Lideri i opozitës Sali Berisha deklaroi se ditën e enjte, më 12 Mars ora 10:00, e gjitha Shqipëria do të jetë para Kuvendit për të protestuar kundër korrupsionit qeveritar. Gjatë foltores para kryeministrisë, Berisha reagoi ashpër ndaj vendimit të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste për mbrojtjen e Belinda Ballukut dhe theksoi se ky vendim po rrezikon ëndrrën e shqiptarëve për integrim në BE. Ai u bëri thirrje intelektualëve që të dalin nga qëndrimet konformiste dhe të mos pajtohen më këto që po ndodhin.
SYRI TV
Lideri opozitës, Sali Berisha ka reaguar me tone të ashpra pas refuzimit të mazhorancës socialiste të kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, e cila është marrë e pandehur për abuzim me tenderat. Gjatë foltores para Kryeministrisë, Berisha tha se me këtë vendim Edi Rama po mbron veten dhe të gjitha aferat që ka bërë në këto 13 vite qeverisje. Në këtë kuadër Berisha u bëri thirrje intelektualëve shqiptarë që të dalin nga qëndrimet konformiste dhe të mos pajtohen më këto që po ndodhin.
'Në këtë kuadër unë kam një thirrje të veçantë, në radhë të parë për çdo intelektual shqiptar, të dalë nga guaska e konformizmit të tij. Të mos harrojë kurrë se ai investim i madh që kanë bërë shqiptarët për shkollimin e tij, që kanë bërë prindërit e tij për shkollimin e tij, ka qenë para së gjithash dhe mbi të gjithë që ai të jetë, pavarësisht nga profesioni, të jetë një avokat i pamposhtur i interesave të kombit të tij, i interesave të shoqërisë së tij, i interesave të publikut. U drejtohem me këtë rast dhjetëra mijëra mësuesve, mjekëve, inxhinierëve, ekonomistëve, juristëve të këtij vendi, konformizmi me këtë regjim është mëkati më i madh i jetës. Nënshtrimi ndaj këtij regjimi është një gabim i pafalshëm. Asnjë njeri nuk duhet dhe nuk mundet të konformohet dhe të pajtohet me këto që ndodh.
'Kam një thirrje të veçantë për të rinjtë shqiptarë. Vendi juaj, të dashur studente dhe studentë, gjimnaziste dhe gjimnaziste, të rinj dhe të reja kudo që ndodheni, sot ka nevojë më shumë se kurrë për guximin dhe energjinë tuaj. Duhet ta fshini një minutë e më parë. Javët nuk duhet t’ia zgjasim këtij horri, këtij krimineli, këtij hajduti që nuk ka asgjë të përbashkët me zyrtarin, nuk ka asgjë të përbashkët me qytetarin, nuk ka asgjë të përbashkët me njeriun me dinjitet, por është një kriminel.' - u shpreh Berisha.
Berisha theksoi se Edi Rama me veprimet e tij po shkatërron ëndrrën e integrimit europian.
'Asnjëri prej jush nuk mund të pajtohet sepse ju më mirë se të gjithë të tjerët, e keni të qartë se me këto akte, kreu i organizatës kriminale, Edi Rama po mbyll dyert e Europës për shqiptarët, po shkatërron ëndrrën më të bukur që nga Rilindja kombëtare gjer sot të kombit tonë, ëndrrën europianë. Asnjë prej jush nuk mund të pretendojë se nuk e kupton se kur shkelet Kushtetuta, kur drejtësia asgjësohet, nuk ka më shtet, por ka një bandë, ka një parashtet.' - tha Berisha.
Berisha iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që të bashkohen në protestën e opozitës në datë 12 mars ora 10:00, para parlamentit të Shqipërisë.
© SYRI.net