026, në rrëzimin e diktaturës që ka vendosur Edi Rama, një autokraci totale ku askush nuk pipëtinë, qoftë brenda PS-së, qoftë brenda qeverisë, qoftë në parlament. Çfarë thotë i pari zbatohet me forcën e kartonit verbërisht, dhe kjo ka bërë që Shqipëria të jetë në këtë situatë, pa diskutim për veprime korruptive të vetë kryeministrit Edi Rama.
© SYRI.net